English

Dorëzohet hangari i helikopterëve në Bazën Ajrore të Farkës, investim një milion euro

Tiranë, 11 tetor 2011, NOA- Një ceremoni për dorëzimin e hangarit të helikopterëve nga ana e delegacionit Italian DIE u bë sot në Bazën Ajrore të Farkës. Në këtë ceremoni morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, Ambasadori Italian Saaba D’Elia, Atasheu Ushtarak Italian të akredituar në vendin tonë, kolonel Dieggo Regali, zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, si dhe personaliteteve e titullarëve të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në fjalën e mbajtur me këtë rast ministri Imami, theksoi se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për Forcat Ajrore Shqiptare, duke bërë të mundur realizimin e objektivave të Forcave të Armatosura. Ministri Imami tha se, “Ky investim prej rreth një milion euro, që përfshin tre hangarë për sistemimin e helikopterëve, infrastrukturë mbështetëse dhe teknologji komunikimi është një vlerë e shtuar e të gjithë kontributit që vendi ynë fqinj, Italia, ka dhënë për të rritur kapacitetet e Forcave të Armatosura. Ky është një program i cili përfshin personelin, teknikën dhe infrastrukturën. Është një program kompleks, thelbësor, i cili ka prekur të gjitha fushat e zhvillimit të kësaj Force, kështu që ne ju jemi me të vërtetë mirënjohës dhe ju falenderojmë për këtë angazhim. Nisma e këtij projekti është një provë e re e miqësisë së dy vendeve tona, e gatishmërisë që ka patur vendi juaj për të na ndihmuar gjatë këtyre 20 viteve. Kështu, dua të falenderoj të gjitha vendet anëtare, të cilat kanë mbështetur Forcat tona të Armatosura, për të qenë e aftë dhe për të patur standardet që duhen si një Forcë e një vendi anëtare të Aleancës. Sipas tij, Qeveria shqiptare është e vendosur t’i shkoj deri në fund projektit për të mbështetur pilotët tanë, të cilët për herë të parë kanë realizuar normat standarde si një vend Aleat, për sa i përket orëve të fluturimit. Ndërkohë nga ana e tij, Ambasadori italian Saaba D’Elia, u shpreh se: “Rikonstruksioni total i hangarit të helikopterëve në Bazën Ajrore të Farkës, është një investim i rëndësishëm pas investimeve të tjera të realizuara në vitet e kaluara nga DIE. Nëse sot kjo bazë konsiderohet si një nga bazat më të rëndësishme ajrore për aktivitetet e fluturimeve, mendoj se Italia mund të ndihet krenare që ka kontribuar me vendosmëri për të arritur këtë rezultat dhe shpresoj që në të ardhmen dy vendet tona të bashkëpunojnë edhe në projekte të tjera madhore, në kuadër të cilësisë infrastrukturore të Bazës Ajrore, për ta transformuar atë në një bazë sipas standardeve të NATO-s”. Më pas, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Dhori Spirodhari dhe Komandanti i DIE-s, kolonel Diego Regali nënshkruan firmosjen e këtij akti. Në përfundim të kësaj ceremonie ministri Imami, i dorëzoi certifikatën e mirënjohjes kreut të Delegacionit Italian të Ekspertëve, kolonel Regali. Ndihma e Delegacionit Italian të Ekspertëve daton me fillimin e projektit 408, e cila kap shifrat e afro një milion eurove, përbëhej në tre drejtime kryesore. Mësohet se Baza Ajrore e Farkës vetëm në dy vitet e fundit ka përballuar dy emergjenca të vështira dhe të rëndësishme, si dhe ka arritur normativat e NATO-s për stërvitjen, 180 orë fluturim për pilot, një normativë tepër e guximshme. Sakaq para ceremonisë së dorëzimit të hangarit të helikopterëve nga ana e DIE në Bazën Ajrore të Farkës, janë trajnuar 26 pilotë, 28 teknikë, janë dhuruar 7 helikopterë AB-206 dhe AB-205, janë ndërtuar 3 hangarë për strehimin e helikopterëve, janë ndërtuar dy sheshe ulje dhe janë ndriçuar ata për fluturimin natën, është ndërtuar kulla e drejtimit të fluturimeve si dhe janë dhuruar pjesë këmbimi dhe ndihmë teknike e konsiderueshme. a.y/NOA

Në foto: Pamje nga ceremonia për dorëzimin e hangarit të helikopterëve nga ana e delegacionit Italian DIE u bë në Bazën Ajrore të Farkës

KOMENTE