English

Ligji dhe Vasili

Nga Alfred Lela

Kur ndryshimet e fundit në qeveri, të llojit shpejt e shpejt e sa për sy e faqe, u bënë publike në fund të korrikut, të pakënaqurit, radikalët, opinionistët, mëtuesit, drejtpërdrejt të interesuarit i cilësuan: të vakëta. Ndër të tjera, u tha se shtatori mund të ishte muaji kur ndryshime të tjera më cilësore e më të shtrira do të vinin. U përmend gjithashtu fakti se një prej motiveve se pse ndryshimet e pritura në qeveri ishin kaq sipërfaqësore kishte të bënte me një proces të hapur gjyqësor ndaj ish-kryetarit të LSI-së, Ilir Meta.

Dhe ja ku jemi, vetëm dy ditë brenda një muaji të cilin Kasandrat politike e parashikuan si muaj lëvizjesh të mundshme brenda koalicionit qeverisës. Sinjali i parë ka ardhur dhe madje jo thjesht e shpërfillshëm, por me anë të një certifikimi ndërkombëtar. Banka Botërore ka dalë kundër një praktike të ministri të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Jane Armitage, drejtoresha kombëtare dhe koordinatorja rajonale për Europën Juglindore, Europën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, i ka dërguar ministrit të Financave, Ridvan Bode, më 9 gusht 2011, një letër ku vihen në pah shkelje në një tender për pajisjet spitalore. Letra është shoqëruar edhe me një “faturë” të lartë për arkën e shtetit, sistemin e shëndetësisë në vend dhe taksapaguesit, pasi BB ka anuluar financimin e projektit, duke tërhequr një shumë prej 1.1 milion dollarësh. Sipas Armitage, Komisioni i Vlerësimit në Ministrinë e Shëndetësisë skualifikoi firmën që ka bërë ofertën më të ulët dhe rekomandoi një kompani e cila bëri një ofertë 600 mijë dollarë më të lartë. Armitage thotë se me këtë veprim Komisioni i Vlerësimit të tenderit ka thyer rregulloren e Bankës Botërore.

Petrit Vasili, titullari i institucionit të shenjuar si fajtor nga Banka Botërore, reagoi dje duke mohuar përgjegjësinë dhe duke shtuar se kompania që përmend BB kishte dokumentacion të rremë. Vasili fajësoi Bankën Botërore duke u shprehur se institucioni financiar këmbënguli që fitues të shpallej “një firmë e caktuar”.

Panorama është kjo dhe konkluzioni njëjtësohet pavarësisht se dy palë ofrojnë dy kënde të ndryshme. Reagimit të brendshëm, kritikave të eksponentëve të LSI-së ndaj ministrit Vasili përgjatë muajit gusht (koha e kritizerëve përkon me 9 gushtin, datën kur Armitage i ka nisur letrën ministrit Bode) i shtohet edhe reagimi i jashtëm. Kemi kështu njëfarë certifikim të “dëmit”. Nga një kënd tjetër analize, sigurisht mund të merren parasysh edhe shtysat që vijnë nga lufta e brendshme në LSI apo më gjerë brenda mazhorancës, por në rastin në fjalë, ku ministri Vasili, fatkeqësisht për të, është gjendur përballë një Uragani Jane, prioriteti nuk është ky.

Nëse në fundkorrik u fol për ndryshime të vakëta në qeveri, shtatori hap rrugën për lëvizje që do të nxirrnin nga letargjia jo vetëm kabinetin, por edhe platformën. Një prej kuajve të garës së kryeministrit Berisha, në fillim e në vazhdim, ka qenë lufta kundër korrupsionit. Nëse Banka Botërore ka një dosje të qepur mirë sa i takon “rastit Vasili”, shqiptarët nuk kanë pse presin që “dënimi”, bashkë me notat e ironisë, të vijë pas pak vitesh përmes Wikileaks.

Gazeta “Mapo”

KOMENTE