English

Serbët bllokojnë rrugët në veri, KFOR zmbrapset

Mitrovicë, 14 shtator 2011, NOA – Vetëm 48 orë para vendosjes së doganierëve kosovarë në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht Jarinje e Bërnjakë grupe serbësh të pjesës veriore të Mitrovicës kanë bllokuar qysh mbrëmë rrugët që të çojnë në drejtim të Zveçanit si dhe afër urës mbi lumin Ibër. Një barrikadë është vendosur në afërsi të Shkollës Teknike në veri të Mitrovicës, te Lagjia e Boshnjakëve. Sipas burimeve të korrespondentit të Koha.net në Mitrovicë, serbët kanë vendosur barrikada në fshatin Rudare, në drejtim të pikës kufitare në Jarinje, kurse në fshatin Zupç kanë vendosur barrikadë që bllokon tërësisht rrugën që çon në drejtim të pikës kufitare Bërnjakë. Një kolonë e KFOR-it, sipas mediave serbe, e cila ishte ndalur mbrëmë nga grupe serbësh, është kthyer në bazë pas dy orë negociatash. Ajo përbëhej nga rreth 20 automjete të blinduara, kamionë, xhipa dhe ishte nisur në drejtim të Leposaviçit, përkatësisht në Jarinje. Agjencitë serbe të lajmeve njoftojnë sot se barrikadat e vendosura mbrëmë kanë gdhirë të përforcuara. Po ashtu njoftohet se mbrëmë banorët serbë të Zveçanit kanë ndalur autokolonën e KFOR-it në dalje të qytetit duke mos e lejuar të vazhdojë rrugën në drejtim të veriut të Kosovës. Po këto agjenci njoftojnë për shkarkim të kamionëve me rërë në rrugën ndërmjet Mitrovicës e Zveçanit. Mediat citojnë kryetarin paralel të Mitrovicës, Krstimir Pantiç, që thotë se barrikadat janë vendosur me iniciativën e qytetarëve, në Lagjen e Bosnjakëve dhe në dalje të Mitrovicës në drejtim të Zveçanit, për shkak të paralajmërimeve se policët dhe doganierët e Kosovës do të marrin kontrollin e pikëkalimeve kufitare me Serbinë, të mbështetur edhe nga EULEX-i. Një rrugë që çon në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve, përkatësisht në drejtim të urës lindore është bllokuar plotësisht, bëjnë të ditur mediat e Beogradit, kurse në dalje nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit qarkullimi bëhet vetëm përmes një korsie, por me pengesa zigzag. Edhe në barrikadën e vendosur në Leposaviç qytetarët lejojnë vetëm qarkullimin e veturave vetëm nëpër një korsi. Gjithashtu bëhet me dije se KFOR-i është penguar të transportojë kontenierët për nevoja të doganës në Jarinje. Megjithatë mediat njoftojnë se situata është e qetë. K.D/NOA

KOMENTE