English

Kongresi i Partisë Socialiste, vijon votimi për Asamblenë e re Kombëtare

Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas përfundimit të diskutimeve në Kongresin e Partisë Socialiste dhe fjalimeve të eksponentëve kyç të saj, të 1500 delegatët e Kongresit po votojnë në këto momente në Pallatin e Kongreseve për të zgjedhur anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, programin e ri elektoral të saj të quajtur “Rilindja Shqiptare” si dhe ndryshimet në statutin e partisë.

Në këtë Kongres maratonë, që pritet të përfundojë të dielën, kanë munguar disa nga themeluesit e Partisë Socialiste, lideri historik i saj Fatos Nano, ish-Presidenti Rexhep Meidani, i linçuar nga disa prej njerëzve më të afërt të lidershipit Edi Rama, si një njeri, që punon në prehrin e Sali Berishës, ish-Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi etj, të cilët duket se në këtë formë, po shprehin kundërshtinë ndaj programit të ri elektoral të Edi Ramës, i cilësuar nga mazhoranca e djathtë si programi, që synon rikthimin e Shqipërisë në sistemin socialist, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pas zgjedhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, do të zgjidhen anëtarët e kryesisë së re dhe sekretarët e PS-së.

Kryetari i Partisë Socialiste në fjalën e tij para 1500 delegatëve të Kongresit iu përgjigj kundërshtarëve të tij brenda partisë, se ai nuk është i pagabueshëm, duke i akuzuar dorazi se ata, që e gjykojnë, po i shërbejnë kundërshtarit të tij politik, Sali Berishës.

“Por mos bëni me gabimet e mia të mundshme, fajin e madh të shërbimit për kundërshtarin. Partia Socialiste nuk vuan sot nga mungesa e lirisë. As nga mungesa e demokracisë apo debatit brenda saj. Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë. Të gjithë e duam këtë. Por të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë, është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë. E kjo i shkon për shtat kaktusit, jo trëndafilit”, deklaroi lidershipi socialist.

Ai çmoi ndryshimin në statutin e PS-së duke thënë se PS është e vetmja parti shqiptare që Kryetarin dhe Kongresin e zgjedh me votën e drejtpërdrejtë të të gjithë anëtarësisë së saj dhe se një të tretën e anëtarëve të zgjedhur të Kongresit, i ka gra e vajza.

Në vijim të fjalës së tij, Rama vlerësoi programin e ri elektoral të PS-së si programin e vetëdijes kombëtare dhe politike.

“Ky është programi i vetëdijes kombëtare për rrezikun që i kanoset Shqipërisë së zhytur në borxh, varfëri, batakçillëk qeverisës. I vetëdijes politike për stuhinë alarmante që po i afrohet financave publike të këtij vendi, jo vetëm për shkak të krizës globale, po në radhë të parë të keqqeverisjes duke e fshehur krizën. Është programi i dallimit të qartë, të prerë, rrënjësor, mes nesh dhe atyre që sot e qeverisin Shqipërinë nga e djathta, por e rrjepin e shkatërrojnë përditë nga të katër anët. Ky është programi i partisë më të madhe të shqiptarëve. I socialistëve e progresistëve i shqiptarë. I vlerave e parimeve të socializmit evropian”, nënvizoi kryesocialisti Rama, duke i shprehur mirënjohjen, eksponentes së njohur të PS-së dhe ish-ministres së Integrimit Ermelinda Meksi, për kontributin njëzetvjeçar dhe përkushtimin e pandryshuar njerëzor ndaj familjes politike të PS-së.

“Ky është fillimi i një rruge të re”, tha Edi Rama, duke nënvizuar se programi i ri socialist do të kthehet në frymë besimi tek njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë.

“Ky është fillimi i një rruge të re, për ta ngarkuar Partinë Socialiste me misionin e shpëtimit të vendit nga humnera e një krize ekonomike shpartalluese. Me misionin e reformave radikale, që programi ynë i ri paralajmëron për Shqipërinë në rrugën e një rilindjeje pas një çorodie të gjatë njëzet vjet. Me misionin e një patriotizmi europian, që të gjithë të zgjedhurit e rinj në forumet tona, nga organizata deri në kryesinë e re, duhet të mishërojnë në sjelljen e tyre me publikun e në qëndrimet tona publike. Me misionin e një rilindjeje shqiptare, që nuk duhet kurrsesi të mbetet një projekt shpresëdhënës në letër, po duhet të marrë formë në realitetin jashtëzakonisht të vështirë të gjërave”, theksoi Kryetari i Partisë Socialiste.

mit/NOA

KOMENTE