English

Largohet nga detyra Shaban Memia, kreu i ALUIZNI

Tiranë, 27 tetor 2011 NOA – Shaban Memia, drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale), ka lënë detyrën e tij që e mbante prej afro katër vjetësh.

Burime nga ALUIZNI i konfirmuan sonte agjencisë NOA se z.Shaban Memia ka paraqitur dorëheqje të parevokueshme pranë kryeministrit të vendit.

Ndërkohë burime nga kryeministria thanë për agjencinë NOA se dorëheqja e z.Memiaq është nën shqyrtim ende nga kryeministri dhe nuk ka një përgjigje zyrtare.

Mësohet se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave do të shpallet vendimi për pranimin ose jo të dorëheqjes së z.Memia si dhe emërimin e mundshëm të drejtuesit të ri.

Largimi nga detyra i z.Memia shihet nga burime pranë ALUIZNI-t për agjencinë NOA, si një dorëheqje e detyruar.

Gjithçka nisi para pak javësh, më 4 tetor kur z.Memia urdhëroi shkarkimin e z. Ferdinand Shehu, me detyrë drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën.

Zyrtarisht Memia tha se shkarkimi nga detyra u bë për mungesë të integritetit personal. Sipas tij, Shehu ka mashtruar organet emëruese, duke mos deklaruar 4 vjet punë që ka bërë në hetuesinë e Vlorës në periudhën komuniste.

Por dy ditë pas shkarkimit që ndërmori z.Memia, Kryeministri e zhvlerësoi duke kthyer në detyrë z.Shehu.

Menjëherë më pas, Kryeministria dërgoi një grup kontrolli në drejtorinë qendrore të ALUIZNI, kontroll i cili ende nuk ka përfunduar.

e.t/NOA

KOMENTE