English

Berisha tërhiqet: Nuk do rritet mosha për dalje në pension

Tiranë, 8 Shtator 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - “Garantoj se nuk do të ketë rritje të moshës së shqiptarëve për dalje në pension. Absolutisht jo”. Pohimin e bëri sonte kryeministri i vendit, Sali Berisha, duke hedhur poshtë kështu deklarimin e para pak ditëve ku thoshte se do të shikohej rritja e moshës së pensionit pasi sipas tij është rritur jetëgjatësia. Ka qenë 60 vjeç dhe është bërë 65 vjeç. Ka qenë logjike kjo sepse është rritur jetëgjatësia e shqiptarëve. Berisha gjithsesi tha se do të ishte një gjë e mirë nëse do të kishte indeksim të pensioneve. Ndaj ai la të hapur një rritje të moshës së pensionit por shtoi se do të ketë tolerim për ata që duan të dalin më shpejt në pension, mjafton të kenë plotësuar vitet e detyrueshme që aktualisht janë 35 vjet për meshkujt dhe 30 vjet për femrat, vite pune të siguruara. Këtë Berisha e ilustroi me një shembull: “Nëse jetëgjatësia do të jetë për shembull 82 vjeç, mosha e daljes në pension do të bëhej 66 vjeç pra do të kishim një rritje një vit mbi moshën ekzistuese”. Debatet e shumta erdhën pasi të hënën në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha foli për një reformë pensionesh. Berisha tha se njerëzit nuk janë të lumtur që dalin në pension, ndaj “do të vëmë indeksimet e zgjatjes së moshës së pensionit me zgjatjen e jetëgjatësisë”. Për kryeministrin, “jetëgjatësia po zgjatet, po zgjatet në mënyre të ndjeshme, mosha 65 vjeç për pensione të caktuara në një kohë kur jetëgjatësia mesatare ka qenë 70 vjeç, kur sot jetëgjatësia mesatare po shkon rreth 78 vjeç”. Lidhur me këtë, Berisha shtoi: “Nuk janë të lumtur njerëzit që dalin në pension, jo. Shumë prej tyre kërkojnë të rrinë më shumë, ndaj dhe ne do të vëmë indeksimet e zgjatjes së moshës së pensionit me zgjatjen e jetëgjatësisë. Kjo ka kuptim. Nuk është më Shqipëria e turneve, jo. Nuk është më Shqipëria e uzinave mbytëse kimike, jo. Të tjera kushte sot, ndaj dhe ne do ta shqyrtojmë me seriozitet në intensiv më të mirë të qytetarëve shqiptarë”. a.y/e.t/NOA

KOMENTE