English

Topalli pret deputetët austriakë: Lobim për integrimin e Shqipërisë

Tiranë, 6 shtator 2011, NOA - Një delegacion i gjerë nga parlamenti Austriak ka mbërritur në Shqipëri me ftesë të Kryetares së Kuvendit, për të prekur nga afër relalitetin dhe për të njohur vendin, historinë, zhvillimet e fundit. Të kryesuar nga zoti Werner Amon, deputetët austriakë ishin sot në zyrën e zonjës Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se: “Kjo vizitë është edhe një nxitje për bashkëpunim ekonomik. Investimet e suksesshme austriake në banka, energji e sigurime janë një garanci edhe për investime të tjera austriake në vendit tonë.” “Austria, tha Kryetarja e Kuvendit ka qenë gjithnjë një mbështetëse e Shqipërisë dhe për këtë, shqiptarët ju janë mirënjohës. Ne besojmë fort në mbështetjen e vendeve mike si ju, edhe në hapat e tjerë drejt BE-së. Shqipëria, po rekuperon me hapa galopante kohën e humbur. Shqiptarët kanë guxim, kanë energji, kanë vokacion perëndimor dhe mbi të gjitha janë europinë”, tha kryeparlamentarja Topalli. “Nuk ka dyshim që Shqipëria është pjesë e Europës. Ne do të jemi përkrah jush duke ju mbështetur e duke lobuar për integrimin e Shqipërisë sa më shpejt në Bashkimin Europian”, tha kryetari i delegacionit austriak, Amon.

a.q/NOA

KOMENTE