English

Rama me editorial për Wikileaks: Gërdeci, Shqipëria, Amerika

Mbi të gjitha, këto rrjedhje shqiptarëve duhet t’u vlejnë për të parë sesa thellë e nga afër e ndjek Amerika rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë, punën e qeverive shqiptare për ndërtimin e shtetit, funksionimin e institucioneve në Shqipëri

Nga Edi Rama

Rrjedhjet e kabllove informatike që në Shqipëri, s’ka si të jetë ndryshe, shihen si arteriet që lidhin zemrën e botës e të demokracisë perëndimore me vendin tonë dhe, krejt natyrshëm, i kanë përfshirë shqiptarët në emocionet e qëmtimit të brendisë së tyre. Për të parë e kuptuar duke e vënë veten nga ana e retinës së syve të Amerikës mbi ne çdo gjë që Amerika sheh tek ne. Askund tjetër ky ushtrim botëror vuajerizmi s’ka ngjallur e s’ka sesi ngjall një të këtillë pasion popullor. Ky është vendi më proamerikan i botës jo ngaqë qeveritë kanë vendosur të jetë kështu, po sepse vetë shqiptarët, konsensualisht, janë të dhënë pas Amerikës më shumë se çdo popull tjetër sot. Historia e ka sjellë në këtë mënyrë lidhjen tonë me Amerikën deri ditën e rivendosjes së komunikimit me të pas gjysmëshekulli diktaturë komuniste, dhe Amerika s’e ka përgënjeshtuar asnjëherë historinë duke bërë për Shqipërinë e shqiptarët gjëra të mëdha, të paimagjinueshme para rivendosjes së komunikimit.

Po besoj se, mbi të gjitha, këto rrjedhje shqiptarëve duhet t’u vlejnë për të parë sesa thellë e nga afër e ndjek Amerika rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë, punën e qeverive shqiptare për ndërtimin e shtetit, funksionimin e institucioneve në Shqipëri.

Me çfarë vëmendje mban shënim çdo detaj, çdo informacion a opinion, se si kryqëzon pikëpamje e të dhëna për të krijuar idenë e duhur për gjithshka lidhet me problematikën e funksionimit të shtetit e mosmbarëvajtjen e jetës politike. Eshtë padyshim vëmendja e vendit lider të punëve të demokracisë kudo në botë dhe të luftës kundër forcave që i kundërvihen demokracisë, lirive e të drejtave njerëzore anembanë botës. Por është në rastin tonë edhe vëmendja ndaj një vendi mik, një aleati shumë të vogël po aspak të parëndësishëm, sidomos për fatet e rajonit, një populli të cilin Amerika e rendit me plot të drejtë ndër besnikët e vet dhe përpiqet ta ndihmojë në rrugëtimin e vështirë pas daljes nga humnera e diktaturës. Pavarësisht se ç’ngjyrë kanë qeveritë e tij dhe kush i kryeson ato. Aq më tepër kur këtu s’ka, s’ka pasur ndonjëherë pas vitit ’90 ndarje për destinacionin euroatllantik të Shqipërisë, po vetëm për rrugën e shkuarjes në destinacion, gjatë të cilës ndërtimi i një demokracie funksionale dhe mirëqenieje shoqërore ka hasur dhe has, sot më shumë se asnjëherë, pengesa të mëdha nga pushteti politik.

Në këtë rrugëtim Amerika kërkon të dijë gjithshka, të kuptojë çdo gjë, të ketë një këndvështrim të vetin mbi këdo që shqiptarët zgjedhin si përfaqësues. Por, pa thënë asgjë të re deri këtu, dua të shtoj më tutje disa fjalë lidhur me diçka tjetër. E cila lidhet me komentet e rrjedhjeve prej kabllove informatike vetëm si shtysë, por ka të bëjë me llumin e pushtetit që ka mbytur shtetin për të mbajtur peng të vërtetat që i dinë të gjithë. S’kam koment për dëshminë e publikuar të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, frikacakëri që të le pa fjalë. Kam vetëm një pyetje për ta bërë publikisht për Presidentin e Republikës dhe Prokuroren e Përgjithshme: Cfarë e justifikon katandisjen e katrahurës vrastare të Gërdecit në një proçes tallës për dinjitetin e çdo qytetari të këtij vendi?

E di që shumëkush do hidhet përpjetë duke e lexuar këtë pyetje e do më kujtojë rrahjen time të shpatullave të Saliut në derën e spitalit atë ditë, por askush s’duhet të harrojë se atë ditë kishte vetëm vdekje, plagë e tym të zi. Askush përveç krijuesve të fabrikës së vdekjes e vetë Saliut s’dinte gjë në botë për çka mësuam më vonë. Shumë më vonë edhe se kapërcimi i pragut të NATO-s pak javë më pas, kur Shqipëria, asnjë parti në Shqipëri, s’mund të zhytej në spiralen e një krize të brendshme politike, duke harruar për më tepër se Amerika, avokati ynë i madh që na hapi derën e NATO-s dhe u bë garanti ynë më i vendosur para gjithë familjes euroatllantike, na priste në atë prag. E në fund të fundit s’qe assesi hedhja e valles së vdekjes mes partive politike, po drejtësia ajo që duhet të ndriçonte rrugën e së vërtetës, duke e hedhur vallen siç i’a kërkon Kushtetuta e ligji e jo siç diktojnë frikërat njerëzore e çfarëdo interesash vetjake kur vetë puna e drejtësisë e ka të nënkuptuar lënien mënjanë të tyre.

Dhe kur drita e hetimeve, sa të prokurorisë e sa të guximtarëve të mbetur në ishullin e rrethuar të medias së lirë, vajti e ra mbi derën e Saliut, siç ndodh tashmë rëndom në Shqipëri drejtësia humbi në drejtim të paditur dhe kjo histori mbeti në llucën e banalizimit të çdo problemi të vendit ku kacafyten qeveria me opozitën. Politikë hesapi me një fjalë, ca thonë kështu e ca ashtu, të gjithë njësoj janë, si ata që vranë e si ata që thanë, madje më keq akoma se edhe ata që thanë kanë vrarë kur ishin në pushtet qëmoti dhe nëse jo vetë kanë vrarë me dorën e të parëve të tyre, kurse këta që vranë u’a thanë të gjitha derisa i shporrën nga pushteti, iku edhe kjo, kështu e ka kjo punë!

Kështu e pat edhe puna e tunelit të Kalimashit që ra pikërisht për arsyet që u morën vesh më pas e po njësoj u thanë të gjitha nga opozita, papushim. Derisa mbetën edhe ato në llucën e banalizimit të debatit me patriotë e renegatë, me dashnorë të ethshëm të flamurit të kombit e me filogrekë të betuar kundër kombit, me ca që rropën si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi buxhetin e shtetit e ca që digjeshin nga zilia teksa vidhnin taksat e qytetarëve të Tiranës. Politikë hesapi shkurt muhabeti, kështu e kanë këta ca i bien gozhdës e ca patkoit, fjalët i merr era kurse rruga mbetet, përpara në vjedhje të reja e zgjedhje të vjedhura nga e para, derisa askush në këmbë përballë të mos mbetet.

Kështu e pat edhe puna e 21 janarit, ku u mor vesh shumë shpejt kush u vra e kush qëlloi, kush u burgos e kush shpëtoi, kush u thirr në pyetje e kush s’dëgjoi të pyetej ose s’u thirr fare, derisa mbetën të gjitha në llucën e banalizimit të debatit me horra e lavire e me protestues për votën e për bukën e gojës, me stilolapsa pistoletë e çadra pushkë dhe me mijëra gëzhoja armësh zjarri në bulevard e kriminelë të veshur për atë ditë në gardë, me ca që urdhëruan zjarr mbi popullin e dolën matanë e ca që donin të merrnin pushtetin me puç për të kthyer diktaturën e etërve. Politikë hesapi dihet muhabeti, kështu e ka Shqipëria bjeri kokës se këta e kanë tepruar po edhe ata s’durohen, le të bëjnë ç’të dun ne t’shofim punën tone se edhe ata edhe ata i kan bo paret e tyne.

Kështu e kanë patur në fakt të gjitha punët e zeza të qeverisë së Saliut, nga këto të mëdhatë bum-bum-bum, tek të tjerat me rradhë, nga miniera e Bulqizës e deri në spitalet e Shqipërisë, nga labirinthet e Ministrisë së Ekonomisë tek ato të Ministrisë së Ushtrisë, në APP, në AKKP, KQZ, në NNN, me zë me figurë me shkresa me dëshmitarë me para,

badjava, nëntokë e mbitokë, me fjalime, me investigime, me denoncime, me hetime… Me të gjitha derisa lluca e banalizimit të debatit i ka përpirë duke lënë Saliun aty ku është dhe zhytur thellë e më thellë Shqipërinë megjithë shtetin e saj në llumin që mban peng të frikës shqiptarë të paguar nga populli për të folur.

Pyetja ime për Presidentin e Republikës dhe Prokuroren e Përgjithshme nuk fajëson as njërin as tjetrin prej tyre, Sepse jo vetëm as njëri as tjetra nuk kanë detyrë të dënojnë askënd, kjo është punë e gjykatave që kanë mbetur në dorën e Sashenkës e të Tomës dhe s’ia vlen as harxhimi i letrës jo më fjalës për të shkruar ndonjë pyetje për gjykatësit e Gërdecit, Kalimashit a 21 janarit e me rradhë, po edhe njëri edhe tjetra me të tyren kanë bërë sa kanë mundur. Problemi është se këto të gjitha janë krime që s’duan debat po ndëshkim dhe kur ndëshkimin e zëvendëson debati mes qeverisë e opozitës, ndërkohë që gjykatat qetësisht zbardhin vendime që i pushojnë çështjet si jashtë afatit, si me mangësi teknike në dosje, si me ku di unë çfarë marifeti tjetër, atëherë s’janë vetëm pesë gazetarë të mbetur si specie në zhdukje që duhet të hapin gojën. Edhe këta xhanëm nuk se i kursen lluca e banalizimit të debatit, përkundrazi i kanë njehsuar me opozitën paçka se as opozitën s’e kursejnë kur u’a do puna e tyre.

Për këto krime popullit i duhet të paktën të mësojë me fjalë nga ata që kanë mbetur ende pa u kapur në krye të institucioneve që lidhen me drejtësinë se çfarë ka përtej llucës së banalizimit të debatit të këtyre me ata, kur vritet, vidhet, rrihet e s’kupton dot megjithatë se ç’bëhet. Teksa Amerika, fari i demokracisë e i shpresës së gjithë shqiptarëve, sheh e shënon me kujdes gjithshka, askush s’ia hedh dot për asgjë, por punon me këdo që populli vendos apo lejon të qëndrojë në krye të tij. Sepse mbështet popullin shqiptar jo një palë a tjetrën në debat, duke dëshiruar, ndihmuar e pritur që askush, me cilëndo palë qoftë i rreshtuar, të mos i shpëtojë dritës së hetimit dhe ndëshkimit për çdo gjë që hetimi provon si të fajshme. Të madhe a të vogël, për peshq të rëndë a cironka të rastit, djathtas a majtas pa dallim, për bëma të vjetra a gjëma të reja. Kjo është Amerika, kjo duhet të jetë Shqipëria për Amerikën dhe për popullin shqiptar.

KOMENTE
  • Lad Mazrreku22:23 - 03 Shtator 2011
    kjo shprehja njeri i bien thumit e tjetri patkoit me pelqen shume por nuk po kuptojme se cilla force politike ne shqiperi po i bie thumit dhe cilla patkoit sepse kje thenie e vjeter nuk nenkupton se i njete i bie thumit dhe prap i njejti patkoit(PD thumit dhePS patkoit apo e kundra) jam shume kryjoz ta mesoj kete gje dhe besoj se nuk duhet te perdorim fjale te vjetra popullore pa e dite kuptimin e tyre faleminderit per mirekuptimin