English

Kuvendi Civil letër qytetarëve kundër importit të plehrave

Tiranë, 11 tetor 2011, NOA- Kuvendi Civil u ka dërguar një letër qytetarëve lidhur me importin e plehrave ku u kërkohet që ti thonë jo importit të tyre. Në letrën e Kuvendit Civil renditen disa arsye pse duhet kundërshtuar importi i mbetjeve ndër to, helmet nga përpunimi i plehrave plastike, letër, plumbi etj., të cilat helmojnë ujërat nëntokësore dhe ujin e pijshëm. Theksohet më tej se nga uji dhe ajri i ndotur ndotet i gjithë zinxhiri ushqimor me pasoja të pa parashikueshme për çdo gjallesë dhe për njerëzit, ku dioksina që prodhon djegien e plehrave që digjen prodhon kancer.

Letra e Kuvendit Civil për qytetarët shqiptar:

I dashur qytetar civil që merr këtë letër. Po të drejtohemi ndërmjet këtij shkrimi për t’ju vënë në dijeni për miratimin e ligjit 69-sh me tematikë : “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” nga të ashtuquajturit përfaqësuesit tanë. Çfarë është ky ligj?. Cila është kjo çështje ?. Dhe pse ne jemi kundra këtij ligji ?. Dhe përse kërkojmë që ju të na bashkoheni në rrugën tonë? Gjithçka ka filluar në vitin 2004, nën drejtimin e kryeministrit të asaj kohe, z. Fatos Nano, ku u miratua një marrëveshje me kompaninë italiane “Albania beg”, për vendosjen e një impianti plehrash në Tiranë, dhe u lejua importimi i plehrave nga Italia në Shqipëri. Një marrëveshje që shkaktoi shumë reagime dhe protesta para kryeministrisë. Marrëveshja parashikonte importimin e së paku 4500 ton plehra nga Roma për në Sharrë të Tiranës dhe marrëveshja në atë kohë u firmos nga tre ministra të qeverisë shqiptare. Z Berisha në atë kohë në opozitë, ishte kundra kësaj marrëveshje të cilësuar anti-shqiptare për Importin e plehrave. Marrëveshja u la pezull, për t’u konkretizuar tashmë në 2010 me një vendim të qeverisë Berisha, që në atë kohe e kundërshtoi. Mbas reagimeve të shumta të shoqërisë civile dhe grupeve të ndryshme të interesit, qeveria përsëri nuk e vuri në zbatim këtë VKM - ANTISHQIPTARE , dhe ja ku vijmë në 22 Shtator 2011, ku parlamenti vetëm me 69 vota, votoi miratimin e këtij ligji Antikombëtar. Tashmë pas miratimit të këtij ligji, të gjithë plehrave të botës i është hapur dera dhe këta politikanë plehra që ne kemi në krye duan që Shqipërinë ta kthejnë në destinacionin e radhës, jo për turizëm, por ne një kosh të madh plehrash për mbarë botën.

Në mbështetje të kësaj nisme janë:

Kuvendi Civil Shqiptar (KCSH)

Forumi Rinia Aktive (FRA)

Kuvendi i Gruas Civile (KGC)

Kuvendi i Hapur Civil (KHC)

Agjencia Kombetare e Inovacionit (AKI)

Kuvendi i Patrioteve Civil (KPC) a.y/NOA

KOMENTE