Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shqiperia imagjinare
English

Shqiperia imagjinare

Nga Ardian Vehbiu Prej ditësh po vlon debati në mediat rreth mënyrës si trajtohet Perandoria Osmane dhe periudha e sundimit osman në tekstet tona shkollore të historisë.

Megjithëse në debat marrin pjesë historianë profesionistë dhe të tjerë intelektualë të shquar në fushat e tyre, niveli i shkëmbimeve lë për të dëshiruar, meqë pjesëmarrësit duket sikur parapëlqejnë ta likuidojnë problemin duke pretenduar se nuk ekziston.

Në fakt, ka shumëçka që duhet ndrequr në këto tekste të historisë, të cilat vijojnë ta rrëfejnë të shkuarën si të ishte përrallë ose paravoli, me të mirë dhe të ligj, heronj dhe antiheronj, engjëj dhe djaj.

Bën veçanërisht përshtypje që disa autorë flasin, pa iu dridhur qerpiku, për “pushtimin e Shqipërisë” nga “turku”, në shekullin XV, duke bërë të vetën një figurë retorike me ngarkesë emocionale patriotike, por përndryshe të konsumuar, të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare.

E keqja e një formulimi të tillë është se Shqipëria në shekullin XV nuk ekzistonte, sikurse nuk ekzistonin as shqiptarët. Këtë historianët dhe intelektualët e tjerë e dinë dhe nuk kanë nevojë për mua që t’ua shpjegoj; çfarë duket se nuk rrokin dot, është nevoja për t’u shprehur saktë, nëse synojnë t’i qasen së vërtetës, jo të vazhdojnë të recitojnë vjershat e kohës së Çajupit.

E përmend Çajupin, sepse i këtij është vargu i njohur: “Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr”, të cilin na i kanë mësuar në bankat e shkollës fillore, dhe që atëherë nuk na është shlyer më nga kujtesa.

Çajupi shkruante një vjershëz për fëmijët dhe ua paraqiste historinë në trajta të një filmi vizatimor, që këta ta kuptonin më mirë. Vocërrakëve nuk mund t’u thuash: “Perandoria Osmane pushtoi trojet e banuara prej arbërve, në Ballkanin Perëndimor”; sepse ashtu do t’i kaplonte gjumi. Që këtej, edhe nevoja për metafora të gjalla, sugjestive dhe, në thelb, foshnjore.

Çfarë është e pranueshme për vjershat e thjeshta të Çajupit, tingëllon groteske në gojën dhe në penën e intelektualëve shqiptarë të shekullit XXI.

Historianët e shqipes dhe filologët na mësojnë se fjalët “Shqipëri” dhe “shqiptar” kanë hyrë në përdorim relativisht vonë, dikur midis shekujve XVI dhe XVIII. Madje fjala “Shqipëri” dokumentohet së pari në një vjershë të Hasan Zyko Kamberit, poet bejtexhi i gjysmës së dytë të shekullit XVIII.

Arsyet pse këto fjalë u shfaqën kaq vonë janë të shumta dhe të ndërlikuara, por në përgjithësi dijetarët pajtohen se dukuria lidhet ngushtë me proceset sociale, kulturore dhe politike që u shtjelluan në trojet shqiptare gjatë sundimit osman.

Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm e quanin veten “arbëreshë” ose “arbër” (“arbneshë” dhe “arbën”, në gegërishte), sikurse na e dëshmojnë të folmet e ngulimeve arbëreshe në Itali dhe arbërore në Greqi, të cilat nuk i përdorin dhe praktikisht nuk i kanë njohur emrat “shqiptar” dhe “Shqipëri”. Edhe vendi do të ketë qenë “Arbëri/Arbni”. Nëse Skënderbeu krijoi një shtet të vetin, historianët e kanë debatuar dhe do të vazhdojnë ta debatojnë; por ky shtet gjithsesi, nuk do të ishte quajtur “Shqipëri”, por diçka tjetër; pas gjase, “Arbëri/Arbni”.

Por, do të më pyesin, ku është e keqja e transpozimit të një emri modern, si “Shqipëri”, ose të një etnonimi modern, si “shqiptar”, në kontekstin e luftërave mesjetare dhe të ekspansionit osman në Ballkan? Mos po humbim kohë këtu me lojëra fjalësh vetëm?

Mendoj se jo. Shqipëria është shteti dhe atdheu i shqiptarëve të sotëm; shqiptar është identiteti ynë qytetar dhe kombëtar. T’i bartësh këto koncepte, së bashku me emrat përkatës, forcërisht në kontekstin mesjetar, do të thotë të ftosh lexuesit, nxënësit, studentët dhe kolegët të ndërmarrin një udhëtim fantastik në kohë dhe t’i gjykojnë ngjarjet dhe proceset e pesë shekujve më parë me mendësinë kombëtare të sotme.

Me fjalë të tjera, të thuash “pushtimi i Shqipërisë prej turqve/osmanëve” do të thotë ta paraqitësh këtë ngjarje historike, tepër dramatike për ata që e përjetuan, sikur të na ketë ndodhur ne të sotmëve, që te Shqipëria shohim atdheun tonë dhe objektin e pasionit tonë patriotik.

Çajupi dhe të tjerë poetë të Rilindjes e bënin këtë qëllimisht, sepse synimi i Rilindësve ishte t’i shkëputnin shqiptarët prej Perandorisë Osmane dhe t’u jepnin atyre një vetëdije kombëtare të rrënjosur edhe në një histori – sa reale aq edhe të rindërtuar – të të parëve të tyre.

Kjo Shqipëri u krijua, sado e cunguar, në vitin 1912.

Çfarë kam frikë se u ka shpëtuar disa pjesëmarrësve përndryshe autoritarë në debatet e tanishme, është edhe se shqiptari, si identitet etnik i dallueshëm prej arbrit të kohës së Skënderbeut, është përftuar gjatë sundimit osman dhe si pasojë e proceseve që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pasojat e atij sundimi, përfshi këtu edhe konvertimin e një pjese të madhe arbrish në fenë Islame.

Dua të them me këtë se identiteti i sotëm i shqiptarit është formuar në kontekstin kur shqiptarët, në fillim si etni dhe më pas si komb, ishin popull i Perandorisë Osmane; në kundërvënie dialektike me identitetet e tjera të atij konteksti – etnike dhe fetare.

Ka një kontradiktë flagrante, në shtjellimet e të gjithë atyre autorëve, të cilët Shqipërinë e sotme e njëjtësojnë me Arbërinë mesjetare, duke e konsideruar periudhën osmane si një incident, ose sëmundje, ose të keqe të jashtme.

Osmanët vërtet erdhën në Ballkan nga tjetërkund dhe e imponuan sundimin e tyre me zjarr dhe me hekur, por sundimi i tyre shekullor la pasoja të thella në të gjithë popujt e Ballkanit, deri në atë masë sa të ketë mbetur, sot e kësaj dite, pjesë e identitetit të tyre etnik – dhe kjo vlen jo vetëm për myslimanët shqiptarë e gjetiu në Ballkan, por për të gjithë, përfshi këtu edhe katolikët shqiptarë vetë, të cilët prej sundimit osman vuajtën më shumë se të gjithë shqiptarët e tjerë.

Prandaj, edhe pse kërkesa politike e një ministri turk është, në thelb, diçka e dorës së dytë dhe pa rëndësi për kulturën shqiptare, debati që e ka ndjekur atë kërkesë është në vetvete domethënës, sa kohë që nxori në pah nevojën për ta trajtuar historinë – në të gjitha nivelet – në mënyrë historike; ose duke i bërë vend nocionit të “së bërit” (italisht: divenire, anglisht: becoming), i cili deri tani duket se përgjithësisht ka munguar, në shtjellimet dhe në vetë metodën.

Shqipëria e sotme është realitet; sikurse janë realitet shqiptarët, me virtytet dhe veset e tyre, arritjet dhe zbythjet. Shqipëria që pushtoi turku është, përkundrazi, krijim imagjinar, i cili e ka vendin në përrallat për fëmijë, por jo në arsyetime serioze për historinë dhe identitetin tonë. Madje edhe vocërrakëve, në shkollat, u duhet mëkuar, hap pas hapi dhe me kujdes, ideja se realitetet nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, por rezultat i proceseve historike; dhe se çfarë ekziston sot, nuk ka ekzistuar dje, por është produkt i asaj çfarë ekzistonte dje.

Përndryshe esencializmi, në çështje të kombit dhe të identitetit kombëtar, mund të sjellë shumë dëme, madje edhe në trajtat naive me të cilat vazhdon të formulohet, dhe jo vetëm në mediat, por edhe në trajtesat akademike. Ai sjell në debatet bagazhin sa irracional aq edhe të padëshiruar të komplekseve të superioritetit, të mitologjisë së viktimës së përhershme dhe të metodave të “kthimit në origjinë” nëpërmjet spastrimit, të cilat e shndërrojnë vizionin kombëtar në një lloj feje të vrazhdë pagane.

Mbaj mend, kur isha ende fëmijë, kisha lexuar se Pirron e Epirit e kishte vrarë një plakë në Argos, duke e goditur në kokë me një tjegull nga çatia e shtëpisë së vet. Ky incident më kishte pezmatuar pa masë, meqë kujtoja se, sikur të mos kishte ndodhur, Pirroja kushedi do të ishte gjallë e shëndoshë, madje unë mund të kisha pasur ndonjë shans për ta takuar e për t’ia bërë nja dy pyetje që më mundonin.

Kush flet sot për pushtim turk të “Shqipërisë” do të bënte mirë ta kuptonte se është duke ushqyer e rikrijuar të njëjtët skenarë imagjinarë – ose duke i shoqëruar lexuesit e vet në një udhëtim disashekullor, për t’i rreshtuar edhe një herë përkundruall hordhive osmane në Torvioll e në Albulenë.

Përkundrazi, sa kohë që shekujt e sundimit osman nuk i zhbëjmë dot, atëherë më e mira do të ishte që t’i përqendronim energjitë intelektuale jo në ri-inskenimet e betejave mesjetare, por në përpjekjet për të kuptuar se çfarë kemi trashëguar pikërisht nga ajo periudhë dhe si e çfarë mund të përdorim, nga kjo trashëgimi e pashmangshme, për ta kultivuar më tej e më plotë identitetin tonë kombëtar nesër. Gazeta "Shekulli"

KOMENTE