Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Çmimi i Qeverisë
English

Çmimi i Qeverisë

Qeveria e Kosovës vë dorë mbi Kosovën për t’ia shitur asaj pasuritë, për t’ia keqpërdorur buxhetin dhe për t’ia falur territorin. Pra, në fakt, Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga Kosova Nga Albin Kurti Dorëheqja e Qeverisë së Kosovës do të ishte fundi i kësaj heqjeje dorë. Nuk mund të jetë edhe Qeveria e Kosovës edhe Kosova e Qeverisë.

Nga privatizimi po përfitojnë ata që po shesin (qeveritarët) dhe ata që po blejnë (korporatat), në kurriz të shoqërisë dhe popullit të Kosovës. Nga bisedimet me Serbinë po përfitojnë ata që po e japin atë që s’është e tyre (kryeministri i Kosovës) dhe ata që po e fitojnë atë që s’është e tyre (Serbia), në kurriz të integritetit të territorit dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Qeveria e Kosovës është bërë vula e shpronësimit politik dhe ekonomik të qytetarëve të Kosovës.

Nëpërmjet buxhetit të Kosovës, kjo Qeveri më shumë i ka marrur Kosovës sesa që i ka dhënë asaj. Ngjashëm, privatizimi i egër dhe bisedimet me Serbinë nuk po zhvillohen për t’i dhënë Kosovës, por për t’i marrur asaj. Sovraniteti i Kosovës dhe pushteti në Kosovë janë bërë dy gjëra kundërthënëse. Sot, kemi pushtet të fuqishëm pse s’kemi sovranitet.

Duke synuar ekonominë e tregut dhe jo tregun e ekonomisë, kemi përfunduar në treg pa ekonomi. Duke synuar shpalljen e pavarësisë dhe jo pavarësinë që edhe shpallet, kemi përfunduar te varësi të pashpallura.

Formalisht, demokracia është diktaturë e shumicës. Në Kosovë nuk e kemi as këtë minimum të demokracisë. Sepse në Kosovë kemi diktaturë të pakicës. Koalicioni aktual qeverisës i ka mbi 40.000 vota më pak sesa opozita. Dhe, numrat në Kuvend të kësaj Qeverie janë siguruar prej ulëseve të rezervuara që janë thelbësisht jodemokratike.

Parimisht, demokracia është demokraci prej poshtë. Në Kosovë nuk e kemi as këtë parakusht të demokracisë. Sepse në Kosovë demokracia është demokraci prej lart, që do të thotë se nuk është demokraci. Vendimet nuk kanë bazë të gjerë diskutimi dhe as pjesëmarrjeje. Institucionet përfaqësuese shihen si mekanizma ku bëhet aprovimi teknik i vendimeve dhe jo organe ku zhvillohet debati politik për ato vendime.

Këta qeveritarë nuk mund të ndërrojnë. Ata duhet t’i ndërrojmë. Nëse duam të shpëtojmë e të fitojmë. Aq thellë ata janë kredhur në keqqeverisjen aktuale saqë s’dalin dot prej andejpari. Disa nuk kanë vullnet për këtë, disa nuk kanë interes kurse disa qeveritarë të tjerë nuk kanë as aftësi. Faktorët ndërkombëtarë në Kosovë mbase mund të na ndihmojnë duke mos na ndihmuar (përderisa protektorati i tyre po funksionon si mbrojtje e Qeverisë nga Kosova e jo mbrojtje e Kosovës nga Qeveria).

Kosova me këta pushtetarë është sikur treni që ka stacione të pandryshueshme përpara. Krejt çfarë mund të bëhet është të shtohet apo zvogëlohet pak shpejtësia e lokomotivës. Mund të vjedhin ca më pak e që sërish është tepër shumë por nuk mund të vjedhin aspak. Mund t’ia vonojnë koncesionet Serbisë por nuk mund t’ia ndalin plotësisht ato. Sepse, siç thotë populli ynë, kur je nisur për Pejë nuk mund të mbërrish në Gjilan.

Zhvillimi dhe shteti ligjor nuk bëhen përmes privatizimit e individualizmit të skajshëm por pikërisht duke dalur nga sfera e privates në atë publike, shoqërore e institucionale. Zhvillimi i një vendi është gjithsesi një çështje kolektive. Dhe, kur kemi ligjin e shansit individual nuk mund ta kemi shansin për ligj kolektiv.

Po, asfalti njwmend është i mirë por ama nuk hahet. Qytetarët duan bukë dhe punë, arsim dhe shëndetësi. E për këtë arsye na nevojiten edhe fabrika prodhimi, e jo vetëm asfalt i nxehtë. Njerëzit duhet të kenë mirëqenie edhe në shtëpi, shkolla e spitale dhe jo vetëm derisa janë në veturë.

Pa ndërrim të këtyre pushtetarëve nuk ka shansë për ndryshim të gjendjes në Kosovë. Pa ndërrim të kësaj kulture politike nuk ka qëndrueshmëri të ndryshimit. Sigurisht që nuk do të jetë lehtë. Mirëpo, nuk duhet ta duam atë që mundemi, por duhet të mundemi për atë që duam.

KOMENTE