English

Berisha: Do nxisim biznesin për të amortizuar krizën e borxheve

Tiranë, 6 shtator 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se qeveria po e sheh me shqetësim krizën e borxheve që ka përfshirë Evropën dhe se për të amortizuar krizën do të nxisë biznesin të investojë për zhvillimin e ekonomisë. Gjatë pjesëmarrjes në çeljen e Panairit të parë Ndërkombëtar të Ndërtimit “RealEX 2011”, shefi i qeverisë theksoi se “Sot jemi prapë në një moment të veçantë, nga kriza e flluskave financiare u kalua në krizën e borxheve. Kriza e borxheve është një krizë më e thellë, jo se është më e madhe në përmasa, por se përmasat e sektorit publik janë minorene krahasuar me gjigandizmin e sektorit privat”, tha kryeministri. Për këtë, kreu i ekzekutivit u premtoi organizatorëve të panairit se është e domosdoshme që qeveria shqiptare, të bëjë gjithçka për të nxitur biznesin. “Ne mendojmë dhe besojmë se nuk ka asnjë rrugë tjetër më të sigurt për të amortizuar pasojat e kësaj krize të thellë, e cila do të jetë me e zgjatur se ajo e flluskave financiare, se ajo e derivateve. Të mos harrojmë se borxhet të cilat i japin tani pasojat, janë rezultante e dekadave, janë një skalkulim i dekadave dhe do të duhen pak vite që të kapërcehen”, tha ai. Më tej zoti Berisha i siguroi se qeveria do të përpiqet çdo ditë të vendosë kuadrin më të favorshëm ligjor për biznesin. “Ne po mendojmë të krijojmë me shpejtësi portalin zyrtar në shërbim të bizneseve, që do të thotë të nxjerrim në dritën e diellit të gjithë plogështinë e burokracisë, të vendosim sistemin në të cilin ju të ndiqni çdo dokument që dorëzoni në zyrat e shtetit, në zyrat e administratës, se kush e lejon e kush e pengon atë, në mënyrë që administrata të bëhet më e përgjegjshme ndaj çdo lloj qëndrimi që duhet të mbajë ndaj kërkesave tuaja”, nënvizoi kryeministri. Ai nuk la mënjanë pa përmendur se Qeveria shqiptare, gjatë këtyre viteve ia doli të vendosë në Shqipëri regjimin fiskal më të ulët, sektorin publik me përmasa më të vogla, gjysmën e sektorit publik të Maqedonisë, të dyfishojë të ardhurat buxhetore dhe të krijojë të gjitha mundësitë për të investuar në infrastrukturë. Sipas tij në vitet 2008-2009 ky vend ka investuar vetëm në rrugë 10 për qind të PBB-së. Kryeministri tha se këta faktorë bënë që modeli ekonomik i qeverisë shqiptare të jetë një model i suksesshëm. Këtu ai përmendi krijimin e një sporteli të vetëm për regjistrimin e biznesit, sporteli për licencat e lejet, ku do të punohet me intensitet për krijimin e regjistrit të tokës, krijimin e portalit, ku biznesmenët të monitorojnë çdo hallkë, nëpër të cilën kalon dokumenti apo kërkesa me synimin për të shkurtuar sa më shumë kohë. Në panairin ndërkombëtar të ndërtimit i çelur në Pallatin e Kongreseve ekspozojnë produktet e tyre në tregun shqiptar më shumë se 60 kompani vendase dhe ndërkombëtare që merren me ndërtim apo me prodhimin dhe tregtimin e materialeve të ndërtimit. mit/NOA

Në foto: Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit

KOMENTE