Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shuhet profesor Hamit Beqja
English

Shuhet profesor Hamit Beqja

Tiranë, 6 Shtator 2011 NOA/ Rid Bulku - Është ndarë nga jeta profesor Hamit Beqja, një ndër emrat e rëndësishëm të zhvillimit akademik të vendit. Sociologu që gjithë jetën ia kushtoi studimit të shoqërisë dhe publikoi një sërë veprash profesionale, u nderua sot me homazhe dhe u përcoll në banesën e fundit duke lënë pas kujtimin e një karriere shumë të gjatë studimore. Për veprimtarinë shkencore e botuese, Hamit Beqja, në vitin 1970 ka marrë titullin “Profesor”, në vitin 1984 i është dhënë titulli “Mësues i Popullit”, në vitet ‘80-të ka fituar dy çmime të Republikës dhe në vitin 1988 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Nga ky vit ai mban titullin “Akademik”. Asambleja e Institutit të Sociologjisë, më 21 nëntor 2006 e ka zgjedhur Kryetar Nderi të tij. Hamit Beqja ka studiuar për psikologji e pedagogji në Institutin Pedagogjik të Moskës, në periudhën 1949 – 1953 dhe për rreth 40 vjet, duke filluar nga viti 1954 e deri sa doli në pension, më 1993, ai ka qenë pedagog, kryesisht në Universitetin e Tiranës. Për më shumë se ½ shekulli është marrë krijimtari socio-psikologjike e socio-pedagogjike. Ka botuar mbi dyzet libra të shkencave sociale dhe rreth 500 artikuj në gazeta për arsimin, historinë, kulturën, pedagogjinë, psikologjinë (sidomos atë sociale edhe etnike), sociologjinë (sidomos atë të kulturës e të edukatës) etj. Veprimtarinë shkencore e botuese ai e ka shtjelluar në librin “Gjurmë jetë, shkrime autobiografike (2004), ideja qendrore e të cilit është vetjakësia e spikatur dhe e ndërlikuar e jetës së tij. Ndër botimet e tij përmendim: Psikologjia (1959, 1963, 1965); Historia e pedagogjisë (1965); 1965); Rreth disa kontradiktave në metodat e mësimit dhe të edukimit (1970); Mbi karakterin kombëtar të edukatës” (1979); “Rreth edukatës qytetare” (1981); “Teoria dhe metodika e edukatës” (1985); “Si sillemi, ç’zakone ndjekim?” (Rreth edukatës qytetare, 1986); “Kë edukojmë, si edukojmë? (Bashkëbisedime për edukatën, 1987); “Edukata me syrin e popullit” (1988); “Për rininë dhe me rininë” (1991); “Edhe engjëlli, edhe djalli janë brenda tek i gjalli” (1995); “Dashuria, seksi, studentët e mi” (1999); “Periudha e tranzicionit demokratik dhe psikologjia e shqiptarëve” (2001); “Divorci – vrojtime dhe refleksione (bashkautor me dr. Lekë Sokoli, 2001); “Përgjigje letrave rinore” (2001) etj. Më poshtë ndiqni një ndër intervistat e fundit të z.Beqja Ja pse më thërrasin "miku i grave" Pedagogu dhe psikologu i njohur shqiptar rrëfen përpjekjen e tij për të shkruar një libër autobiografik ku dyzohet njeriu në shërbim të regjimit dhe profesori me prirje demokratike dhe liberale Nga Brikena Demiras Në kafenenë e preferuar, shumë afër shtëpisë së tij, të gjithë e përshëndesin me respekt dhe me një mirësjellje të çiltër. Edhe pse në moshë të thyer, Profesor Hamit Beqja, nuk rresht së shkruari. Studiuesi, psikologu dhe pedagogu i njohur, sociologu dhe kulturologu ka botuar deri tani mbi 40 libra, ka shkruar qindra artikuj gazetash dhe revistash, që llogariten ndoshta në mijëra faqe. Sigurisht, kjo është një prodhimtari që ka zgjatur gjithë jetën e tij. Ai e ka filluar jetën e studiuesit, të pedagogut e të publicistit që në vitin 1953, pra po mbushen gati-gati 50 vjet. Po për këto gjëra kanë shkruar shumë, janë bërë edhe emisione televizive të panumërta dhe publiku është njohur me disa nga këto ngjarje. Ne u interesuam të tërhiqnim një mendim pak më të veçantë. - Në qoftë se nuk gabohem, ju jeni i njohur si "miku i grave". A është e vërtetë kjo? - Po, është e vërtetë. - Si ka ndodhur? - Kjo punë ka një farë historie. Një ditë prej ditësh ka ardhur tek unë një gazetar për të më intervistuar mbi një çështje dhe ai kërkonte me çdo kusht një gjë të cilën unë nuk doja me e dhënë. Nuk ramë dakort, por duke bërë muhabet dolëm te tema e femrës dhe gruas, aty ku unë u kandisa të jap një intervistë, që doli me titullin "Profesor Hamit Beqja, miku i grave". Ai e botoi intervistën dhe megjithëse mua më kishte dalë zëri më parë që jam "miku i grave", mbas intervistës ky zë, publikisht, me shkrim e me gojë u hap edhe më shumë se duhet dhe filluan ta përdornin edhe të tjerë. - A i përgjigjet të vërtetës ky përcaktim? - Këtë s'mund të them unë, por të tjerët, lexuesit, miqtë e mi, studiuesit, miqtë dhe kolegët e mi, por unë mendoj se kjo është anë e së vërtetës. Unë gjithë jetën time jam interesuar për këtë temë, kam shkruar për këtë temë dhe kam luftuar për emancipimin dhe dinjitetin e femrës dhe të gruas. - Profesor, nëse nuk gabohem ju keni shkruar edhe një libër për këtë temë? - Po, e kam shkruar një libër. Ai quhet "Gruaja, kjo qënie e shenjtë". - Tingëllon pak si shumë e fortë... - Është tamam ajo që duhet. - Psë është qënie "e shenjtë", gruaja për ju? - Ajo është bartëse dhe përcjellëse e jetës njerëzore. "Shenjtëria" e saj qëndron në atë që ajo është përfaqësuese e e përcjelljes së jetës njerëzore dhe është ajo që e mban gjallë jetën njerëzore. "Gruaja, nëna,- siç është shprehur artisti kosovar, Bekim Fehmiu,- nuk është një njeri, është më shumë se njeri, është dy a mbase më shumë njerëz". Pra, ky është misioni më i madh i gruas dhe nuk ka vlerë më të madhe njerëzore seç ka gruaja, prandaj është edhe shumë superiore ndaj mashkullit në këtë drejtim. Ajo është superiore, sepse kështu e bën atë misioni i amësisë, ai e socializon dhe humanizon jashtë mase. Gruaja është edhe nënë, bashkëshorte, mike, shoqe, gjithçka. Gruaja është edhe amvisë, nikoqire, asistente mjekësore për fëmijët, për burrin, për pleqtë, për vëllezërit, motrat. Mos u çudisni që gruaja është edhe administratore, jo vetëm e ekonomisë shtëpiake, por edhe e seksit dhe dashurisë. Ajo ia jep ngjyrën e bukur jetës seksuale dhe dashurore. Në këtë vështrim ajo mund të mos jetë më e fortë se burri, por është më fisnike, më e hollë, më e brishtë, ndjenjat e saj janë të holla, por të pakufishme. Janë të gjitha këto arsyet që mua më kanë shtyrë ta bëj këtë libër edhe të shprehem me konsideratat më të larta që mund të mendohen për femrën. - Profesor, ju keni shkruar edhe një libër që titullohet "Edhe ëngjëlli, edhe djalli, janë brenda te i gjalli". Po gruaja nuk hyn në këtë përcaktim? - Po edhe gruaja ka vendin e vet, por jo sa burri. Në qoftë se burri qëllon djall, gruaja mund të jetë pak djallushkë. Ajo mund të jetë pak zevzeke, ka një tendencë për t'u zënë, nga ngarkesa e madhe, sidomos me njerëzit e afërt, me burrin, ka edhe një tendencë për t'iu rënë në qafë më shumë se sa duhet fëmijëve, kur nuk është shumë humane. Në këtë drejtim i ka edhe ajo disa të meta, por nuk e ulin vlerën e madhe të figurës së saj. Unë mbetem me atë që kam thënë, që kam shkruar në libër dhe e përsëris. Të gjithë ata që më kundërshtojnë unë i dëgjoj me vëmendje, por gjithmonë iu kthehem me mendimin që gruaja është një qënie "e shenjtë". - Përderisa e quani gruan qënie "të shenjtë", jeni edhe fetar, apo jo? - Jam ateist, por kjo nuk më pengon ta quaj gruan qënie "të shenjtë". - Opinioni publik si i pret këto mendime? - Ka që i presin në mënyra nga më të ndryshmet. Ka shumë që e kuptojnë drejt këtë çështje, të tjerë e kanë të vështirë ta kuptojnë, të tjerë e kuptojnë, por kanë rezerva, ka disa të tjerë që janë pak "malokë" dhe nuk e kuptojnë fare. S'mund ta marrin me mend që gruaja qenka "e shenjtë" dhe burri qenka dokushdo. Burrin e quajnë më superior, por kjo është puna e tyre. - Mbas këtij libri, çfarë keni shkruar dhe keni botuar? - Kohët e fundit ka dalë një libër i imi, që quhet "Galeria dhe Platea" dhe është një përmbledhje shkrimesh të viteve '88 -'89 e nga '90 e këtej. Është si një libër kapërcyell që në mënyrën time përmbledh dy epokat, sepse ka shkrime edhe para fillimit të publikuar të demokracisë, edhe të periudhës së demokracisë. Unë që nga '90 e këtej kam botuar 10 libra. Jam munduar që të adaptohem, të shikoj me sy kritik mendimet, ta shikoj demokracinë si diçka në zhvillim, të bëhem edhe unë një luftëtar për progresin. - Tani çfarë jeni duke shkruar, profesor? - Po unë nuk rri rehat. Kur para disa kohësh u bë promovimi i njëkohshëm i pesë librave të mi, në Akademinë e Shkencave, një shok i ngushtë më tha: "Boll, ke shkruar, mos na shkruaj më se na mërzite". Unë i thashë: "Po kjo e shkruajtura sikur është sëmundje, mor burrë!". Ai ishte mjek dhe e kuptonte këtë. I thashë: "Pa shkruar nuk mund të rri dhe do të vazhdoj të shkruaj". Unë tani po shkruaj ose më mirë e kam hedhur një libër të ri. Librin tani për tani e kam quajtur "Gjurmë jete" dhe në parantezë, "Shënime autobiografike". Nuk rrekem ta quaj autobiografi të mirëfilltë, por shënime autobiografike. Nuk di a do ta botoj a jo këtë libër, akoma s'e kam vendosur, sepse nuk ka vlerë të botosh një autobiografi. Ta bësh këtë duhet të kesh çfarë t'u mësosh të tjerëve, çfarë t'u thuash atyre, duhet të jetë mësimdhënëse autobiografia jote, sepse ajo duhet të jetë e ngarkuar me problematika. - Çfarë vështirësie keni atëherë që ta botoni këtë autobiografi? - Vështirësia ime qëndron në atë që unë jam në dyzim, në një proces dyzimi. Tema themelore e autobiografisë sime është kjo: "Një njeri në shërbim të regjimit dhe një profesor me prirje demokratike dhe liberale". Fati i jetës sime ka diçka të veçantë. Gjithë jetën time kam qenë në shërbim të regjimit, por të tjerët thonë se kam qenë edhe një profesor me prirje demokratike dhe liberale. Ndoshta është zor t'i bashkosh këto të dyja, unë e di, por në librin tim unë mundohem të vërtetoj se te unë kanë qenë këto dy cilësi të bashkuara, sigurisht me kontradikta, me vështirësi, me dilema, me përpjekje, me suksese, me disfata. Pra ky është një libër vrojtimi kritik dhe autokritik i të gjithë jetës sime, ky është një farë katarsis, që përpiqem të bëj për të gjithë veprimtarinë dhe jetën time. - Mendoni se ia keni arritur qëllimit tuaj? - Sa e kam bërë dhe si e kam bërë nuk mund ta gjykoj unë. Unë jam i sinqertë dhe këtë do ta gjykojë publiku, lexuesit, nëqoftëse unë do ta botoj dhe besoj se do të më kuptojnë. Libri im ka edhe një të veçantë se nuk është bazuar shumë në dokumentacion, por në meditime dhe në kujtime. Sigurisht në libër unë flas edhe për kontakte të miat me personalitete të larta shtetërore, kulturore, se ashtu ka qenë jeta ime, flas për librat e mi, shkrimet e mia, për mangësitë e mia, ndonjë sukses të tyre. Ka qenë një punë e vështirë, një sforcim, megjithatë jam munduar të lëvroj edhe fushat e sociologjisë, psikologjisë, kulturologjisë, pedagogjisë. - Pas, botimit, nëse e botoni këtë libër, si mendoni do të pritet? - Kur të botohet ky libër, njerëzit do të më gjykojnë dhe shumë prej tyre do të thonë: "Pse e botoi Hamiti këtë libër? Ç'ju desh atij të bëjë autokritikë, të bëjë gjithë këtë katarsis?". Se unë nuk di të jetë bërë më parë katarsis në këtë nivel. Jo se nuk është bërë, por këtu katarsisi është goxha. Autokritika dhe shikimi kritik këtu nuk është nihilist, unë nuk e mohoj të kaluarën dhe nuk jam fare i penduar që kam bërë autokritikë dhe katarsis. - Çfarë mendoni se do t'i sjellë të re ky libër i juaji autobiografik? - Një lexuesi pak të kualifikuar, do t'i tregojë se si ka kaluar jetën një njeri që ka pasur ndërlikime gjatë jetës, edhe dilema, edhe vështirësi, ndeshje, përplasje. Unë mendoj se kam luajtur rolin e një moderatori, një amortizatori, sepse kam pasur të bëj me punëra që kanë pasur rëndësinë e vet; gjykoja për të drejta studimi, bursa, gjykoja për arsimtarë, për transferimet e tyre dhe për vendosjen e tyre në punë, për revolucionizimin e shkollës, etj. Të kishe punë me Mehmet Shehun dhe me Enver Hoxhën nuk ishte e lehtë. Kështu që njerëzit mund të shikojnë se si mund të kalojë një jetë aktive, nëpërmjet dallgëve të saj.

KOMENTE
  • Arben Presheva23:11 - 06 Shtator 2011
    kam pasur dhe do kem respekt per prefesor Hamit Beqja qe i ka dhene aq shume popullit Shqiptar sa nuk do harohet nga bashkekomsit e tij asnjehere........dhe une i them prefesorit Beqja te qofte dheri i lehte aty ku do prehesh PERGJITHMONE ....I NDERUAR DHE I RESPEKTUAR PREFESOR.....TUNG LUGINA