English

James Berisha, pritet dalja nga burgu në Eritrea

Prishtinë, 3 shtator 2011 NOA/ Rid Bulku – James Berisha, gjendet aktualisht në Eritrea, në një prej institucioneve të paraburgimit të këtij shteti. Ai është ndaluar nga autoritetet eritreane duke u akuzuar se ka shkelur në mënyrë të parregullt hapësirën ajrore të këtij shteti.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, duke konfirmuar lajmin, tha se nga informacionet e deritashme, gjendja shëndetësore e z. Berisha është e mirë dhe se ai po trajtohet në mënyrë korrekte nga ana e autoriteteve në Eritrea, citon burime zyrtare të MPJ, korrespondenti i agjencisë NOA në Prishtinë.

Pas kontakteve me shërbimet diplomatike të shteteve partnere, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë informacionin se piloti shqiptaro-amerikan pritet të lirohet nga paraburgimi dhe të rikthehet në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është duke punuar intensivisht për lirimin sa më të shpejtë të James Berishës, në mënyrë që ai t’i kthehet familjes, bashkëpunëtorëve dhe misionit të tij shumë të çmuar lobues për njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë.

Me këtë rast, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paraqitur një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës dhe atë të Arabisë Saudite, të cilat kanë relacione të mira me Eritrean, me qëllim që të ndihmojnë në lirimin sa më të shpejtë të z. Berisha nga izolimi.

Piloti James Berisha, kishte kontaktuar për herë të fundit me bashkëpunëtorët e tij në kuadër të Misionit “Flying for Kosovo”, ditën e hënë më 15 gusht nga Asmara, Eritrea.

Sipas pjesëtarëve të ekipit të tij, plani i Berishës ka qenë që të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Eritrea dhe të mërkurën, më datë 17 gusht të kthehej në Sudan.

Por që nga 16 gushti, pra prej 18 ditësh, James Berisha gjendet në paraburgim. Autoritetet nuk konfirmojnë nëse do të ketë dalje në gjyq të Berishës. Nëse do të kishte përballje gjyqësore me akuzat e ngritura, James Berisha mund të dënohej me gjobë deri në burgim për një afat të shkurtër, sipas rregullave të shtetit të vogël të Eritresë.

r.b/e.t/NOA

KOMENTE