English

Shpërthimi në Bulqize, reagon METE

Tiranë, 18 tetor 2011, NOA/Update - Ngjarja e sotme në minierën e Bulqizës, ku pas një shpërthimi në pusin numër 2 në galerinë e minierave, humbi jetën një minator dhe u plagosën disa të tjerë, ka vënë në lëvizje të gjithë aparatin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, sepse ngjarja ka ndodhur disa ditë pasi nga METE është lëshuar një urdhër për pezullimin e punimeve në Minierën e Kromit Bulqizë deri në vënien në gadishmëri pune të saj, në lidhje me sigurinë në punë. Ky urdhër mban datën 10.08.2011. Sipas deklaratës së METE, një ekip pune është ngritur menjëherë nga Ministri i METE, Nasip Naço, dhe nën drejtimin e zv/ministrit Neritan Alibali është nisur me urgjencë drejt Bulqizës nëpërmjet helikopterit. Specialistët e nisur drejt Bulqizës, do të verifikojnë nëse punëtorët e firmës koncensionare ACR, ishin duke kryer veprime kundër urdhrit të dhënë nga METE, apo ishin në minierë për riparimin e defekteve të konstatuara për shkak të ndërprerjes së punimeve. Gjatë gjithë kohës, Ministri i METE, Nasip Naço ka qenë në lidhje të vazhdueshme me Ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, duke ndjekur nga afër transportimin dhe ecurinë e shëndetit të të plagosurve në minierën e Bulqizës. Ndërkohë Ministri Naço, i shpreh ngushëllimet e tij familjes së punonjësit Naim Shyti, dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve në këtë ngjarje tragjike. Për Ministrin Naço, nxitimi i disa politikanëve për të fituar kredo politike nga fatkeqësitë, nuk është njerëzore. “Nëse ndokush shpreson të fitojë nga fatkeqësitë, ai është i pashpresë”, deklaroi ministri Naço. a.q/NOA

KOMENTE