English

Ato që kriza po na mëson

Kriza e fundit financiare botërore na mëson se një ndër faktorët parësorë që përcakton shpejtësinë e rehabilitimit të ekonomisë në çdo vend të prekur prej saj, është niveli i shkollimit të mesëm dhe të lartë të shoqërisë, si dhe dijet e aftësitë e fituara për të ushtruar më shumë se një profesion Nga Myqerem Tafaj Ministri i Arsimit dhe Shkencës Nesër fillon viti i ri shkollor 2011-2012. Ju uroj të gjithë fëmijëve të kopshteve, nxënësve dhe mësuesve suksese në vitin e ri shkollor. Urimi i parë, si gjithnjë, shkon për nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Unë i garantoj nxënësit dhe prindërit se do të gjejnë mjedise më të mira në shkolla, një klimë shumë miqësore dhe mësimdhënës shumë më të përkushtuar e të kualifikuar. Të nderuar mësuese dhe mësues, Në këtë fillimviti shkollor, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time për përkushtimin dhe punën e palodhur që bëni për edukimin e nxënësve. Ju jeni autorët kryesorë të çdo reforme në arsim. Shpallja e profesionit të mësuesisë si profesion i rregulluar do të ndikojë në rritjen e mëtejshme të prestigjit të këtij profesioni në shoqërinë tonë dhe në përgatitjen e brezave të rinj të mësuesve në nivele të afërta me ato të vendeve të zhvilluara. Të nderuar prindër, Si partnerët tanë më të rëndësishëm në çdo shkollë të vendit, ju ftoj që të thellojmë më tej bashkëpunimin si një faktor kyç për suksesin e çdo reforme në sistemin tonë arsimor. Falë mbështetjes prioritare të Qeverisë Berisha, sistemi ynë arsimor po zhvillohet me shpejtësi. Janë shënuar arritje shumë të rëndësishme sasiore. Por ne jemi të vetëdijshëm që arritjet sasiore duhet të kthehen në cilësi, në mënyrë që nxënësit të fitojnë dije dhe aftësi që i shërbejnë formimit të tyre si qytetar të një shoqërie demokratike si dhe rritjes së shanseve për punësim, karrierë dhe, në tërësi, për një jetë më të mirë. “Arsim cilësor për të gjithë” është sfida jonë. Të gjitha programet dhe projektet e MASH-it synojnë rritjen e cilësisë. Në këtë vit shkollor, në kuadër të vlerësimit internacional PISA 2013, sistemi ynë i arsimit bazë do të vlerësohet për matematikën. Rritja e pjesëmarrjes në arsimin parashkollor i shërben zbutjes së ndryshimeve që ekzistojnë midis fëmijëve që vijnë nga shtresa të ndryshme sociale, çka garanton rezultate më të mira në gjithë procesin e edukimit edhe në nivelet e tjera të shkollimit bazë dhe atij të mesëm. Ne synojmë që mbi 80% e fëmijëve 5-vjeçarë të vijojnë një vit parapërgatitor. Mësuesit dhe shkollat po punojnë me përkushtim, në mënyrë që çdo fëmijë të përfundojë arsimin bazë. Ne synojmë të arrijmë „braktisje zero“ të arsimit të detyruar. Thithja e nxënësve të komunitetit rom është parësore për të rritur shanset e tyre në jetë dhe për integrimin e plotë në shoqëri. Në ditën e parë të shkollës, çdo nxënës i komunitetit rom do të marrë falas paketën e plotë të teksteve. Çdo nxënës qe përfundon arsimin bazë ka mundësi reale të vazhdojë arsimin e mesëm. Kriza e fundit financiare botërore na mëson se një ndër faktorët parësorë që përcakton shpejtësinë e rehabilitimit të ekonomisë në çdo vend të prekur prej saj, është niveli i shkollimit të mesëm dhe të lartë të shoqërisë, si dhe dijet e aftësitë e fituara për të ushtruar më shumë se një profesion. Ftoj të gjithë të rinjtë, të cilët ende nuk janë regjistruar, të shkojnë të regjistrohen në shkollat e mesme. Këtë duhet ta bëjnë edhe ata që kanë përfunduar më herët arsimin 8-vjeçar, pasi për këtë grup shkollat profesionale do të ofrojnë një program të veçantë. Modernizimi i arsimit profesional është prioriteti ynë në këtë vit shkollor. Ai nënkupton përshtatjen e përmbajtjes në funksion të kërkesave të ekonomisë dhe tregut të punës, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve mësimore të huaja, përmirësimin e mëtejshëm te infrastrukturës për formimin praktik, kualifikimin e vazhduar të mësuesve, zgjerimin e paketës së bursave për nxënësit, si dhe zhvillimin e një pakete nxitëse për vetëpunësimin dhe bizneset e reja të të rinjve që kanë përfunduar arsimin profesional. Shkollat profesionale do të transformohen në qendra të hapura gjatë gjithë ditës dhe aty do të mësojnë jo vetëm nxënësit e rregullt, por edhe të rinj, të cilët, për shkaqe të ndryshme, kanë filluar të punojnë, si dhe të rriturit që dëshirojnë të formohen në një profesion. Këtë vit shkollor përfundon reforma e përmbajtjes së arsimit bazë. Mësuesit dhe pedagogët më të mirë janë angazhuar në grupet e punës për hartimin e planit mësimor dhe të programeve. Kjo reformë mbështetet në traditën e arsimit tonë kombëtar dhe në përvojën e vendeve më të suksesshme në fushën e arsimit. Unë i ftoj të gjithë mësuesit dhe prindërit të bëhen pjesë e kësaj reforme. Këtë vit shkollor përfundojnë maturantet e parë që kanë studiuar me kurrikulën e re të gjimnazit. Ajo vlerësohet se u ka ofruar nxënësve më shumë hapësirë për të zhvilluar prirjet e tyre. Ky vit shkollor përkon me veprimtaritë e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kuadër, çdo shkollë do të zhvillojë një program të gjerë të veprimtarive shkollore dhe jashtëshkollore. Në veprimtarinë e shkollave tona, përparësi do t‘i jepet edhe programit “Për një mjedis të pastër”. Nxënësit dhe mësuesit do të udhëheqin veprimtaritë për ndërgjegjësimin e shoqërisë për një mjedis të pastër në çdo qytet dhe fshat të vendit. Jam i sigurt se viti i ri shkollor do të jetë një vit i suksesshëm dhe do të shënojë arritje të reja që do ta afrojnë më shumë sistemin tonë arsimor parauniversitar me atë të vendeve të zhvilluara. Bazë për këtë është puna e palodhur e nxënësve, e mësuesve dhe e gjithë punonjësve të arsimit, si dhe mbështetja shembullore e prindërve dhe e familjeve. Edhe një herë, ju uroj suksese në vitin e ri shkollor 2011-2012! * Fjala përshëndetëse me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2011-2012

KOMENTE