English

Presidenti Topi: Turqia partner strategjik i Shqipërisë

Ankara, 10 tetor 2011, NOA – Nga kryeqyteti turk ku ndodhet për një vizitë treditore, Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se Turqia mbetet një partner strategjik i Shqipërisë. Pas takimit kokëkokë me Presidentin turk Abdulla Gyl, Kreu i Shtetit shqiptar deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun turk pak momente më parë, se ka folur për intensifikimin e marrëdhënieve shumëplanëshe dhe ato në fushën e ekonomisë. Duke iu referuar marrëdhënieve me Turqinë në fushën e arsimit, Presidenti Topi deklaroi se shkollat turke të hapura në Shqipëri janë tejet cilësore. “Ne inkurajojmë që shkollat turke të shtohen në vendin tonë pasi ofrojnë cilësi. Nga këto shkolla dalin njerëz të shkolluar që do t’i shërbejnë të ardhmes së vendit”, tha zoti Topi. Kryetari i Shtetit deklaroi edhe mirënjohjen e tij për mbështetjen e fuqishme që Turqia i ka dhënë Kosovës dhe njohjes së saj nëpër botë. “Ne i jemi shumë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e veçantë që i ka bërë Kosovës. Kosova nuk ofron destabilitet, ajo i shërben ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, veçoi Kreu i Shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, ndodhen në Turqi për një vizitë zyrtare treditore, me ftesë të Presidentit turk, Abullah Gyl. Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Republikën e Turqisë, Presidenti i Republikës do të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan, Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, si dhe do të marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Biznesit turko-shqiptar, ku Kryetari i Shtetit Shqiptar pritet të mbajë fjalën përshëndetëse. Në përmbyllje të vizitës, Presidenti Topi do të zhvillojë një takim dhe me përfaqësues të bashkësisë shqiptareTurqi. mit/NOA

KOMENTE