English

FMN: Ekonomia botërore në rënie

E mërkurë, 21 shtator 2011, NOA- Pak para zhvillimit në Uashington të takimit të vjeshtës, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se ekonomia botërore rrezikon të shkojë drejt një spirale rënieje, nëse politika nuk ndërmerr asgjë. "Slowing growth, rising risks" - rritje e ngadalësuar, rreziqe në rritje, me këtë fjali të shkurtër FMN përshkruan si e shikon ekonominë botërore. Dhe kryeekonomisti i FMN-së, Olivier Blanchard tha me fjalë të qarta në studimin që prezantoi në Uashington se: "Ekonomia botërore ka hyrë në një fazë të re, shumë të rrezikshme. Përtëritja globale ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe rreziqet për një rënie të mëtejshme janë shtuar shumë". Tani kërkohen të merren masa bindëse nga politika, në mënyrë që të përmirësohen perspektivat e zhvillimit dhe të ulen rreziqet. Tërmeti dhe cunamiJaponi, trazirat në vendet naftë sjellëse, kriza e borxheve në disa vende të euros, deficiti gjigant në SHBA, sipas mendimit të FMN ekzistojnë një grup zhvillimesh të rrezikshme që rrezikojnë kursin e ekonomisë. FMN e shikon me shqetësim të veçantë zonën e euros. Nëse kriza e euros kap pas vendeve periferike edhe ato të qendrës, atëherë stabiliteti i tregjeve financiare do të lëkundet.

Prognozat korrigjohen duke i ulur Nuk është çudi që duke patur parasysh këto rreziqe FMN i ka korrigjuar duke i ulur prognozat për vitin në vijim dhe atë të ardhshëm. Këtë vit dhe vitin e ardhshëm ekonomia botërore do të rritet me rreth 4 për qind, thonë studiuesit e FMN, dhe jo siç pritej në pranverë me 4,5 për qind. "Katër për qind nuk tingëllon keq," thotë Blanchard. "Por ripërtëritja e ekonomisë bëhet në mënyrë jo shumë të njëjtë. Për 2011 ne vërejmë një zhvillim prej 6,5 përqindësh dhe kjo është një shifër e kënaqshme, por në ekonomitë e zhvilluara ne shohim një rritje prej 1,6 për qind." Këto mungesa ekuilibresh janë ato që e bëjnë Fondin Monetar Ndërkombëtar të shqetësohet, dhe që të kërkojë nga politika që të ndërmarrë diçka: "Rritja e ulët e ekonomike, rreziqet buxhetore dhe rreziqet bankare, mund të forcohen reciprokisht", paralajmëron Blanchard. Rritja e ulët ekonomike e bën të vështirë konsolidimin e buxhetit dhe konsolidimi i buxhetit nga ana e vet mund të çojë në rritje të ulët ekonomike". "Rritja e ulët ekonomike dobëson sistemin bankar dhe bankat e dobësuara japin më pak kredi, çka çon në ulje të rritjes ekonomike. E thënë qartë ekzistojnë rreziqe të qarta për një rënie në formë spiraleje."

Radhën e ka politika Një politikë, që kërkon të pengojë këtë rreth vicioz duhet të mbështetet në tri shtylla: E para në një ulje të kujdesshme të borxheve publike, ku politika e kursimeve nuk duhet të jetë shumë e ashpër në mënyrë që të mos rrezikohen konjuktura dhe rritja ekonomike. E dyta, forcimi i sistemi bakar, i cili duhet të ushqehet me më shumë kapital të vetin dhe e treta një apel drejtuar SHBA, që të ulë deficitet buxhetore dhe tregtare. Kina vlerësohet për përpjekjet e saj, që të largohet nga varësia e njëanshme prej eksporteve dhe të shtojë kërkesën në tregun e brendshëm, megjithëse këto nuk arrihen brenda natës. DW/NOA

KOMENTE