English

Kryeprokuroja në Kazakistan për trafikun e qenieve njerëzore

Kazakistan, 5 tetor 2011, NOA - Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama, mori pjesë në Konferencën e 6-të Rajonale të vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore si dhe të Azizë Qëndrore të organizuar nga Shoqata Ndërkombetare e Prokurorëve dhe Prokuroria e Përgjithshme e Kazakistanit. Konferenca e cila po zhvillohet në Astana, Kazakistan, nga data 4 deri më 7 tetor 2011, me temë “ Roli i Prokurorisë në zbatimin e ligjit jashtë fushës së drejtësisë penale”. Gjatë zhvillimit të kësaj konference, Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama, do të drejtojë seancën mbi temën “Mbrojtja e të drejtave të viktimave të trafikut të qenieve njerëzore”. Gjatë vizitës së saj në Kazakistan, Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama, pati një takim bilateral me Prokurorin e Përgjithshëm të Kazakistanit, Z. Askat Daulbayev. Në takim u trajtuan çështje të problematikës që hasin insitucionet përkatëse të prokurorisë në përmbushjen e detyrës së tyre në zbatim të ligjit. Kryeprokurorja Z. Ina Rama bëri një ekspoze të punës së Prokurorisë Shqiptare duke theksuar se prioritetet e punës së saj janë lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe trafiqeve. Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm i Kazakistanit, Z. Askat Daulbayev, shprehu interesin për shtimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe me vendet evropiane. Duke shpjeguar faktin se Prokuroria e Kazakistanit ka kompetenca në fushën civile dhe monitoron edhe aktivitetin e firmave private, Z. Daulbayev u shpreh se në Kazakistan ushtrojnë aktivitetin e tyre investitorë shqiptarë, të cilët me këtë rast u komplimentuan nga ana e tij për nivelin e tyre profesional. Gjatë ditëve të zhvillimit të Konferencës, Kryeprokurorja Ina Rama pati takime të shkurtra dhe kontakte me përfaqësues e titullarë institucionesh të vendeve të ndryshme, të cilët treguan interes për punën e Prokurorisë Shqiptare dhe u angazhuan për forcimin e marrëdhënieve mes tyre. a.q/NOA

KOMENTE