Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fuqia e dëshmisë
English

Fuqia e dëshmisë

Nga Agron Tufa Jo çdokush mundet të dëshmojë. Fuqia e dëshmisë, qoftë në nivelin personal, qoftë në atë shoqëror, është e lidhur ngushtë me shkallën e vetëdijes mbi fatin kolektiv që e pret popullin të cilit i përket dëshmuesi. Në rastin e librit memuaristik “Jetë e humbun”, të Ejëll Çobës, ne na rikthehet një bujtës i ferrit komunist për të na dëshmue përvojën e vet, të miqve dhe të intelektualëve shqiptarë, pikërisht aty, në zanafillën e ngjizjes së territ komunist, të këtij fataliteti kombëtar, që do të zgjaste gjysmë shekulli. Dëshmia e Ejëll Çobës është dëshmia e një intelektuali kreativ, i cili, përveç formimit shkencor e kulturor në shkollat dhe universitetet më të mira të Europës, ka harmonizue në vetvete jo vetëm edukimin kombëtar e patriotik, por edhe një përvojë të vyer pragmatike në drejtimin e institucioneve më të larta të shtetit. Prandaj dëshmia e përjetueme prej tij kalon përmes filtrit të një vetëdijeje të esëllt njerëzore, intelektuale e qytetare e shi për këtë shkak, ne kemi mundësinë me përftue një “sferë të vëzhgimit shtesë” mbi plojën dhe kasaphanën komuniste, mbi praktikat terroriste të ushtrueme prej pjellave të Stalinit e nacionalkomunizmit serb mbi intelektualët shqiptarë, e më posaçëm, mbi aristokracinë shkodrane. Përqendrimi i terrorit komunist mbi intelektualët, dijetarët e me theks të veçantë mbi personalitetet kulturore të Kishës Katolike, këta mësues të atdhedashurisë, ndeshet edhe në faqet tronditëse të këtij libri memuaristik. Me likuidimin e intelektualëve dhe personaliteteve kulturore të Kishës Katolike, komunistët shqiptarë përmbushën dy objektiva të rëndësishëm: kauzën e njohur të tyre “për atme e fe” dhe veçimin e polemit prej udhëheqësve të tij humanë e shpirtërorë, për t’i hapur udhë mandej shtypjes, shfytyrimit dhe tjetërsimit të plotë etnopsikik. Në fakt, gjithë praktika e ushtruar nga makina masovike e dhunës me gjyqet publike është e gjitha e huazuar, e importuar dhe e zbatuar sipas modeleve më të egra sovjete të “kohës së terrorit të madh” stalinist. Ka një moment reflektues në prozën memuaristike të Ejëll Çobës, ku shpalohet dhimbshëm reaksioni i vetëdijes intelektuale, të fitueme me sakrifica. Dhe ky moment zbulese vjen nga zgavra më poshtëruese e hadit komunist – në itinerarin ndërmjet torturave në hetuesi, më konkretisht, në një nga nevojtoret ku i përplasnin të burgosurit: “Ai që ma shpesh më nderonte me shqelmat e tij, ishte një farë kapiten Muço prej Përmeti. Në shpirtin tim ndiejsha atë që duhet të kenë ndie skllavët e kohëve të vjetra ose rajatë e kohës së Turqisë. Kush e di sa herë do të jenë përbuzë stërgjyshët e mi raja, e ndoshta edhe ma keq, por unë, nipi i tyre, isha çmësue me të tilla trajtime, prandej e ndiejsha tepër thellë!”. Kjo ndjesi e përcjellë nga Ejëll Çoba dallon prej dëshmive të shumta e të burgjeve komuniste ku i përplasi fati shpesh edhe emra të tjerë të dëgjuar intelektualësh e familjesh të mëdha. Por, vetëdija e përkatësisë, vetëdija e lirisë së fituar me sakrifica, vetëdija e statusit të fituar me studime, punë e përkushtim, me ëndrra për të krijuar një shtet e shoqëri moderne shqiptare, krahas ndjeshmërisë së thellë për fatet e familjes, është njëkohësisht dhe sekreti i fuqive të pamposhtura, i rezistencës dhe i krenarisë për ta përballur pa u ligështuar të keqen e barbarisë komuniste. Në një episod tjetër të librit, autori na përshkruan garat e hetuesve me të pandehurit e tyre, të cilët, pas seancave të torturave i përdorin në vend të kuajve të vrapimit. Paradoksi mizor shpreh makthin më të tmerrshëm antiutopik të asaj metafore se çfarë ndodh e çfarë do të vijojë të ndodhë në krejt Shqipninë: një turmë barbare idiotësh shpirtligj, samarxhinj, teneqepunues, çirakë, barinj e aventurierë që kanë zbritur nga malet dhe kanë nxënë shkrim e këndim në kurset kundër analfabetizmit, përdorin për “gara kuajsh” njerëzit më të shkolluar të vendit, bijtë e aristokracisë shqiptare, të vetmit që kanë trashëgue kulturën, arsimin, humanizmin, kujtesën, vlerat e virtytet e grumbulluara të kombit. Këtë paradoks e vë në dukje në “gjyqet speciale” edhe avokati mbrojtës i fretënve, Muzafer Pipa, i cili në prag të çeljes së këtyre gjyqeve, deklaron: “Si asht e mundune zotnij, që nji trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-teneqexhi (Koçi Xoxe) e për prokuror një ish-kafexhi (Bedri Spahiun) – të gjykojë elitën e kulturës shqiptare?!”. Rrëfimi autobiografik i Ejëll Çobës zbulon jo vetëm afreskën e perzishme me bëmat e këtyre teneqexhinjve, por nëpërmjet dëshmisë së tij ai na zbardh parimin komunist, sipas të cilit – sytë që kanë pa duhen verbue; veshët që kan degjue duhen shurdhue; gjuhët që kanë folë duhen shkurtue, e krenjat që mendojnë duhen pre! Ejëll Çoba, dëshmues i kësaj guide nëpër ferrin e burgjeve komuniste, të cilën e shoqëron me vargjet e Dantes në origjinal, u përfshi, bashkë me vëllezërit e tij, në hekatobën e përgjakshme të Kryengritjes antikomuniste të Postribës. Ai ishte nga familja Çoba, ndër më të vjetrat e aristokracisë shkodrane, e cila kohë mbas kohe kishte nxjerrë personalitete të shqueme politike e shoqnore për kombin. Të shumta qenë vuajtjet e sakrificat që do t’i paguante kjo familje komunizmit, sidomos me disa prej bijve të saj të fundit. Ati i tyne, Gjon Çoba, ish-deputet, si prind me vizion që kishte qenë e për ekzigjencat që kishte pasë, të tre bijtë e tij, qysh të vegjël, i kishte dergue në Itali për t’u arsimue, ku ata kishin ndjekë të gjitha ciklet shkollore, që nga fillorja deri në universitet. Edhe Ejlli, pas shkollës fillore në vendlindje, do ta ndiqte këtë zinxhir arsimimi në Itali, derisa do t’u lauronte për jurisprudencë në universitetin e famshëm “La sapienza” të Romës më 1932-shin. Pas kthimit në Tiranë, Ejlli ndjek karrierën profesionale e politike, duke demonstrue një karakter të fortë prej njeriu ithtar të ligjit dhe të së drejtës, ta pakompromentueshëm e të pakorruptueshëm, çka motivoi besimin e aktorëve më të rëndësishëm të politikës, duke i ofrue poste mjaft të rëndësishme, deri në postin e nënministrit të brendshëm. Vëllau tjetër, Keli, që e ndeshim në faqet e memuareve, ka mbarue për jurisprudencë dhe diplomaci dhe vazhdoi karrierën diplomatike nga Beogradi në Paris. Më i vogli i vëllezërve, Filipi, i diplomuem për ekonomi, do të ishte një prej themeluesve të Bankës së Shqipnisë. Në faqet e prozës memuaristike të librit “Një jetë e humbun”, ne e përftojmë pak nga pak portretin e autorit, nëpërmjet detajeve të përditshmërisë së qelive dhe hetuesisë. Autori shpeshherë bën digresione të rëndësishme, duke na skicue portrete të paharrueshme, duke hedhë dritë mbi episode të historisë sonë e duke meditue filozofikisht mbi fatin e natyrën e njeriut. Refleksioni intelektual përballë situatave të rënda, si në paragrafin e mëposhtëm kur autori përshkruan rrugëtimin e transferimit në burgun e Tiranës: “…Ma vonë, në burg, kur po bisedojshim me Hafizin dhe Hamdiun, ky i fundit na tha: – sa herë ndalej kamioni, hidhsha nji sy anëve të rrugës, e kur shihsha ndonji pyll të vogël në afërsi, mendojsha se aty do të na pushkatojnë. Hafizi dhe unë u çuditëm për çka kishte mendue Hamdiu e i thamë se nji gja e tillë ne s’na kishte shkue ndërmend. Por na ishim njerëz të shkollës e të ligjit, kurse Hamdiu ndoshta e njihte ma mirë Shqipninë!”. Njeri me një ndjenjë të jashtëzakonshme mase, Ejëll Çoba e tregon këtë virtyt edhe në tonin, stilin dhe përshkrimin skrupuloz të ngjarjeve. Frazat e thukëta, parimi përzgjedhës pa shumë fjalë, dromcimi i vazhdueshëm i rrëfimit pa patetikë e pa lajle, të krijon një komoditet leximi jashtë sentimentalizmave. Proza autobiografike e librit kursen linearitete të panevojshme duke të lënë shijen tragjike të fragmentit. Situata zbulohet dhe fiksohet nëpërmjet detajeve; atmosfera me pak viza e penelata “ngjyroset”. Fizarmonika që mbulon klithmat e të torturuarve në korridoret e qelive të kujton poemën “Fuga e vdekjes” të Paul Celanit, një realitet të kampeve naziste të përqendrimit. Këtë detaj e përforcon edhe një dëshmitar tjetër i qelive me Ejëll Çobën, Ramadan Sokoli, i cili e zgjeron përshkrimin kështu: “…Të ndrymë, të prangosun n’për birucat të errëta, i kërcënojshin, i mundojshin, ashtu të lidhun, i rrahshin e i torturojshin pa mëshirë. Ndihmësit e xhelatëve, për të mbulue britmat, këndojshin e vallzojshin greqisht: ‘piosi more piosi, i dhe to Jorgo, to Jorgaqo’. Ky ishte kulmi i cinizmit. Përveç zgërdhimjeve sadiste, kundrejt britmave dhe rënkimeve të rrezikzezëve, ç’ka mund t’u priste tjetër nga asi frymorësh të brumosun me urrejtje?”. Shpesh, episode nga libri i Ejëll Çobës, ndonëse të kursyeme, përbëjnë thelbin tragjik për meditime e ndoshta për vepra monumentale artistike të letërsisë a kinematografisë. Një episod i tillë është dhe akti shpërfillës i të riut Virtyt Gjylbegu nga kampi i Vloçishtit, që shkoi vetëdijshëm drejt vdekjes. Ja si e përshkruan autori skenën: “U mundojsha me i dhanë kurajë, pse e shihsha shumë të dëshpëruem, megjithëse fliste pak dhe e mbyllte bisedën me: – Ah, mor zotni Çoba, nuk mundem… – Unë që jam 40 vjeç, – i thojsha, po mundem me i ba ballë, jo ti që je 28, – por e shihsha se fjalët e mija nuk mjaftojshin, se përsëriste: – nuk durohen, nuk durohen! S’shkoi shumë e nji natë në gjumë, ndigjuem të shtime pushkësh. Të nesërmen mora vesh se Virtyti, mbasi ishte kthye prej pune, ishte la, pastrue e kishte veshë rrobat ma të mira që kishte. Nji roje, që e kishte pa ashtu të veshun mirë, me ton talljeje, i kishte thanë: – Virtyt, mos do të lirohesh që qenke veshur si dhëndër? – Po do të lirohem, i ishte përgjegjë me plot gojë. Posa kampi kishte ra në gjumë, Virtyti, ashtu i veshun, kishte dalë prej kapanonit e u ishte afrue telave të kampit të ndriçuem prej lampadinave të shumta. Roja i kishte thirrë dy-tri herë: ‘Ndal, ndal!’. Por Virtyti nuk ishte ndalë dhe kishte vazhdue me iu afrue telave tue i thanë rojes: ‘Shtin!’. Roja kishte zbatue urdhnin e marrun e Virtyti kishte ra i vdekun në çast”. * * * Gjatë leximit të librit memuaristik “Jetë e humbun” të Ejëll Çobës, duke pasë parasysh edhe kohën e shkrimit të tij, që përkon me pikun e diktaturës, më ka lënë përshtypje ndarja e qartë gjuhësore që bën Çoba në autorrëfimin e tij: gjuha e autorit, rrëfimi e përshkrimi janë në gegnishte letrare, ndërsa dialogjet, më saktë frazat e hetuesve, janë lënë në toskërisht, çka më bën të mendoj se edhe gjuha është konceptue prej tij si mjet rezistence e kundërvënieje simbolike me pushtetin e hetuesve, si botë të papajtueshme. Dhe së mbrami, ndonëse libri nuk arriti t’i përmblidhte gjithë vuajtjet e kalvarit të burgjeve komuniste, prapë ai është një dëshmi e jashtëzakonshme për të kuptuar fytyrën e vërtet katile të regjimit gjakatar që po instalohej në Shqipëri. Është fat i madh që kjo dëshmi ka mbijetue, jo vetëm për vlerat e saj edukuese, njohëse dhe artistike, por në radhë të parë, çka e bën edhe më unikal, ky është ndër të paktët libra të shkruajtun në “kohën e artë” të komunizmit. Ne kemi një ndër letërsitë me tronditëse të zhanrit të memuaristikës. Libra që njëmend ia vlen të bëhen pjesë e edukimit moral e atdhetar të brezave, për të mos i lanë ato në mëshirën e shkollës manipuluese të Paskal Milos me shokë, ku kanë zanë vend mitet e komunizmit. Në kemi librat më rrëqethës që janë shkruar nga intelektualët që vuajtën në burgjet e kampit komunist, ndonëse pak ose aspak të njohun, të shpërfillun e të zhdukun nga tregu. Por libri memuaristik “Jetë e humbun” i Ejëll Çobës bën një përjashtim të veçantë e fatlumë: ai u shkrua atëherë kur dorëshkrimet paguheshin me kokë. U shkrua si dëshmi, si testament, pa e pasë të sigurt dritën e botimit, apo më saktë, pa e shpresuar atë. Autori nuk kishte aspak lakminë se si do të bëhej i lavdishëm, tërheqës apo interesant në sytë aksh shtrese apo të aksh politikani. Si i tilli, libri është pastrue nga “mëkatet e të gjallëve”, fantazitë apo ekzagjerimet. Prandaj mbetet një ndër librat e rrallë që vjen nga zemra e ferrit komunist, i drejtë, i saktë, i padeformuem, i shkruen atëherë kur libra të tillë të merrnin jetën. Dhe para se të jetë dëshmi, faqet e këtij libri ngrenë lart ndjenjën e krenarisë sonë historike, dinjitetin tonë njerëzor, origjinën tonë, e cila, sipas këtyre dëshmive, na tregon se nuk kemi qenë një popull që thjesht shtriu kokën për t’u flijuar si berrat në tehun e kamës komuniste. Gazeta "Panorama"

KOMENTE