English

Shqipëri – Honduras, presidentët: Bashkëpunim për Kosovën

Tiranë, 4 shtator 2011, NOA - Presidenti i Republikës së Hondurasit mbërriti sot në Tiranë për një vizitë 8-orëshe. Kreu i shtetit të Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa vjen nga Prishtina, ndërkohë që në Shqipëri do të takohet me autoritetet më të larta shtetërore. Sosa mbërriti në aeroportin e Rinasit mëngjesin e sotëm dhe më pas u prit nga homologu shqiptar, Bamir Topi. Në një konference të përbashkët për shtyp pas takimit me dyer të mbyllura, Presidenti Topi dhe homologu i tij shprehën angazhimin për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve i cili së shpejti do pasohet me hapjen e konsullatave reciproke në të dy vendet.

"Ngritja e konsulltave të nderit në të dy vendet do të ishte një hap i parë për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit", tha Topi, i cili informoi mediat se bashkëpunimi ekonomik ishte një ndër çështet kyçe të bisedës me z. Sosa, sikurse dhe bashkëpunimi kulturor dhe ai në fushën e turizmit ishin në vëmendje të të dy palëve. Në emër të shtetit të Shqipërisë, Topi i shprehu mirënjohjen homologut nga Hondurasi për angazhimin e tij për njohjen e shtetit të Kosovës. Nga ana e tij, Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa tha se do të angazhohej për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. "Kemi patur mundësinë të admirojmë dinamiken e shpejtë të zhvillimeve politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe për këtë ju përgëzojmë", u shpreh Sosa. Duke e konsideruar si një të drejtë legjitime, të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar në liri, pavarësi dhe sovranitet, Sosa deklaroi se në takimin e ardhshëm të vendeve të Amerikës Qendrore do të kërkohet çështja e njohjes së shtetit të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të AM-së.

Në këtë drejtim, Presidenti Topi shtoi se institucionet e qeverisë shqiptare kanë një metodologji të qartë të lobimit në të gjitha takimet e tyre bilaterale dhe multilaterale për njohje e shtetit të Kosovës. "Në takimin me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç i shpreha ketij të fundit shqetësimin se nuk ka asnjë lloj sensi që të shmanget Kosova nga dialogu politik rajonal, nga shkëmbimet dhe të gjitha ato tema të rëndësishme rajonale", tha Presidenti Topi. a.q/NOA

KOMENTE