English

Kufizimet e dyanshme të Turqisë dhe Izraelit

Nju Jork Tajms Një raport i Kombeve të Bashkuara për sulmin izraelit të vitit të kaluar në anijen humanitare me destinim Gazën duhej të ketë qenë një shans për zbutjen e marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Izraelit dhe Turqisë. Por në vend të zbutjes, të dyja shtetet u zhytën në mosmarrëveshje edhe më të thella. Kombet e Bashkuara për një kohë të gjatë ushtronin presion mbi Izraelin, ndërsa liderët izraelitë fillimisht i rezistonin hetimit të pavarur mbi bastisjen që la të vdekur tetë turq dhe një turko-amerikan. Raporti i publikuar të premten dukej rigoroz. Ai bëri të ditur se bllokada detare izraelite e Gazës është ligjore dhe se komandot izraelite që u zbarkuan në anije janë vetëmbrojtur karshi një “rezistence të organizuar dhe të dhunshme”. Mirëpo ai thotë edhe se forca e përdorur nga izraelitët ishte “e tepruar dhe e paarsyeshme”. Shumica e të vrarëve ishin qëlluar për vdekje shumë herë. Flota, e cila lundronte nga porti turk me pranimin e heshtur të Qeverisë turke, ishte fajësuar për veprime “nga pakujdesia” në sfidimin e bllokadës. Raporti po ashtu thotë se pala turke “mund të kishte bërë më shumë” për të bindur organizatorët që të shmangnin një përplasje me forcat izraelite.

Turqia hodhi poshtë raportin, duke e dëbuar ambasadorin izraelit dhe duke shpallur se do të ngrijë marrëdhëniet ushtarake derisa Izraeli të mos kërkojë falje për të vdekurit dhe t’i kompensonte familjet e viktimave. Vendi ka kërkuar po ashtu që Izraeli t’i japë fund bllokadës dhe që OKB-ja ta vërë në raft raportin e vet. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, ka paralajmëruar se Ankaraja “do të ndërmarrë të gjitha masat parandaluese që i konsideron të domosdoshme” për të mbrojtur anijet e saj në lindje të Mesdheut. Ai nuk ka shpjeguar, por edhe gjë e papërgjegjshme që madje të lihet të kuptohet se Turqia, një aleate e NATO-s, mund të kërkojë mundësi për ta konfrontuar Izraelin ushtarakisht. Izraeli e ka pranuar raportin e OKB-së dhe ka thënë se ka shpresuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, por ka insistuar se nuk do të kërkojë falje. Dy javë më parë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, ka nxitur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’i kërkojë falje Turqisë. Zyrtarët amerikanë tash duhet që të bëjnë përpjekje të ngjashme me të dyja palët. Ne nuk e fajësojmë Izraelin për faktin se pyetet nëse Turqia po e vazhdon këtë konflikt për ta lustruar pozitën e vet në botën arabe. Turqia po rrezikon së tepërmi, përfshirë këtu edhe miliardat nga tregtia me Izraelin dhe reputacionin e vet si një aktor i përgjegjshëm ndërkombëtar. Izraelit, nga ana e vet, padyshim se nuk i duhet izolimi edhe më i madh se sa ai aktual. Izraeli duhet të kërkojë falje për vdekjet. Dhe Turqia duhet të ndalojë së rrezikuari për të fituar një pozitë më të mirë. NOA

KOMENTE