English

Rriten prurjet e turizmit, Berisha te Hoteleri Turizëm: Shkolla juaj promotor

Tiranë, 12 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Pa përmendur faktin se shërbimet në turizmin shqiptar lënë tejet për të dëshiruar, dhe se në tërë vijën e mrekullueshme bregdetare nuk ka ende një traget për të shëtitur turistët nga veriu në jug, nga Adriatiku në Jon, kryeministri Sali Berisha deklaroi rishtas se prurjet e turizmit në Shqipëri janë rritur me 12 herë, që nënkupton se qeveria duhet të shumëfishojë përpjekjet për shndërrimin e peizazheve të bukura të vendit në sektorin kyç të thithjes së prurjeve ekonomike. Kryeministri ishte sot në shkollën profesionale “Hoteleri-Turizëm”, ku u uroi nisjen e Vitit të ri shkollor 270 nxënësve të rinj të kësaj shkolle. Kjo përzgjedhje sipas kryeministrit vjen pasi qeveria i ka dhënë një prioritet kësaj shkolle profesionale por dhe bumit turistik të Shqipërisë këtë vit, kur bregdeti shqiptar është preferuar gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj. “Fillimi i vitit të ri shkollor është fillimi i ngjarjes më të bukur të jetës së njeriut, i garës më të bukur të shoqërisë dhe kombit, garës së dijes”, tha zoti Berisha. Urimin e tij për ditën e parë të shkollës në këtë viti të ri shkollor, kreu i qeverisë e vijoi me këto fjalë: “Zgjodha shkollën tuaj, sepse jam i impresionuar nga arritjet e kësaj shkolle me traditë të gjatë si shkollë profesionale, por që sot është përshtatur në mënyrë të shkëlqyer me kërkesat e tregut, duke u shndërruar në hallkën kryesore të përgatitjes së ekspertëve në fushën e turizmit”, deklaroi kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se për qeverinë ka rëndësi jetike përgatitja e specialistëve të fushës së turizmit në mënyrë që vlerat e pafundme të turizmit tonë të shndërrohen në mirësi për popullin dhe kombin në tërësi. Shefi i qeverisë tha se një nga arsyet pse turistët e huaj vijnë në Shqipëri është profili i ushqimit, i cili përmban menu shumë të mira. “Ne jemi të njohur për cilësinë e shërbimit, ushqimeve, për menaxhimin e mirë”, tha kryeministri. Nga 200 nxënës vitet e shkuar këtë vit numri i nxënësve në Hoteleri-Turizëm është rritur në 270. Kryeministri u bëri apel prindërve t’i çojnë fëmijët për të mësuar në shkolla profesionale duke i garantuar ata se nuk do të kenë shmangie nga universitetet, porse do t’i japin fëmijëve njohuri imediate për tregun dhe gjithë jetën. Ai e cilësoi këtë shkollë një nga promotorët kryesorë e rritjes së cilësisë në turizëm. Zoti Berisha uroi edhe të gjithë fëmijët, nxënësit, veçanërisht vogëlushët që ulen për të parën herë në bangat e shkollës për një vit të mbarë e të suksesshëm. “Uroj që ky vit për nxënësit shqiptarë të shënojë një vit më të lartë dijeje, vetëdijeje, si kusht i të gjithë kushteve për rrugën drejt ‘Shqipërisë vend i zhvilluar”, tha kryeministri. Ai foli për reformat në arsim, duke thënë se “ato po japin rezultatet e para shumë konkuruese”. “Asnjë garë s’është më e vështirë se gara e dijes, dhe është ajo që përcakton suksesin e gjithë garave të tjera. Ne kemi vendosur që në këtë garë të pranojmë të vlerësohemi si vendet e zhvilluara”, nënvizoi Berisha. Ai përmendi se shkak për këtë vlerësim bëhen reformat e ndërmarra, shtrirja e internetit në çdo shkollë, mbidyfishimi i rrogave të mësuesve. Kryeministri risolli në vëmendje një studim të huaj, duke deklaruar se “fëmijët shqiptarë sa i përket leximit jashtëshkollor qëndrojnë në çatinë e botës, në krye të listës së vendeve më të zhvilluara të botës”. mit/NOA

KOMENTE