English

Presidenti Topi merr mbështetjen e Austrisë për integrimin në BE

E premte, 23 shtator 2011, NOA- Në kuadër të vizitës së tij në Austri, Presidenti i vendit Bamir Topi u prit në takim nga homologu i tij austriak, Hajnc Fisher. Gjatë takimit Presidenti Topi dhe homologu i tij Fisher, zhvilluan bisedimet dypalëshe ku Kreu i Shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për gjithë mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë, sidomos në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si përparësi themelore e politikës së jashtme shqiptare, duke vënë në pah besimin se me përpjekje serioze e me ndihmën e partnerëve evropianë si Austria, vendi ynë do të mundë të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Në vijim, të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve dhe nënvizuan vullnetin për t’i forcuar dhe intensifikuar më tej ato, si në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh, por veçanërisht në drejtim të forcimit reciprok të dialogut politik. Presidenti Topi, vuri në dukje në takim rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare me Austrinë, me qëllim intensifikimin e investimeve të biznesmenëve austriakë në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si në infrastrukturë, energjetikë, turizëm, etj. Nga ana e tij, Presidenti i Austrisë, Hajnc Fisher, siguroi se Austria do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e fuqishme në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë në të gjitha drejtimet si dhe në kurorëzimin e suksesshëm të aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar. Gjatë vizitës zyrtare, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë zhvilluan edhe një takim të përzemërt me përfaqësues të diasporës shqiptareAustri, të cilët e falenderuan Kreun e Shtetit për interesimin dhe përkrahjen e treguar për ta. Me këtë rast, Presidenti Topi dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, Shoqatën “Aleanca për Fëmijët” - Steyr, me motivacionin: “Për veprimtarinë humanitare të kryer në dhënien e ndihmës mjekësore për fëmijët shqiptarë, me probleme të rënda shëndetësore dhe në realizimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në Shqipëri”. a.y/NOA

Në foto: Presidenti Topi dhe homologu i tij austriak, Hajnc Fisher

KOMENTE