English

Rreziqet

Nga Ylber Lili

Sipas kalendarit, pushimet janë drejt fundit. Shtatori, të paktën në mënyrë hipotetike, pritet të jetë i zhur-mshëm dhe i rrëmujsh-ëm. Në emër të gjakimit për pushtet, sërish do të aktivizohet artileria e propagandës politike në funksion të relacionit mik-armik. Informacionet e dorës së parë pritet të jenë thellimi i antagonizmave dhe lufta për asgjësim politik. Sakaq, shoqëria civile, zëdhënësit e opinionit publik do të ripozicionohen ca djathtas, ca majtas e të tjerë majtas e herë djathtas, duke “profetizuar” pikënisjen e nisjes së punës së kryebashkiakut të Tiranës, fatin e mëtejmë të lidershipit të PS-së, maxhorancën e brishtë nga pikëpamja sasiore (kartonëve), ditët e numëruara (skadimi i mandatit) të Presidentit të Republikës, prokurorit të Përgjithshëm, fatin politik të Topit, fenomenin “Meta”, zgjedhjet e ardhshme parlamentare etj. Me pak fjalë, lajmi dhe informacio-ni kryesor sërish do të burojë nga dy selitë kryesorë të partive politike e më pas të tirren nëpër debate, të cilat prodhojnë një lëmsh që mban nyje të gjithë procesin e gjithmbarshëm të shoqërisë dhe vendit. Sa për çështjet e tjera, ato mbeten të dorës së dytë, madje periferike, përfshirë këtu edhe grevistët e minierës së Bulqizës, apo probleme dhe fenomene që prekin direkt aspektin ekonomik dhe social të shqiptarëve. Shikuar nga një aspekt tjetër, sërish do të dalë në pah ineficienca e Akademisë së Shkencave, vegjetimi i instituteve shkencore, retorika boshe dhe paaftësia diplomatike, dremitja e elitave e kështu me radhë. Edhe pas këtij muaji përvëlues nuk pritet të kemi analiza të thella shkencore, projekte serioze në funksion të integrimeve mbarëshqiptare, platforma të njëmendta për bashkimin e vlerave të përbashkëta, apo nisma të konkretizuara për planifikimin, hartimit dhe unifikimin institucional të të gjitha hapësirave. Përkundrazi, hapësirën e projekteve, nismave dhe platformave do ta zaptojë retorika shterpe e politikëbërësve, të cilët jo vetëm që nuk i kthejnë sytë tek e tashmja dhe e ardhmja, te vlerat dhe standardet e kontekstit të ri historik, por as brengosen për tendencat që shfaqin të tjerët për të dëmtuar identitetin kulturor dhe kombëtar. 2. Ky realitet i përçudnuar nuk ndodh vetëm brenda kufijve administrativë, por epidemia politike ka përfshirë të gjithë hapësirën shqiptare. Bie fjala, politika në Kosovë dhe ajo e shqiptarëve të Maqedonisë shfaqin të njëjtat simptoma: gjakimi për pusht-et, interesat financiare, plus amatorizmi politik dhe institucional, mbajnë peng konsolidimin e shoqërisë demokratike, funksionimin e shtetit ligjor, ngritjen e nivelit kulturor, arsimor, ekonomik, social dhe pranojnë lloj-lloj diktatesh që bien ndesh me të vërtetat historike (siç ishte tulatja e ministrit të Arsimit të Kosovës përballë homologut të tij turk), e kështu me radhë. Fatkeqësisht, këtë vakum institucional, politik, kulturor dhe arsimor nuk e kompenson shteti shqiptar, i cili bën sehir edhe atëherë kur duhet të investojë, dremitet edhe kur duhet të zgjohet. Hesht edhe kur duhet të reagojë, më keq akoma, edhe kur flet belbëzon, në fakt nuk thotë asgjë. S’do mend që në këto kushte është vështirë të besosh se shteti shqiptar të investohet fuqishëm për të inkurajuar, mbështetur dhe financuar rrëfimin e përbashkët historik, kulturor, arsimor e gjuhësor. Prandaj nuk kemi pse çuditemi për manovrat serbe që mëtojnë të mbajnë pezull të ardhmen dhe perspektivën e Kosovës, as për lajthitjet e maqedonasve që përdhosin sot e gjithë kohën identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve, as për inkursionet e qeverisë turke, të cilët po përdorin të gjitha strategjitë, që duan të zhbëjnë historinë e shqiptarëve. Pikësëpari, ne duhet të brengosemi për politikanët tanë dritëshkurtër që nuk shohin përtej interesave të pushtetit, duhet të shqetësohemi për elitat tona që, si me telekomandë, dirigjohen nga politikat ditore, duhet t’u biem sirenave të alarmit për zgjimin e vetëdijes kombëtare, duhet t’u paraprijmë fenomeneve devijante, duhet të investojmë fuqishëm për zhvillimin ekonomik, ngritjen e nivelit kulturor dhe arsimor të të gjitha hapësirave etnike shqiptare. Në të kundërt, faktori kohë do të hakmerret pamëshirshëm. Nëse elitat do të vazhdojmë të vegjetojnë, të tjerët i kemi zgjuar për të ndërmarrë aksione për përtharjen e kauzës shqiptare. Ky nuk është parashikim, por realitet që e gjejmë në Shqipëri, Kosovë dhe akoma më shumë në hapësirat shqiptareMaqedoni. Ç’është e vërteta, ne jemi të rrezikuar, problemi qëndron se nuk duam të hetojmë…. Nuk bëhet fjalë për rrezik në kuptimin e integritetit territorial, as për ndonjë agresion ushtarak. Në këtë aspekt të flemë, si i thonë, mbi dafina ngaqë jemi të garantuar. Nuk është shaka të jesh anëtar i NATO-s! Fjalën e kam për kanosje pa armë e shpata, as nga garnizone me çallma në kokë dhe as për arkanoviçë, por për strategji shtetërore më të “moderuara” të serbëve, maqedonasve, grekëve dhe turqve, që orvaten me “shiringë” ta përthajnë kauzën kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. 3. Nuk di si t’i klasifikoj, përveçse agresion me mjete të sofistikuara të serbëve për të destabilizuar shqiptarët në rajon, maqedonasve që ushtrojnë politika represive ndaj etnitetit shqiptar, grekëve që rreken me pensione e hapje shkollash greke për të greqizuar hapësirat shqiptare në Jug, apo ekspeditat e autoriteteve shtetërore turke që joshin ca përfaqësues politikë dhe lokalë shqiptarë në Maqedoni e Kosovë për t’i turqizuar ato hapësira. Së fundi, nuk di çfarë emri tjetër t’i vendos krekosjes së ministrit të Arsimit turk, në zemër të Prishtinës, që, në mënyrë urdhërore, kërkon të na diktojë fatin tonë historik. Të jemi më konkret; qarqet sllave, greke dhe neo-otomanizmi janë në garë. Kush më shumë e më shpejt t’i fusë nën sqetull shqiptarët në Ballkan. Nëse deri tani kemi rrahur gjoksin se shqiptarët në ish-Jugosllavi i kanë mbijetuar asimilimit sllav, tani e tutje duhet bërë shumë kujdes, sepse identitetit kombëtar i shfaqet një tjetër rrezik, ai i darovitjes kulturore, të një udhëkryqi orientimesh ku ndeshet Orienti dhe Oksidenti. Nëse tani për tani, në Shqipëri, strategjia neo-otomaniste ecën me hapat e breshkës, në hapësirat e tjera shqiptare ata kanë shtrirë spiralen e influencës. Bie fjala, te shqiptarët në Maqedoni, deri diku edhe në Kosovë, oferta turke për destabilitetin kulturor dhe arsimor ka gjetur mbështetje politike, institucionale, lokale dhe mediatike. Turqit kanë arritur të ngrenë “perandorinë e tyre arsimore”, saqë aty ku ka shqiptarë ndodhet një kolegj “made in Turkia” (kusht, gjuha turke). Jo vetëm kaq. Ata, përmes industrisë së telenovelave, kanë arritur të destrukturojnë shoqërinë në tërësi. Të bindur në efikasitetin e strategjisë së tyre, ditët e fundit ekspedita shtetërore dhe qeveritare turke finalizoi në qytetin e Gostivarit të ashtuquajturin manifestim “Ramazani në Ballkan”, nën moton “Vëllazëria nuk njeh kufij”. Por, dardha e ka bishtin prapa! Në krye të aksionit “manifestues” ishin deputetë e kryebashkiakë, në krye të të cilëve qëndronte kreu i Ministrisë së Arsimit të qeverisë turke, i cili pati si kryefjalë investimet shtesë në arsimin dhe kulturën turke, duke mos harruar edhe forcimin e të ashtuquajturit identitet fetar. Për pasojë, shqiptarët e Maqedonisë përballen me dy fenomene, diskriminim nga shteti maqedonas dhe tendenca për asimilim në emër të fesë dhe deformimit historik nga pala turke. Në këto rrethana ka vetëm një udhërrëfyes për t’i mbrojtur shqiptarët e Maqedonisë nga rreziqet: të riaktivizohet strategjia atdhetare, patriotike dhe largpamëse e Ernest Koliqit, i cili kontribuoi fuqishëm në arsimimin dhe kulturimin e hapësirave shqiptare. Në të kundërt, do të ballafaqohemi me deklarata të tipit si ai i kreut të bashkësisë islame në Maqedoni, “Turqia, krahu ynë i djathtë”, ku i mëshon fort identitetit fetar duke harruar më të rëndësishmen, se mbi të gjitha është identiteti kombëtar. Apo, çiftëzime partish, ku një subjekt politik i ri shqiptar ka shfaqur dëshirën e indoktrinimit me partinë e Kryeministrit Taip Erdogan. Mjafton kaq për të kuptuar sesa ngjitur është Turqia dhe sa lart ndodhet Shqipëria për bashkëkombësit tanë. Në këtë kontekst, strategët e riciklimit të neo-otomanizimit, të sigurt në efikasitetin e tyre te shqiptarët e Maqedonisë, e kanë hedhur shikimin edhe në Kosovë, qoftë përmes industrisë së telenovelave, qoftë përmes investimeve në arsim apo xhami. Kështu që deklarata irrituese, fyese dhe poshtëruese e ministrit të Arsimit turk, Omer Dincer, për rishkrimin e teksteve shkollore, që nënkupton rishkrimin e historisë, është si qershia mbi tortë e përurimit të strategjisë së neo-otomanizmit në hapësirat shqiptare në Ballkan. Si përfundim, sa më shumë të zgjasë agonia e elitave dhe mungesa e projekteve institucionale për bashkim vlerash mes shqiptarëve, aq më shumë merr krahë strategjia e serbëve, maqedonasve, grekëve e turqve për shkërmoqjen e identitetit tonë kombëtar dhe destabilizimin e kohezionit të brendshëm religjioz. Sipas të gjitha gjasave, agonia do të zgjasë. Hëm! Politika nuk ka kohë të tepërt të merret më çështje që nuk hyjnë në axhendën e prioriteteve të saj. Qëllimi dhe misioni i politikës tonë është pushteti dhe interesi financiar; ndërkaq, interesi kombëtar ndodhet në kapitujt e Kushtetutës… Ndërkohë, rreziqet hedhin shtat!

Gazeta "Panorama"

KOMENTE