English

Censusi, Barka dhe Tavo kundër OMONIA: Minoriteti etnik grek të regjistrohet

Tiranë, 5 tetor 2011, NOA – Vendimi për bojkotimin e Censusit nga minoriteti grek në Shqipëri i marrë apriori nga lidershipi i OMONIA-s dëmton rëndë minoritetin madje është një vetëflijim i tij. Kështu e cilëson bojkotin dy nga përfaqësuesit e minoritetit grek në vend, deputeti i PBDNJ-së Kosta Barka në një deklaratë të përbashkët me nënkryetarin e Kuvendit Vangjel Tavo. Barka dhe Tavo e cilësojnë të gabuar dhe të dënueshëm vendimin për bojkotimin e Censusit nga minoriteti etnik grek dhe pakicat e tjera që jetojnë në Shqipëri. “Konsiderojmë të gabuar e të dënueshëm vendimin e lidershipit të OMONIAS për bojkotimin e këtij procesi. Ishte një vendim i marrë apriori, pa u këshilluar me faktorë të tjerë relevant në minoritetin etnik grek në Shqipëri, një vendim në vijim të logjikës dhe taktikës për mbijetesë politike të këtij lidershipi, sipas parimit që më mirë të kemi probleme se sa t’i zgjidhim ato, ishte një vendim për të justifikuar paaftësinë e tij totale për të udhëhequr minoritetin etnik grek në procese të kësaj natyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Kosta Barkës dhe Vangjel Tavos. Sipas dy politikanëve, njëri i PBDNJ-së dhe tjetri i LSI-së, ky qëndrim i OMONIA-s është me shumë pasoja për vet minoritetin etnik grek. “Vetpërjashtimi nga procesi i Censusit, i kërkuar me këmbëngulje për 20 vjet me radhë, me pretendime të paqena dhe duke e paragjykuar atë, përbën një vetflijim të interesave të larta të këtij minoriteti, në emër të interesave të ngushta të një grupi njerëzish në krye të kësaj organizate. Vendimi dhe thirrja për bojkotim, së bashku me disinformimin intensiv të bërë nga ky lidership në lidhje me Censusin, solli pështjellim në radhët e minoritetit grek dhe përditë po u jep ushqim qarqeve të ndryshme për pretendimet e tyre në lidhje me natyrën dhe madhësinë demografike të këtij minoriteti”, shkruhet më tej në deklaratë. Në këtë suazë dy deputetët inkurajojnë pjesëtarët e minoritetit etnik grek të bëjnë detyrën e vet ndaj ndërgjegjies etnike duke mos iu bindur thirrjeve të atyre që duan të kundërtën. Në vijim të deklaratës, deputeti Kosta Barka dhe nënkryetari i Kuvendit Vangjel Tavo theksojnë se po vihen re fenomene që bien ndesh me kuadrin ligjor që rregullon Censusin, klimën e kërkuar demokratike e bashkëkohore dhe vetpërmbajtjen e pyetësorit. Sipas tyre këto shkelje lidhen veçanërisht me pika delikate të Censusit, por që përcaktojnë në një shkallë të madhe respektimin e të drejtave të njeriut, atë të vetdeklarimit të kombësisë, fesë dhe gjuhës amtare. Në këtë pikë Barka dhe Tavo i bëjnë thirrje regjistruesve të mos tejkalojnë kompetencat e tyre dhe të mos ushtrojnë presion ndaj të regjistruarve duke i manipuluar dhe duke vënë në rrezik rezultatet e Censusit të popullsisë dhe banesave. “Përveç presionit të ushtruar nga shoqata të ndryshme apo edhe faktorë të tjerë, anketuesit tejkalojnë në mënyrë të dukshme kompetencat e tyre. Kërkojnë dokumente vërtetuese për deklaratën e bërë për kombësinë greke. Ushtrojnë presion që të anketuarit të shmangin tërësisht këtë pikë ose të shmangin vullnetin e tyre për identitetin etnik e fetar dhe të deklarojnë atë që duan anketuesit. Përdorim mjete e mënyra që pyetësori të mund të manipulohet. Veprimet e kësaj natyre duhet të marrin fund në mënyrë të menjëhërshme për arsye se venë në pikëpyetje serioze rezultatin real të Censusit”, deklarojnë dy përfaqësuesit e Kuvendit, Tavo e Barka. Ata nënvizojnë më tej se të gjitha këto presione dhe probleme ulin në maksimum kredibilitetin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare në respektimin e ligjeve të veta, sidomos respektimin e të drejtave të njeriut. Sipas tyre shkelja e standardeve të Censusit do të bëhej pengesë edhe për integrimin e vendit në familjen europiane. mit/NOA

KOMENTE