English

Qeveria e Kosovës dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR

Prishtinë, 28 shtator 2011, NOA – Pas sulmeve të djeshme ndaj ushtarëve të KFOR-it, në afërsi të Jarinës, nga ekstremistë serbë Qeveria e Kosovës dënon fuqishëm dhunën e ushtruar. Në një komunikatë për mediat të shfaqur në faqen zyrtare të kryeministrisë, Qeveria Thaçi shpreh vendosmërinë e saj për vendosjen e plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, për zhbllokimin e rrugëve, për lirinë e lëvizjes, në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. “Reagimet e dhunshme që kanë ndodhur ndaj ushtarëve të KFOR-it janë reagime të njerëzve që janë kundër sundimit të rendit dhe ligjit, që identifikohen me struktura kriminale, me kontrabandë dhe krim të organizuar”; thuhet në komunikatë, ku nënvizohet fakti se ekzekutivi i Kosovës do të vazhdojë me përkushtim punën për forcimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, në koordinim të plotë me KFOR-in, EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës i bën thirrje qytetarëve serbë të veriut të Kosovës të mos mbështesin njerëzit e dhunshëm dhe të mos mbesin peng i strukturave kriminale, por të kenë besim tek institucionet legjitime të Kosovës, për t’i hapur rrugën zhvillimit dhe integrimit të gjithmbarshëm. mit/NOA

KOMENTE