English

PS çon në Kuvend propozimet për tatimin e vlerës së shtuar

Tiranë, 4 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Partia Socialiste ka dërguar sot në Kuvend draft- propozimin për tatimin e vlerës së shtuar (TVSH). Kështu, PS propozon që ilaçet të përjashtohen nga TVSH dhe të mos tatohen produktet e grurit. “Në kushtet e problemeve serioze me deficitin dhe borxhin publik (sovran) të ekonomisë tonë, po ashtu si dhe të shumë ekonomive rajonale apo më gjerë, propozimi i grupit parlamentar të PS është një përpjekje serioze, për të rritur efikasitetin e administratës tatimore, uljen e evazionit të madh fiskal dhe mundësimin e luftës ndaj korrupsionit, me qëllim dhe në funksion të rritjes së konsumit dhe uljes së varfërisë në vend”, thuhet në materialin dërguar sot Kuvendit.

Sipas PS-së, përshkallëzimi i TVSH-së me 0, 10 dhe 20%, teknikisht nuk duhet të sjellë probleme në zbatim, pasi vendosja e kasave fiskale duhej tashmë të kishte ulur në mënyrë të dukshme evazionin fiskal në të gjitha hallkat. Nevojat për mallrat vaj, sheqer, oriz plotesohen të gjitha nga importi dhe përgjysmimi i TVSH-së për këto mallra do të sillte një efekt në buxhetin e shtetit jo më të madh se 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 mld lekë. Efektet financiare pasojë e kësaj nisme ligjore mund të përballohen nga të ardhurat e siguruara nga dhënia e licensës së II të 3G një kompanie të telefonisë mobile, por edhe nga përmiresimi i administrit fiskal e vecanerisht uljes së evazionit fiskal.

Ndryshimet kryesore që PS propozon të bëhen në ligj janë: Pas nenit 24/1 të shtohet neni 24/2 me këtë përmbajtje :

“Furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10%, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.

Pas nenit 24/2 të shtohet neni 24/3 me këtë përmbajtje :

“Furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetsore nga institucionet shëndetsore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.

Pika 2 e nenit 30 të hiqet.

Kuptimi i neneve të propozuara është që furnizimet me mallrat bazë të shportës konsumatore: miell, bukë, qumësht, vezë, dhe ilace, janë shërbime të tatuara në masën 0 % TVSH, ndërsa furnizimet me vaj, sheqer dhe oriz janë furnizime të tatueshme në masën 10% të TVSH-së. Projektligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën si dhe me legjislacionin fiskal që ka lidhje me të. Konkretisht projektligji është në përputhje me nenin 4 të ligjit nr. 9920, datë 15.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. a.q/NOA

KOMENTE