English

Qeveria dënon incidentin në Istog

Prishtinë, 20 tetor 2011 NOA - Qeveria e Republikës së Kosovës dënon incidentin që ndodhi sot në fshatin Dobrushë, të Burimit (Istogut) ku humbi jetën një qytetar i komunitetit serb, dhe dy të tjerë u plagosën, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Me këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Pavarësisht rrethanave se si ka ndodhur ky akt, aktet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Qeveria rithekson se Republika e Kosovës është shtet demokratik, që përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike, një shtet ku toleranca dhe bashkëpunimi mes komuniteteve, është ndër vlerat më kulmore të shtetit tonë të ri.

Në këtë kuadër, çdo akt që dëmton klimën e mirë të tolerancës dhe të bashkëpunimit mes komuniteteve, është i dënueshëm dhe i patolerueshëm nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Qeveria fton organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjithë hapat e duhur që kryesit e këtij akti të rëndë të nxirren para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. a.b/NOA

KOMENTE