Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Topi, mungesë “me arsye” në Kongresin e PS
English

Topi, mungesë “me arsye” në Kongresin e PS

A duhet të kishte përshëndetur Presidenti Topi Kongresin e socialistëve?

Nga Mero Baze

Kjo është një temë debati interesantë në këtë moment të nxehtë politik. Sali Berisha, dikur president, ka përshëndetur Kongresin e socialistëve në vitin 1996, ndërkohë që kryetarin e tyre e kishte futur në burg dhe rivalin e tij (sot partnerë në qeveri) e mbante si delfin, i gatshëm për ta marrë kontrollin mbi opozitën. Nisur nga kjo përvojë, pra nga përvoja e një presidenti politik, Bamir Topi mund ta kishte përshëndetur Kongresin si një zhvillim që ka rëndësi për të ardhmen politike të Shqipërisë. E di që ka plot argumente për të qenë pro apo kundër këtij detaji gati protokollar, por që në momentin aktual merr shumë kuptim, pasi tregon tensionin dhe klimën paragjykuese që ka futur Berisha në politikën shqiptare.

Për çdo politikan shqiptar, që ka ndjekur Kongresin e opozitës, ka parë se ishte dje një dëshmi e strukturimit serioz të opozitës. Të përqendruar tek një program që e besojnë dhe shpresojnë, dhe të zgjeruar drejt flluskave të ajrit që kishin krijuar ishujt e Fatos Nanos dhe Ilir Metës në të majtën shqiptare, socialistët dhanë një pamje serioze dhe shpresëdhënëse të opozitës, me një program të prekshëm për të drejtuar vendin. Ajo ka paraqitur një projekt për ndryshimin e sistemit të taksimit në Shqipëri, duke rikthyer sistemin normal të taksës progresive, ka premtuar luftë ndaj monopoleve në ekonomi dhe hetim të koncesioneve, të cilat janë përdorur për të forcuar frymën e klientelizmit të pushtetit të Familjes në Shqipëri.

Por mbi të gjitha opozita ka premtuar se do t’i përmbahet parimeve të lirisë në qeverisjen e vendit, parime që sot jo vetëm janë harruar, por janë ekzekutuar bashkë me lirinë ekonomike, lirinë e shtypit, dhe lirinë për të qenë një qytetar i barabartë në garën politike në Shqipëri.

Këto zhvillime janë të tilla që tejkalojnë rëndësinë e një partie politike. Të gjithë biem dakord se ndrydhja e demokracisë brenda PD-së, mungesa e garës, mungesa e vizionit qeverisës, një program voluntarist që mbështetet në citate të Kryetarit si të ishte Kryetari Mao, dhe mbi të gjithë një parti që jep shembuj të trishtë dhe shpesh të frikshëm kundër lirive në vend, janë një humbje e madhe jo vetëm për PD, por për gjithë Shqipërinë pasi këto defekte rrezatohen në shoqërinë shqiptare duke prodhuar shpesh dhe trauma kombëtare si ajo e vitit 1997, apo rrënim të ekonomisë si ky që po përjetojmë sot. Përballë këtij rrezatimi negativ që bën një parti në pushtet, në shoqëri, disa fenomene pozitive që shfaqen tek opozita po ashtu ndikojnë pozitivisht në shoqëri, pra e tejkalojnë interesin polik dhe partiak.

Në këtë pikëpamje ashtu siç përshëndetën disa kryetarë partish të majta dhe të djathta Kongresin, mund ta përshëndeste dhe Presidenti Topi.

Por unë dhe mijëra shqiptarë të tjerë e kuptojmë fare qartë përse nuk e bëri. Nuk e bën pasi nuk do t’i hedhë benzinë një flake kashte që Berisha përpiqet të ndezë në vend, me shpresë për të bërë diversion ndaj gjithë faktorëve opozitarë në vend. Fenomeni më i ri që atij po i ndodh është se përveç Partisë Socialiste, po i strukturohen dhjetëra faktorë të rinj opozitarë. Shoqëria civile ka dhënë javën që shkoi një shembull të shkëlqyer me vetorganizimin e tyre kundër ligjit për importin e plehrave. Dhjetëra të rinj në moshë, organizuar nga disa OJQ, morën mbështetjen e disa personaliteteve publike në vend dhe forcave politike duke denoncuar ashpër ligjin para Kuvendit të Shqipërisë.

Edhe pse Berisha ka përdorur kamxhikun dhe brutalitetin mbi medien opozitare, ajo jo vetëm që nuk është shuar, por po jep shenja të ringjalljes me tituj të rinj gazetash dhe zëra të rinj, qoftë dhe në ekranet e blerë të pushtetit, duke u kthyer në makth për Berishën. Ai u detyrua tri ditë më parë të përmendte emisionin më investigativ në vend, Fiks Fare, si një parti politike kundër tij, vetëm nga dëshpërimi që ka nga mosnënshtrimi i medies kritike.

Po ashtu kundër Berishës po valëviten flamuj kuq e zinj nga Jugu në Veri, duke e identifikuar atë si një shqiptar të rremë që ka shitur interesat e vendit për karrigen e tij.

Por ajo që shkëlqen mbi gjithë zhvillimet është fakti se një sërë ish- figurash të PD-së po shprehin hapur mbështetjen e tyre ndaj Presidentit Topi në premtimin për një karrierë të re politike pas ikjes nga Presidenca. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore që ka detyruar politikanin Bamir Topi të frenojë Presidentin Topi, të ulet dhe të shkruajë një telegram për opozitën dhe ta përgëzojë atë për aksionin e saj politik dhe suksesin në Kongres. Është një gjest i paqortueshëm kur e mendon Bamir Topin si politikan, dhe natyrisht një mungesë me arsye e një urimi nga Presidenti i Republikës. Por mbi të gjitha është një tregues se ku e ka çuar lirinë e mendimit politik Sali Berisha në Shqipëri. Është një tregues që dëshmon se ai i detyron jo vetëm shqiptarët, por dhe politikanët e tyre, të kenë parasysh atë dhe kur duhet të marrin vendime dhe veprime politike. Është tregues sa dëm i bënë lirisë politike dhe gjithë lirive të tjera në këtë vend, një njeri që kërkon të sundojë mbi gjithçka.

KOMENTE