English

Maxhoranca duhet të lëvizë

Nga Ndriçik Kulla Sezoni i ri politik sapo ka filluar, e besoj me një kurs të ri e të shumëpritur nga ana e opozitës. Shpresojmë, gjithashtu, që kjo gjë të konkretizohet edhe për ato reforma e ligje aq të nevojshme për integrimin tonë europian apo për mbarëvajtjen e demokracisë dhe paktit të besimit që çdo politikë duhet të lidhë me qytetarët e saj. E, përsa i përket këtij të fundit, mund të themi se një masë të rëndësishme konkretizimi ka edhe maxhoranca, sepse është në pushtet dhe duhet ta menaxhojë këtë mbarëvajtje në disa rrafshe. Në radhë të parë në rrafshin e besimit te ndershmëria, përtej asaj të gjykuar nga drejtësia, te ndershmëria intelektuale e të zgjedhurve të vet për drejtimin e dikastereve, të çdo rangu, që ka një peshë të madhe në mbrujtjen e atij besimi të përgjithshëm të publikut dhe në konsolidimin e paktit të drejtësisë me qytetarin. Le të marrim një shembull. Mjaft akuza që janë bërë e bëhen, sidomos mbi disa emra të Ekzekutivit, është e nevojshme që Kryeministri t’i konsiderojë edhe nga ky këndvështrim. Është e vërtetë që pushteti konsumon, cilado qoftë qeveria, por po kaq e vërtetë është se çdo qeveri duhet të jetë e kujdesshme për perceptimin që ajo jep. Tek e fundit, më i rëndësishëm mbi çdo sukses tjetër është pikërisht ruajtja nga konsumimi i këtij perceptimi. Nuk ka rëndësi përmendja e emrave të tyre se ata janë bërë publikë, por mua më shqetëson fenomeni. Mendoj se nuk duhet që të ketë një ngurrim të tejzgjatur mbi shumë ministra të përfolur për afera korruptive. Ata mund të ishin dorëhequr vetë ose mund të zëvendësohen me emra të tjerë, të cilët kanë kontribute intelektuale, politike apo menaxheriale, emra që në gjirin e maxhorancës nuk duket se mungojnë. E kam ndjekur me vëmendje akuzën publike që bëhet ndaj ministrit Olldashi dhe si qytetar nuk jam i prirë t’i besoj derisa për to të flasë Drejtësia, pra nuk mund ta paragjykoj atë. Por ka nevojë, për hir të atij pakti që përmendëm, për perceptimin e ndershmërisë dhe korrektësisë profesionale, që edhe opinioni i gjerë publik të shikojë sa më shumë akte demokratike të kryera nga ministrat e akuzuar. Këta njerëz mund t’i bëjnë një shërbim shumë të madh emancipimit të politikës shqiptare duke u dorëhequr ose duke u zëvendësuar. Me siguri që kështu lartësohet jo vetëm qeverisja, por edhe formacioni politik që mbulon qeverisjen, e kështu fitohet edhe qëndrueshmëria dhe stabiliteti i paktit të qeverisë me qytetarin. Nuk e paragjykoj z. Olldashi, por unë e gjykoj si të gabuar perceptimin që ai u bëri akuzave të shtypit duke i bërë thirrje publike Prokurorisë për t’u marrë me gazetarët. Në fakt, me këtë veprim ai pothuaj ka shkelur rregullin e paktit moral, konsensusin e të cilit e ka dhënë edhe ai vetë, për të mos i paditur gazetarët nga asnjë zyrë kabineti qeveritar. E, pakte të tilla morale, po e përsëris, gërryejnë më shumë sesa mund të fitojnë në sytë e njerëzve, punët e mira që mund të ketë bërë e po bën qeveria. Nga ana tjetër, një rrafsh i nevojshëm që duhet konsideruar nga ana e Kryeministrit në konsolidimin e paktit me qytetarin është edhe ai i administratës përfaqësuese. Duhet të vendosen kritere më të drejta dhe konkurruese në drejtim të përfaqësimit të kabinetit qeveritar në raport me rezultatet elektorale. P.sh., le të trajtojmë pak rastin e dy ministrave nga rrethi i Gjirokastrës në qeveri, kur dihen rezultatet elektorale të zonave që mbulojnë këta ministra. Edhe këtu nuk ka vend paragjykimi, por racionaliteti i raporteve të drejta e korrekte me publikun, aq më tepër që këta përfaqësues të qeverisë janë dhe mjaft të përfolur. Përsëri në lojë është pakti i rëndësishëm, por gjithmonë i nënvlerësuar i ndershmërisë dhe drejtësisë intelektuale, përtej qëndrimeve personale. Mund të jetë bërë mirë qëndrimi i tyre në detyrë për hir të mbrojtjes nga akuzat, ose për hir të së vërtetës së fakteve dhe ngjarjeve, por këto arsyetime nuk qëndrojnë nëse i vihen përballë arsyes së shpërndarjes sa më të mirë dhe të efektshme të forcave qeverisëse. Po kështu, këto arsyetime nuk qëndrojnë nëse mund të jetë thyer edhe një rrafsh i domosdoshëm i paktit me qytetarin, ai social. Si është e mundur që kur ka probleme të thekshme sociale, si ato të protestave të minatorëve dhe grevave të urisë së tyre, ministrat nuk bëjnë as edhe një takim me ta? Dhe kështu nuk është në lojë vetëm raporti administrativ apo legal, apo punëzgjidhës që ata mund të kenë me këto shtresa. Është në lojë besimi i qytetarëve që problemet e tyre sociale janë në majë të shqetësimeve qeverisëse, është në lojë besimi te drejtësia sociale, shtylla e çdo besimi te politika. Po kështu ndodhi edhe me grevën që organizuan jetimët ose invalidët, që u lanë “jetimë” nga prania e tyre. Asnjë ministër nuk shkon të takohet me ta. Ndoshta ka ardhur koha që përveç kriterit partiak dhe profesional, të vihet në qendër të vëmendjes në përzgjedhjen e këtyre titullarëve, por dhe administratës, edhe dimensioni i tyre social, më i çmuari që shtron sot koha. Nuk duhet harruar që çdo problem ekonomik, kulturor apo politik ka edhe ndikimin e tij psikologjik dhe sociologjik te njerëzit. Madje, shumë e rëndësishme shtrohet sot në zhvillimet e reja raporti i qytetarit me politikën, i emocioneve dhe gjendjes emocionale që ata ngjallin ose krijojnë. Të gjithë këta shembuj që sollëm, të paktën nga ky kriter bazë, duket se çalojnë. Por, në rezonancë me ndryshimet dhe kriteret e vlerësimit të punës së administratës, që sapo ilustruam, vendimmarrja e sotme duhet të marrë seriozisht edhe zgjidhjen e disa problemeve që kanë të bëjnë me funksionimin sa më të mirë e të efektshëm të hallkave lidhëse të institucioneve qendrore me Ekzekutivin dhe disa institucione të nivelit lokal që kanë varësi prej tyre. Marr shkas nga arsimi, pasi e njoh më mirë punën në këtë dikaster. Më ka bërë përshtypje një varësi reale e shumë drejtorëve në drejtoritë arsimore, madje dhe të rëndësishme për nga madhësia (pra nuk bëhet fjalë për një problem periferik, ku një gjë të tillë nuk përbën ndonjë “skandal”) nga kryetarët e partive të rretheve, duke më krijuar përshtypjen se ata kanë më shumë varësi partiake nga kryetari i partisë në rreth ose nga deputeti i zonës dhe një varësi gati formale nga ministri dhe Ministria që u drejton punën. Kjo praktikë duhet jo vetëm të përfundojë, por të dënohet, sepse është njëra nga rrugët më të dëmshme të funksionimit të raporteve administratë-parti, që të afron shumë me idenë e partive-shtet. Kjo gjë duhet luftuar me thekse të qarta dhe të prera, edhe pse është gjëja më e prekshme nga qytetarët në jetën e përditshme dhe minon raportin e qeverisë me besimin e tyre. Në këtë këndvështrim, në kuadrin e forcimit të pushtetit lokal, duhet të forcohet më shumë edhe roli i prefektit dhe i reciprocitetit të bashkëpunimit institucional. Prefekti duhet të kthehet në rolin dhe institucionin e tij të vërtetë. Arritja te gjysma e mandatit qeverisës dhe afrimi i zgjedhjeve të reja e bën gjithashtu më të domosdoshëm, në dritën e ndryshimeve dhe lëvizjeve që mund të bëhen, edhe forcimin e syrit objektiv ndaj disa figurave të Partisë Demokratike, që për disa keqkuptime apo kontribute intrigash, u konsideruan si përkrahës të Topit ose të grupit të tij. Koha e ka provuar besnikërinë e parimeve të tyre ndaj Partisë Demokratike, por ka sjellë dhe rivlerësimin e punës së tyre të pandërprerë. Si ka ndodhur gjithmonë edhe me figura të tjera të ndara për arsye të ndryshme, që janë normale në një aktivitet politik, ka ardhur koha që qeverisja dhe administrata qeverisëse të bashkojë forcat me ta në një mënyrë të qartë dhe konstruktive, çka do të fitonte shumë edhe në rrafshin e besimit të publikut dhe qytetarit për fuqinë gjithëpërfshirëse të maxhorancës. Gazeta "Panorama"

KOMENTE