English

Tavo: Në LSI nuk ka përçarje

Gjirokastër, 18 shtator 2011, NOA - Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, njëherazi nënkryetar i Parlamentit Shqiptar, Vangjel Tavo, dhe Sekretarja Organizative për LSI-në e Kryeqytetit Monika Kryemadhi, të shoqëruar nga Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho dhe drejtues të tjerë të LRI-së kanë zhvilluar një takim mjaft entuziast në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo ka hedhur poshtë zërat për përçarje brenda radhëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë këtij takimi, Tavo u shpreh për 3-fishim të elektoratit deri në vitin 2013 dhe se LSI nuk i trembet reformës zgjedhore. "Ky takim është prova më e fortë kundër deklaratave dashakeqe për përçarje të hamendësuar brenda radhëve tona. Ky entuziazëm tregon më së miri se ne jemi më të fortë e më të bashkuar se kurrë. Vendi ndodhet përpara sfidave të vështira. LRI dhe LSI do të jenë promotorë të të gjitha reformave, duke filluar ajo zgjedhore. Në vitin 2013, në qarkun e Gjirokastrës LSI do të trefishojë mbështetjen në komunitet, ndaj e ritheksoj se ne nuk i trembemi asnjë sfide apo reforme", theksoi Tavo. Ndërsa për anëtaren e strukturave drejtuese të LSI-së, Monika Kryemadhi, forca politike që përfaqëson do të jetë tërësisht e fokusuar në punësimin e të rinjve. Ajo tha gjithashtu se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 LSI do të jetë forcë fituese në të gjithë vendin, si dhe në qarkun e Gjirokastrës. a.q/NOA

KOMENTE