English

METE, nis revokimi i lejeve minerare për 55 kompani

Tiranë, 6 shtator 2011, NOA - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi sot nisjen e procedurave për revokimin e lejeve minerare për 55 shoqëri që janë të pajisura me leje minerare në vendin tonë. Vendimi i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, erdhi pas kontrolleve të vazhdueshme që janë zhvilluar mbi subjektet minerare nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, nga të cilat ka rezultuar se një numër i caktuar shoqërish që janë të pajisura me leje minerare nuk përmbushin detyrimet ligjore për sektorin minerar. Kontrollet e kryera kanë verifikuar se shumë prej subjekteve minerare për të cilat kanë nisur procedurat e revokimit të lejeve minerare nuk kanë punuar dhe nuk punojnë, si dhe nuk kanë paraqitur programin vjetor të aktivitetit për vitin 2011, si dhe për vitet paraardhëse. Për këtë arsye, sipas propozimeve të AKBN-së, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nisur procedurat për revokimin e lejeve minerare për 55 shoqëri, të cilat janë njoftuar për një vendim të tillë. Brenda një periudhë 30 ditore nga marrja e këtij njoftimi, ministri vendos për revokimin e lejes minerare. a.q/NOA

KOMENTE