English

Gjuha e huaj, Tafaj: Së shpejti nis që në klasë të parë

Tiranë, 26 shtator 2011, NOA - Nxënësit e klasës së parë në Shqipëri, krahas “Abetares", do të mësojnë edhe gjuhën e huaj. Lajmi u bë sot i ditur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë një takimi me nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë, takim i zhvilluar në kuadër të Ditës Evropiane të Gjuhëve. Projekt, sipas tij po punohet në ministrinë e Arsimit dhe mendohet që të aplikohet shumë shpejt në sistemin 9 vjeçar. Në takim mori pjesë dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi. Përveç mesazhit se gjuha e Evropës është gjuha e paqes, ambasadori Sequi dha dhe një lajm të mirë për nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja, se BE do të mbështesë shkollën e tyre me projekte, me synim forcimin e standardeve. Ambasadori Sequi,duke i premturar nxënësve të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, se shkolla e tyre do të adoptohet nga institucioni i tij, shtoi se gjuhët e huaja janë një element kyç për të ecur përpara. Mësimi i gjuhëve të huaja në sistemin arsimor shqiptar, fillon që në klasë të tretë. Rreth 35 përqind e maturantëve në të gjithë Shqipërinë kanë zgjedhur gjuhën e huaj si provim me zgjedhje në maturën shtetërore. a.q/NOA

KOMENTE