English

Yllka Muja: Prapaskenat në Kinostudiom si i fitonim rolet

INTERVISTA/ Ish-këngëtarja dhe aktorja e talentuar, Yllka Mujo, rrëfen si u zgjodh në kinoprovën e filmit të saj të parë, “I teti në bronz” Albert Zholi Gjithmonë e sheh të qeshur, por kjo s’do të thotë se gjithmonë ka luajtur role komike. Përkundrazi, në teatër rolet e saj më të bukur, më të arrirë, kanë qenë ata dramatikë. Rrëfimi i saj është i sinqertë, ku vë re se në fjalët e saj ka përpikmëri, rrjedhshmëri, logjikë. Flet dhe thith cigaren, duke përhapur pak mjegull në tavolinë, por jo në memorien e saj. Ka një memorie perfekte që do t’ia kishte zili çdo historian apo matematicien. Kur përmend detaje të moshës fëminore qesh, pasi tashmë i duken të pafajshme disa gabime, por edhe të bukura për moshën. Ajo që më befasoi në bisedën me të, ishte se për herë të parë mësova se karrierën e saj artistike, Yllka nuk e ka nisur si aktore, por si këngëtare. Dhe këngëtare jo dosido, por një këngëtare që në fëmijëri në Festivalin e Pallatit të Pionierëve të Tiranës ka zënë vendin e parë plot gjashtë herë. Ndoshta, një rekord që është lënë pa dashje në harresë, por që duhet të theksohet në festivale të tillë. Dhe Yllka nuk ishte një këngëtare dosido, por një këngëtare që në moshën e fëmijërisë këndonte këngë të Vaçe Zelës dhe gjithmonë merrte duartrokitje. Dhe pse nga shtati vajza po ja kalon, vetë Yllka ka po atë energji, freski, dhe më së shumti, e shpreh në skenën e Teatrit Kombëtar, ku ajo për mëse 3 dekada ka lidhur jetën, por dhe ëndrrat e saj. Ku e ka nisur rrugën e bukur të artit Yllka Mujo? Aty ku mosha e fëmijërisë më thurte ëndrrat më të bukura. Ku çdo fëmijë merr gëzimin e parë të jetës, pra tek kënga. Dëgjoja shpesh Vaçe Zelën në radio dhe më magjepste. Më dukej hyjnore. Më dukej e paarritshme. Në shtëpi mundohesha ta imitoja dhe këndoja këngët e saj. Kënga është qetësia e shpirtit, është ajri i pastër, është fjala e ngjizur në tingujt e muzikës. Pra, me këngën unë e nisa rrugën e bukur, por të vështirë të artit. Dhe ku e filluat këtë rrugëtim kaq të bukur? E fillova tek Pallati i Pionierëve të Tiranës. Ishin vite të bukura ato. Nuk dua të komentoj regjimin totalitar, pasi si fëmijë ne nuk merreshim me politikë. Por unë shihja këngën, ëndrrën time në këtë pallat. Cila ka qenë kënga e parë që ke kënduar në festivalet e fëmijëve? Ka qenë një rast unik në këtë paraqitje. Me debutimin e parë kam marrë çmim të parë. Ishte festivali i parë i këngës për fëmijë i Pallatit të Pionierëve Tiranë. Ishte viti 1964. Isha vetëm 11 vjeç. E imët, e gjallë, e shkathët me një zë që ma pëlqenin të gjithë. Këndova këngën “Atdheu”. Ku ishte e veçanta e debutimit? Për këtë këngë ishte përgatitur Ermira Çiço për ta kënduar. Ndërsa, mua fshehurazi, ma kishte përgatitur profesor Tonin Harapi, që ta këndoja. Ai më thotë në mënyrë të fshehtë: “Ditën e festivalit do të dalësh ti ta këndosh dhe mos i thuaj gjë Ermirës”. Unë i them se nuk jam e përgatitur mirë. “Nuk ka gjë”,- thotë ai. Kur doli spikeri dhe mamaja e Ermirës që ishte në rreshtin e parë dhe pret Ermirën të dalë..kur ja...del spikeri dhe thotë se këngën “Atdheu im” do ta këndojë Yllka Muja. Nëna e Ermirës shtangu. Ishte festivali i parë dhe për mua, pjesëmarrja e parë. Fitova çmim të parë. Çfarë mban mend tjetër nga ky festival? Mbaj mend nga festivali i parë dhe vëllanë që e tërhiqja për dore, se i vinte turp që të vinte, dhe kemi kënduar një këngë për nënën. Pra, po në këtë Festival këndova me vëllanë tim një këngë tjetër. Vëllai im kishte një zë shumë të bukur dhe i dhanë të këndonte një romancë të Tonin Harapit. Si e vazhduat rrugën si këngëtare? Me shumë sukses. Gjashtë vjet kam marrë vetëm çmime të para si këngëtare në festivalet për fëmijë. Më pas, kam marrë pjesë në të gjithë festivalet, në dekadat e majit. Kjo do të thotë që vazhduat shkollën për muzikë? U futa për kanto, pastaj në lice. Vazhdoja shkollën për muzikë. Më pëlqente shumë kënga dhe nuk mendoja ndonjëherë se mund të bëhesha aktore. Isha shumë e lidhur me këngën. Kur dhe si filloi karrierën e aktrimit Yllka? Rastësisht. Fare rastësisht. Atëherë kur s’e prisja. Konkretisht? Isha në një festival fëmijësh në TOB. Kur dola nga opera, që isha spektatore, i fola nuses së Ilia Tërpinit. Kur më pa Ilia, më tha: “A ke dëshirë të lozësh në film?”. “Po”,- i them. Ai më tha se do të vinte të nesërmen në Lice që të më kërkonte. Të nesërmen kur unë isha në korr në orët e fundit, vjen Ilia dhe nxjerr Teuta Martin, Zana Turkun dhe më thotë: “Hajde dhe ti Yllka”. Na merr me vete dhe na çon në Kinostudio. Aty takuam Ibrahim Muçën, i cili na jep një tekst për të lexuar. E lexuam tekstin unë dhe Teuta. Për Teutën thanë: “Bëjini një fotografi dhe këtë tjetrën çojeni në grim”. Fjalën grim nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Më dukej si një fjalë e huaj, si fjalë e pakuptueshme për moshën. Shkova dhe u ula në karrige. Ma bënë grimin, më futën në një studio dhe bëmë disa foto dhe dolëm jashtë. Më kërkuan adresën e shtëpisë dhe më thanë: “Do të lajmërojmë në qoftë se do na duhesh”. Ikët me pesimizëm? Kur po dilja aty ishte një person me emrin Agim dhe më thotë: “A ke dëshirë që t’i shikosh fotot që janë bërë pas grimit?”. “Po”,- i them. Më futi në dhomë dhe më tregoi 150 fotografi femrash, që ishin provuar dhe më tha mua se tani më e përzgjedhura është një nga Lushnja, që studionte për mjekësi. Bëhej fjalë për filmin “I teti në Bronz”. Ajo ishte shumë e bukur dhe unë i humba shpresat. Kaluan ditë. Një ditë kur po kthehesha për në shtëpi, tek ura e vogël e Kinema Agimit, takoj një punëtor të Kinostudios, i cili kishte qenë atë ditë kur unë po grimohesha. Ai më tregoi se unë e kisha fituar rolin. U gëzova dhe bërtita në mes të rrugës. Kur filloi xhirimi? Filloi xhirimi në semestrin e dytë të Liceut. Ato muaj ikën shumë shpejt. Ishte filmi i parë. Ishte një rrugë e pashkelur. Ëndrra të reja po më shfaqeshin në horizont. Sa s’fluturoja nga gëzimi. Ku xhiruat? Kemi xhiruar në Korçë dhe një vend i bukur, me ajër të pastër. Atëherë vetëm në Korçë shiteshin rrobat që vinin nga doganat dhe shumë herë i shiste shteti. Atëherë mbaj mend se kam blerë dy këmisha nate, një për vete dhe një për motrën time, ngjyrë rozë. Ke pasur ndonjë moment kur ke ngecur në realizimin e filmit? Një herë më ka bërtitur një regjisor dhe u preka shumë. Aty kam njohur, por dhe kam luajtur me aktorët e mëdhenj Sandër Prosin dhe Mevlan Shanajn. Ishin ditë të veçanta. Me Mevlanin u bëmë partnerë edhe tek filmi “Rrugicat që kërkonin diell”, etj. Kur e patë veten në film, çfarë keni ndjerë? Shfaqjen e filmit e kam parë tek kinema “Agimi” dhe kam shkuar me prindërit. Ka qenë një emocion i madh, pasi dihej se njerëzit më njihnin si këngëtare. Kur më panë në film ka pasur një elektricitet në sallë. Por, kënaqësia më e madhe ishte e prindërve. Kur mbaroi filmi, duke pasur parasysh se në sallë kishte shumë nga lagjja, filluan të më duartrokisnin dhe të më uronin. Ishte ditë e veçantë në jetën time. Një ditë tejet e bukur dhe me emocione. Dhe pastaj filmi i dytë? Filmi i dytë ka qenë “Malet me blerim mbuluar”. Më bënë një kinoprovë. Kinoprovën e bëra me Timo Fllokon. Pastaj më thanë se nuk do të ishte Timo partneri im, por do të ishte një tjetër. Pas pak më dhanë të shikoja fotografinë e Viktor Zhustit. Viktori në foto m’u duk shumë i egër. Por, dhe roli i dytë doli me sukses. Pra nga këngëtare tashmë në aktore. Unë isha soprano me një zë brilant. Meqë në Pallatin e Pionierëve kisha kënduar vetëm në zërin e dytë dhe në lice kisha një kërcitje të vogël në grykë, që më kalonte nga zëri i grykës te zëri i kokës. Kjo gjë ndjehej qartë. Ishte, pra, një defeçit që më lindi. Ishte kjo arsyeja që më ka bërë që unë mos ta vazhdoja më kanton. Kisha frikë nga ky defekt se nuk do realizoja atë çka kisha në dëshirat e mia. Pra, nuk isha e përsosur. Po ta kaloja këtë gjë, do të isha një këngëtare e mrekullueshme. Është karrierë që mbeti në mes. Jeni penduar që nuk u bëtë këngëtare, por aktore? Më vjen keq se është një karrierë që ka ngelur e papërfunduar. E nisa një karrierë dhe e ndërpreva shumë shpejt. Më vonë, vazhdova për dramë, për aktore. E ndjen se do të ishe më mirë këngëtare se sa aktore? Jo. Kam marrë kënaqësi edhe në këtë drejtim. Unë kam ndjekur teatrin, por dikur më ka pëlqyer shumë filmi. Unë hyra në këtë botë, sepse më joshi si fillim filmi. Kisha disa vjet që këndoja, por bota e filmit, dhe e teatrit, është shumë e bukur. Po si këngëtare kush të zbuloi? Siç thashë, kam kënduar në shtëpi këngët e Vaçes. Këndoja me zë të lartë. Kam pasur komshi Antigoni Hoxhën, që ishte mësuese muzike. Ajo më dëgjon një ditë dhe më thotë se isha një bilbil i vërtetë. Dhe shkon në Pallatin e Pionierëve. Ajo më thotë: “Do të shkosh dhe të takosh Tonin Harapin”. Shkoj te Pallati i Pionierëve dhe takoj një burrë që i bie fizarmonikës dhe i lutem që të më ndihmojë. “Dua Tonin Harapin”,- i thashë. “Unë jam”,- më thotë. “Jam ajo goca që të ka folur zysh Antigoni, që të këndoj.” U futëm brenda dhe unë këndova këngën “Violina Cigano”. Kur më dëgjoi Tonini, ngeli një moment dhe më tha: “A mund të mësosh një këngë tani?” Kjo ishte kënga e Zana Turkut. Kënga “Dy letrat”. E mësova këngën dhe e këndova. Buçiti pallati. Zana ishte moshatare me mua, por kishte ardhur në pallat përpara meje. Ai ngeli i befasuar. Po me Ema Qazimin, në ç’kohë je njohur? Jam njohur që në Pallatin e Pionierëve. Ema erdhi nga Kamza, pasi këndonte në Kamëz. Erdhi më takoi dhe më thotë që ta ndihmoja të këndonte në Pallatin tonë të Pionierit. E ndihmova. Kur ishim në Lice, ajo ishte një vit poshtë meje. Pastaj shkuam në Institutin e Arteve, po bashkë. Ajo vazhdoi për aktore dhe përsëri një vit poshtë meje. Ema pas shkollës, ndenji në teatër dy vjet dhe luajti disa role. Kemi qenë edhe dublante në një rol. Pastaj, ajo shkoi në Estradë, sepse ajo donte të këndonte. Kush kanë qenë rolet më të vështira në film dhe në teatër? Më i vështiri ka qenë roli në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”, sepse ka qenë rol me shumë dimensione. Në teatër ka shumë role që kanë qenë shumë të vështira. Unë kam nisur që në fillim me role shumë të vështira. Që 25 vjeç, kur kam bërë “Liza Milerin”. Në moshën 24 vjeçe, kam bërë rolin “Vizita i inspektorit”. Kënaqësia ime ka qenë në punë. Unë kam bërë komedi, dramë, pra, të gjitha zhanret, dhe tani vazhdoj e punoj. Jeta në profesion dhe familja. Unë nuk i ndaj dot familjen dhe teatrin. Gjithë kohën, energjinë ma ka marrë skena. Unë kur jam në skenë nuk impresionohem nga publiku. Kur futem në skenë, unë them se është një mrekulli. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me publikun. Arti, sot? Ekonomia e tregut ka shkatërruar shumë gjëra. Financohet shumë pak për artin. Nuk përqafohet sa duhet. Arti është pasqyra dhe fytyra e kombit. Kur shikon një komedi apo opera, aty shikon se çfarë mentaliteti ka ky komb. Sa role keni luajtur? Në teatër nuk i numëroj dot. Role kryesore mund të jenë 80 role. Por role të dyta, janë edhe më shumë. “Nata e 12” Ja si këndoja bashkë me Loçon në skenë Po, a ka kënduar ndonjëherë në skenë si aktore? Kësaj pyetje aktorja e mirënjohur, Yllka Mujo, i përgjigjet: “Kam kënduar tek “Nata e 12” e Shekspirit. Ishte roli që këndoja. U mundova që ta shfrytëzoj në teatër këtë gjë. Ëndërr kam pasur që të bëja një mbrëmje muzikore dhe të këndoj këngë operistike dhe të muzikës së lehtë, dhe këngë franceze në një ambient të vogël. Këtë e kam ëndërr. Edhe sot, mund të këndoj, këtë e dua për kënaqësi e jo për bujë”. “Muajt e mjaltit” Ja filmi i fundit, ku kam luajtur Po, a i mungon filmi sot? Aktorja e njohur Yllka Mujo përgjigjet: “Nuk mund të them se më mungon. Filmin e fundit e kam pasur me regjisor të njohur në Evropë, që ka qenë President i Venecias në festivale. Ky është serb. Në kohët e Millosheviçit, nuk i ka pranuar politikat që ka ndjekur Millosheviçi ndaj Kosovës. Ai ka ikur dhe jeton në Paris. Tani që ajo kohë ka ikur, ai ka dy rezidenca: një në Paris dhe një në Serbi. Ky ishte një film me dy histori paralele. Filmi quhet i përkthyer “Muajt e mjaltit”, tregon për dy çifte dhe dy dasma. Është një film i mirë dhe ka marrë disa çmime. Tre çmime i mori vetëm në Spanjë. Ky film është kritikuar nga mediat serbe. Atë natë që kam qenë unë në premierë, filmi është pritur shumë mirë dhe ka qenë një sallë 3000 vendëshe, në Serbi. Pas shfaqjes na kanë marrë intervista dhe na kanë pritur shumë mirë, dhe kemi mbresa shumë të mira. Arti përfaqëson dhe përhap paqe”. Festivali për fëmijë Gjashtë herë në vendin e parë “Kam zënë plot gjashtë herë vendin e parë në Festivalin e këngëve për Fëmijë. Festivali i parë është bërë në vitin 1962. Në vitin 1964 unë kam qenë në Shkodër me Zanën. Çmimin e parë e ka marrë kori, të dytin unë dhe të tretin e ka marrë Zana. Tonin Arapi ka qenë me fizarmonikë dhe këndohej kënga “Atdheu im”. Ndërsa i dyti ka qenë në maj të vitit 1966”. “Zonja nga Qyteti” Rajmonda Bulkun, regjisori e gjeti në Cërrik Në filmin “Zonja nga Qyteti”, ajo ka pasur një rol shumë të spikatur. Ja ç’thotë Yllka Mujo: “Atë rol e kisha luajtur edhe në teatër. Piro Milkani përveçse aty, më tha të luaja dhe filmin. Në këtë kinokomedi doli për herë të parë si aktore Rajmonda Bulku, që regjisori e gjeti në Cërrik (një gjimnaziste) dhe i pëlqeu nga pamja. Ai film ka qenë shumë i bukur. Shkova verën e kaluar në atë vend, për të kujtuar atë kohë dhe m’u duk një fshat tjetër, përveç ujit që kalonte. Atëherë ka qenë një mrekulli. Sot?” Aktorët e mëdhenj Lidhja ime me Marie Logorecin e Sandër Prosin Por me cilët ka pasur më shumë lidhje nga aktorët e mëdhenj shqiptarë? Kësaj pyetjeje Yllka Mujo i përgjigjet: ”Më shumë me të vjetrit. Me Marie Logorecin kam pasur më shumë lidhje dhe me Emën, shkonim çdo ditë në shtëpinë e Marijes. Unë kam qenë natyrë kureshtare dhe doja të rrija më shumë me ata që dinin dhe të ofronin ndihmë. Me Sandër Prosin rrija shumë, sepse edhe në disa role, kam qenë partnere e tij. Por, jo pak jam shoqëruar me Drita Pelingun dhe me shumë të tjerë. Kam mësuar dhe kam luajtur dhe me të madhin, Kadri Roshi. Ai para se të ndërronte jetë, i shkova në shtëpi për vizitë.

KOMENTE