English

Perspektivat e Shqipërisë

Sot në shkollat tuaja, këtu dhe në mbarë Shqipërinë, fëmijët lundrojnë në internet njëlloj si fëmijët e vendeve më të zhvilluara të Europës. Të keni rrugë të standardeve më të mira, kanalizime, ujësjellës. Pra të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve

Nga Sali Berisha

Dua t’ju përshëndes ju, banorëve të Stëblevë, njerëzve punëtorë, banorëve që doni kaq shumë këtë zonë të mrekullueshme dhe që me dashuri e përkushtim keni ruajtur e mbrojtur një nga parqet kombëtare natyrore më të bukura dhe më të mëdha të Shqipërisë. Në këtë mënyrë keni mbajtur një perspektivë turistike të shkëlqyer, e cila do të ndikojë fuqishëm në mirëqenien tuaj, në mirëqenien e Librazhdit dhe të mbarë Shqipërisë. Potenciali turistik i Stëblevës është i jashtëzakonshëm.

Në këtë kontekst, unë erdha këtu për tu takuar me ju, por edhe për të inspektuar rrugën që po ndërtojmë, rrugë e cila ju lidh me Librazhdin, Elbasanin, Tiranën dhe mbarë Shqipërinë. Siç konstatoni, punimet kanë ecur shumë mirë. Terreni i saj nuk ka qenë i lehtë, është një nga rrugët e vështira, por, gjithashtu, edhe një nga rrugët e bukura. Brenda vitit të 100 vjetorit të pavarësisë rruga Stëblevë – Librazhd do të asfaltohet. Sikundër, do të bëjmë çdo gjë që të asfaltohet në tërë trajektoren e saj, nga Ura e Cerenecit deri në Librazhd. Kjo rrugë është një nga segmentet më të rëndësishme të unazës verilindore të vendit, e cila fillon në Rragam të Valbonës, përfundon në Librazhd dhe vijon me unazën juglindore në Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë.

Në këtë mënyrë ne lidhim rreth 90 komuna të vendit me akse kombëtare. Në këtë mënyrë ne bëjmë disponibël një potencial të jashtëzakonshëm turistik që fillon në alpet e vendit, vazhdon në vargmalet e Korabit, Gjallicës dhe vjen këtu në parkun kombëtar të Shibenikut. Kjo unazë bën të mundur shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të mëdha të këtyre zonave, potencialeve turistike, energjetike, minerare e të gjithanshme. Kjo unazë ju bën të mundur që prodhimet e mrekullueshme që keni, pataten e famshme të Stëblevës dhe të këtyre zonave, ta tregtoni me shpejtësi dhe leverdinë më të madhe në Elbasan, në Tiranë dhe ta eksportoni në mbarë botën.

Kjo është alternativa jonë. Alternativa jonë është që aty ku ju jetoni, në Stëblevë, në Valbonë, në Kala të Dodës e kudo të ndërtojmë një infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Të keni shkolla moderne. Sot në shkollat tuaja, këtu dhe në mbarë Shqipërinë, fëmijët lundrojnë në internet njëlloj si fëmijët e vendeve më të zhvilluara të Europës. Të keni rrugë të standardeve më të mira, kanalizime, ujësjellës. Pra të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve.

Perspektiva e dytë e madhe për ju dhe mbarë Shqipërinë është turizmi malore. Asnjë nga ne që jemi këtu nuk mund të imagjinonte në vitin 2004 apo 2005 se në një hark kohor pesë vjeçar numri i turistëve në këtë vend do të rritej nga 300 mijë në 3.5 milionë. Ju garantoj se me ndërtimin e kësaj infrastrukture, në një hark kohor po kaq të shkurtër, miliona e miliona turistë nga rajoni dhe mbarë bota do të vërshojnë drejt zonave turistike malore të mrekullueshme të Librazhdit, Peshkopisë, Kukësit, Përmetit, Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë.

Alternativa jonë ka vetëm një synim: mëkëmbjen tuaj. Ne bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka që ju me mundin, djersën, mundin tuaj të begatoni familjet tuaja. Rrugën prapë nuk e kemi të lehtë, por e kemi njëzet herë më të lehtë se atë që kishim njëzet vjet më parë. Sot ne jemi një vend anëtar i NATO-s. Sot, ju qytetarët e Stëblevës dhe të mbarë Shqipërisë lëvizni të lirë në mbarë Europën. Ekonomia e vendit është një ekonomi solide, një ekonomi që i reziston krizës, ndërkohë që vende të tjera përjetojnë probleme dhe pasoja nga më dramatiket e krizës së borxheve. Në Shqipëri vazhdon rritja ekonomike. Në Shqipëri vazhdon rritja e rrogave, vazhdon rritja e pensioneve. Ju garantoj se çdo vit do të vazhdojmë t’i rrisim ato. Do të jetë shumë e afërt dita kur ju, gratë dhe burrat e Stëblevës, të keni pensione të njëjta me të qytetit. Çdo javë, çdo muaj, çdo vit ne ndryshojmë këtë vend. Në një hark kohor pesë vjeçar ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi nëntëmijë kilometra rrugë.

Unë ju garantoj ju, banorët në fshatrat e kësaj komune, në komunat e kësaj zone, se ky projekt do të vazhdojë deri sa çdo komunë të lidhet me rrugë të asfaltuar me rrugët kombëtare, deri sa çdo fshat të lidhet me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuar, deri sa çdo shqiptar të arrijë në kryeqytetin e vendit të tij, pavarësisht se ku banon, duke kursyer së paku 60 përqind të kohës që i duhet sot për të shkuar në Tiranë.

Ndaj, ju ftoj të ecim ne së bashku me besim të madh se ëndrrat tona do t’i shndërrojmë në realitet. Siç anëtarësuam vendin në NATO, siç realizuam lëvizjen e lirë pa viza, siç dyfishuam rroga e pensione, ju garantoj se ne do të ecim të sigurt në integrimin tonë drejt Europës. Ky integrim do të gëzohet gjithnjë më shumë kur ne këtu në Stëblevë, në Orenjë, në Gurakuq, në Mokër dhe kudo të ndërtojmë Evropën tonë. Dhe ne këtë po bëjmë.

Edhe një herë ju përshëndes vëllazërisht. Do të shihemi përsëri. Do të vij tek ju kur të inaugurojmë rrugën e asfaltuar. Do të bëjmë gjithçka që Stëblevën, Librazhdin, Elbasanin, Tiranën, 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur ta festojmë në kushtet që meritojmë.

* Fjala e mbajtur para banorëve sot në komunën e Stëblevës

KOMENTE