English

SHBA: Si ka ndryshuar lufta kundër terrorizmit 10 vjet mbas 11 shtatorit 2001

Nju Jork, 1 shtator 2011, NOA - Komuniteti i shërbimeve sekrete amerikane ishte mes institucioneve amerikane që u trondit më rëndë nga ngjarja e 11 shtatorit të vitit 2001. Ishte puna e kësaj agjencie, për të diktuar dhe kapur aktet dhe sulmet ndaj interesave amerikane këtu në Shtete e Bashkuara dhe jashtë kufijve.

Kur aeroplanët goditën në 11 shtator.... Majkëll Hajden ishte në zyrën e tij si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit, krahu elektronik i shërbimeve sekrete të vendit i cili përgjon komunikimet.

Ai mori një thirrje urgjente nga drejtori i Agjencisë Qëndrore të Shërbimeve Sekretet, Xhorxh Tenet.

“Ne mund të dëgjonim një mesazh në formën e urimit që përhapej nga Al Kaida në të gjithë botën. I thashë Xhorxhit, “Nuk kam asgjë konkrete, por është e qartë se kush e ka bërë këtë akt”. Ne të gjithë e dinim. E dinim që ishte al Kaida”.

Por nëse ata e dinin, pse nuk e parandaluan këtë sulm? Zoti Hajden i cili zëvendësoi më pas zotin Tenet si drejtues i CIA-s, mendon se kjo erdhi nga “mungesa e imagjinatës”.

“Ne pamë që komploti po zhvillohej, ne shihnim shpeshtimin e komunikmit rreth tij, pamë përfshirjen e celulave të al-Kaidës në të. Por ne nuk patëm imagjinatën e duhur për të konceptuar se sulmi do të bëhej këtu”.

Komisioni i posaçëm i ngritur për 11 shtatorin analizoi dështimin e shërbimeve sekrete dhe arriti në përfundimin se agjenci të ndryshme të zbulimit kishin pjesë të ndryshme të informacionit, por askush nuk i lidhi ato në një të vetëm....

Ose, siç u pëlqen profesionistëve të kësaj fushe të thonë, ata nuk arritën të bashkonin pjesëzat për të krijuar një mozaik të tërë, sepse nuk shkëmbyen informacion mes tyre.

Duke vepruar në bazë të rekomandimeve të komisionit, Kongresi krijoi një post të ri në kabinetin qeveritar në vitin 2004 për të bashkërenduar të gjitha përpjekjet e shërbimeve sekrete amerikane; ky post quhet Drejtori i Shërbimit Inteligjent Kombëtar.

Denis Bler, i cili e mori këtë post nga viti 2009 deri në maj të vitit të kaluar, thotë se problemi nuk është informacioni i pakët, por informacioni i tepruar.

“Kishte kaq shumë informacion që qarkullonte sa personeli dhe teknologjia që kishim në funksionim, nuk ishte në gjendje që të përzgjidhte informacionin e saktë në gjithë atë mori informative”.

Kongresi krijoi gjithashtu edhe Qendrën Kombëtare të Antiterrorizmit, ose NCTC, ku përfaqësues nga CIA, FBI, NSA dhe të gjitha agjencitë qeveritare të shërbimeve të zbulimit, duhet të shkëmbejnë informacionet.

Majkëll Lajter ishte shefi i kësaj qendra nga viti 2007 deri në maj të këtij viti. Ai thotë se 10 vjet mbas 11 shtatorit të 2001 ende ka më tepër informacion se mund të analizohet, por kjo është më mirë se sa të kesh mungesë informimi.

“Nuk mund të dish që në fillim të punës kundër terrorizmit se cili është informacioni më i rëndësishëm. Ndaj informacioni i bollshëm është i nevojshëm. Duhen mjetet përkatëse për analizimin e tij, por përsëri ti nuk mund ta dish deri sa ndodh diçka, që dhe një informacion i vakët është vendimtar dhe i rëndësishëm”.

Disa analistë janë të mendimit se vrasja e Osama bin Ladenit në fillim të këtij viti dhe trysnia e vazhdueshme ndaj al Kaidës e ka çuar këtë rrjet në kufijtë e zhdukjes. Por ish drejtuesi i Qendrës Antiterroriste Lajter thotë se ndërsa al Kaida me bazë në Pakistan është në vështirësi, organizata të ngjashme me të po lulëzojnë.

“Organizata si al Kaida në gadishullin arabik, al Shabab, e cila është në linjën e al Kaidës në Somali, si dhe kërcënimi i grupeve vendore terroriste që frymëzohen nga ideologjia e al Kaidës, përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara apo perëndimin”.

Ish drejtori i Shërbimit inteligjet Kombëtar Bler thtoë se rreziku në Shtetet e Bashkuara sot janë komplotet e përmasave të vogla.

“Mendoj se sulme me akte të bashkërenduara njëkohësisht nga ekipe të ndryshme, ashtu siç ishte 11 shtatori, do të diktoheshin e do të ndaleshin përpara se të ndodhnin. Kërcënimi tani janë aktet e vogla me një apo dy persona, që paraqesin rrezikshmëri”.

Ish shefi i NCTC Majkëll Lajter thotë se Shtetet e Bashkuara kanë shënuar suksese të mëdha ndaj grupeve terrorriste që nga 11 shtatori, por 100% sukses nuk mund të garantohet.

“Komunitetit antiterrorist, pjesë e të cili isha edhe unë, punon me të gjitha mundësitë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, pra gjatë gjithë vitit. Por nuk ka rëndësi sa të përgatitur jemi ne, sa informacione shkëmbjemë, marrim e japim, nuk ka rëndësi nëse përmirësojmë teknologjinë, sa përmirësojmë aftësitë njohëse të kulturave apo gjuhëve të ndyshme, sërish gjërat kanë për të ndodhur”.

10 vjet mbas 11 shtatorit të vitit 2001, taktikat dhe strategjitë kanë ndryshuar, por agjentët e shërbimit të zbulimit mbeten të mbërthyer në një betejë të vazhdueshme me ekstremtistët e dhunshëm islamikë.

Marrë nga “Zëri i Amerikës”

KOMENTE