English

Karta e Adriatikut, Haxhinasto kryeson takimin në Nju Jork

Nju Jork, 24 shtator 2011, NOA – Shqipëria vazhdon të mbajë kryesimin e Kartës së Adriatikut. Me këtë cilësi, kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto ka drejtuar edhe takimin e rradhës, i cili është mbajtur në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në takim merrnin pjesë edhe Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Enver Hoxhaj. Në fjalën e hapjes, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm z. Haxhinasto vlerësoi Kartën e Adriatikut si një element i rëndësishëm për anëtarësimin në NATO, duke uruar që edhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësohen në një kohë sa më të afërt. “Duke qenë se parametrat e sigurisë në rajon po rriten çdo ditë e më shumë, vendet e nismës kanë filluar të bashkëpunojnë duke krijuar sinergji, projekte të përbashkëta, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në çështje të ndryshme të sigurisë. Kështu, mund të përmend shkollën e policisë në Afganistan, një përpjekje e përbashkët, një projekt i përbashkët i Kroacisë , ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Po kështu, sot u hodhën shumë ide, të cilat mund të zbatohen konkretisht në ndihmën që mund t'i jepet Libisë për të kaluar procesin e tranzicionit, apo Tunizisë, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e rajonit, çështjen e emergjencave civile apo edhe për një njësi paqeruajtëse të rajonit, që mund të kontribuojë në vende të tjera të botës që kanë nevojë për këto shërbime”, deklaroi në Nju Jork ministri i jashtëm Haxhinasto. a.q/NOA

KOMENTE