English

Engel: Demokracia është më e rëndësishme se interesi personal

E martë, 20 shtator 2011, NOA- Në një intervistë të dhënë për mediat shqiptareNew York, kongresmeni amerikan Eliot Engel komentoi situatën në Shqipëri. Në fjalën e tij ai e konsideroi veten si një mik të Shqipërisë dhe në këtë linjë u bëri thirrje bizneseve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të investojnë në këtë vend. “Shqipëria, nga një diktaturë izoluese e represive komuniste, është bërë një vend demokratik, anëtar i NATO- s dhe shpresojmë që sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Europian. Shqipëria prej kohësh ka shfaqur simpatinë dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndaj dhe dua ta ndihmoj këtë vend dhe jam i lumtur që aktualisht po e bëj këtë duke qenë i pranishëm në këtë konferencë”, u shpreh Engel. Ai theksoi se në krahasim me pak vite më parë klima e biznesit në vend ka nisur të përmirësohet, ndërsa tani në Shqipëri ka një klimë mjaft të favorshme për investime. Ndërsa duke komentuar situatën post-zgjedhore në Shqipëri ai theksoi se, zgjedhjet gjithmonë janë të vështira, pasi ka një fitues dhe një humbës, duke shtuar se ai që humb është i irrituar dhe i mërzitur. Duke hequr një paralele me vendin e tij kongresmeni amerikan u shpreh: “Në vitin 2000 në Shtetet e Bashkuara kemi pasur zgjedhje të kontestuara presidenciale, por pala humbëse e kuptoi që demokracia është më e rëndësishme sesa interesi personal. Ndaj shpresoj që edhe në Shqipëri, demokracia dhe sundimi i ligjit të respektohen. Duhet të përdoren institucionet demokratike kushtetuese për të zgjidhur këto probleme. Populli duhet të kuptojë se jo të gjitha demokracitë janë perfekte”. Sipas tij ndonëse në kontekstin e demokracisë mund të ketë pakënaqësira njerëzit nuk mund të turren drejt zgjedhjeve dhe i quajnë ato të pavlefshme. Engel theksoi se lidhur me rezultatet ka mekanizma demokratike qe duhet të përdoren për të ballafaquar e vlerësuar ato. Kongresmeni amerikan e mbylli fjalën e tij duke thënë se, “Ashtu si në SHBA, edhe në Shqipëri kjo gjë është e vlefshme. Aty institucionet demokratike duhet të luajnë rolin e tyre”. a.y/NOA

Në foto: Kongresmeni amerikan Eliot Engel

KOMENTE