English

Ahtisaari plus apo mashtrimi i ri i Serbisë?

Nga Roland Gjoni

Tensionet ndëretnike në veriun e Kosovës dëshmojnë se Kosova mbetet vatër e konfliktit që mund të shpërthejë nga çasti në çast. Kriza e tejzgjatur në kufi tregon qartë që Kosova nuk mund ta integrojë veriun me veprime sporadike e krekosje mediatike të qeveritarëve. Tre muaj pas zbatimit të reciprocitetit tregtar me Serbinë, as Kushtetuta e as sovraniteti i Kosovës nuk zbatohen në veri dhe ngjarjet e fundit në vend që ta shkrijnë konfliktin vetëm sa e kanë ndërkombëtarizuar atë si problem që kërkon zgjidhje afatgjatë. Konflikt të pazgjidhshëm nuk ka nëse palët i shprehin hapur interesat e tyre dhe angazhohen ndershmërisht për zgjidhjen, por zgjidhja në këtë rast bëhet e vështirë sepse Serbia as nuk i shpreh interesat reale të saj dhe as nuk angazhohet sinqerisht për zgjidhje.

Pasi ka dështuar ta bindë perëndimin për shkëputjen e veriut, aktualisht Serbia po kërkon përkrahje ndërkombëtare për planin “Ahtisaari Plus” që rreket ta shesë si zgjidhje novatore pa shkëmbime territoriale. Ahtisaari Plus është diskutuar si model para shpalljes së pavarësisë në Vjenë dhe është refuzuar nga Serbia me shpresën se me ndihmën e Rusisë do të mbante edhe veriun edhe Kosovën. Ahtisaari Plus bazohet pak a shumë në tre shtylla kryesore. 1) avancimin e statusit të serbëve në veri të Kosovës përtej Pakos së Ahtisaarit duke krijuar një entitet politik autonom me sistem doganor, policor, gjyqësor dhe ligjor të ndarë nga ai i Kosovës, 2) trajtimin e zonave të mbrojtura përreth manastireve si zona ekstraterritoriale jashtë sovranitetit të Kosovës dhe 3) një rol më të fortë të BE-së në veri si garant i autonomies së serbëve. Rajoni autonom formalisht do të mbetej brenda Kosovës ndërsa praktikisht do të qeverisej nga Beogradi si vazhdim territorial i Serbisë ku prania e BE-së më shumë se garanci për serbët e veriut do kthehej në urë të Beogradit për në Bruksel. Kalimi nga plani i Ahtisaarit drejt Ahtisaarit Plus kërkohet bazuar në argumentin se serbët nuk e pranojnë Kosovën si shtet të tyre.

Argumenti i parë është se komunat veriore nuk kanë pranuar kurrë të qeverisen nga institucionet e Prishtinës prandaj u duhet dhënë status special. E vërteta është se komunat Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan me gjithsejt 30 mijë banorë jo vetëm nuk kanë artikuluar kurrë kërksa për më shumë autonomi por kanë funksionuar si pjesë e pushtetit lokal të Kosovës dhe kanë marrë fonde nga Qeveria deri në qershorin e vitit 2006 kur Beogradi u kërkoi të ndërprisnin çdo lidhje me institucionet e Kosovës. Kriza provokohet nga një grup i vogël njerëzish që kanë arritur ta shfrytëzojnë pavendosmërinë e UNMIK-ut, EULEX-it dhe institutioneve të Kosovës dhe të dirigjuar nga Serbia duke krijuar një “tokë të askujt” dhe “parajsë kontrabande”. Ata janë arritur të gatshëm ta mbrojnë këtë sistem zinxhir pasurimi ndërtuar prej kontrabandës dhe evazionit fiskal me struktura të armatosura që qëllojnë mbi KFOR-in dhe EULEX-in e jo më Policinë e Kosovës.

E vërteta tjetër është se këto tre komuna nuk janë qendra e mosbindjes ndaj Kosovës dhe BE-së por pjesa urbane e Mitrovicës me popullsi multietnike me serbë, shqiptarë, boshnjakë dhe romë. E shtrirë nga veriu i Mitrovicës deri në kufirin me Serbinë, kjo zonë malore me 45-50 mijë banorë përbën vetëm 1/3 e serbëve të Kosovës nga të cilët një pjesë e mirë nuk janë autoktonë por të zhvendosur atje pas ndërhyrjes së NATO-s në 1999. Ndërsa 2/3 e serbëve (rreth 80 mijë banorë) jetojnë në vendbanime të vogla rurale në rreth 20 komuna në brendësi të Kosovës ku Gracanica, Shterpca, Ranillugu, Parteshi dhe Kllokoti kanë dendësinë më të madhe. Ndarja e Mitrovicës së veriut është produkt i spastrimit me dhunë të shqiptarëve në vitin 2000 nga struktura të armatosura serbe dhe nuk mund të shpërblehet spastrimi etnik me krijimin e një entiteti fantazëm politik me qendër në veriun e Mitrovicës. Pa veriun e Mitrovicës, këto tre komuna malore nuk përmbushin as kriteret minimale të vetëqëndrueshmërisë socio-ekonomike, demografisë dhe traditës politike për të krijuar një entitet politik autonom. Popullsia e vogël, ekonomia inekzistente, shkapërderdhja demografike dhe relievi i thyer e bën autonominë apo kantonizimin të pakuptimtë pasi entiti i ri i krijuar do të përfshinte vetëm një pjesë të vogël serbëve duke përjashtuar nga ky status special pjesën më të madhe të komunitetit serb që jeton më në brendësi të Kosovës.

Argumenti i tjetër i Serbisë është se veriu është ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës pasi përbën vazhdim territorial të Republikës së Serbisë që meriton rregullim të posacëm. Edhe ky argument është i pathemeltë pasi nëse vazhdimësia gjeografike përbën premisë për autonomi atëherë Presheva do duhej të kishte marrë prej kohësh status special pasi është vazhdimësi gjeografike e Kosovës dhe popullsia është shprehur me referendumin e vitit 1992 se dëshiron të jetë pjesë e Kosovës. Vetëm fakti se shqiptarët nuk vendosin barrikada nuk mjafton për një status special pasi shpërblimi i politikës së barrikadimit dhe dhunës me autonomi dërgon sinjalin tek shqiptarët në Preshevë, Maqedoninë Perëndimore dhe Malin e Zi se dhuna shpërblehet me më shumë të drejta.

Asnjë qeveri apo koalicion nuk mund të prekë Kushtetutën pa prishur ekuilibrin e brishtë që garanton të drejta maksimale. Shmangja nga Plani i Ahtisaarit passjell ndryshimin tërësor të Kushtetutës dhe shfuqizimin e mbi 100 ligjeve ku janë sanksionuar supergarancitë për komunitetin serb. Kalimi nga Ahtisaari në Ahtisaari Plus pa justifikuar më parë se cila pjesë e Ahtisaarit u rri ngushtë serbëve të veriut, është riformatim i shtetësisë së Kosovës për dëshirat e Serbisë. Kosova duhet të shpjegojë qartë se radikalizimi në veri nuk është pasojë e diskriminimit të serbëve nga institucionet e Kosovës por pjesë e strategjisë së Serbisë për ta dobësuar funksionalitetin e shtetit të ri. Ahtisaari Plus nuk është asgjë e re veçse është mashtrimi i ri i Serbisë me qëllimin e vjetër “zhbërjen e pavarësisë së Kosovës pa e cënuar perspektivën evropiane të saj.

*Autori i shkrimit ekspert i së Drejtës Kushtetuese

KOMENTE