English

Finalizohet operacioni “Armeni”, kapen 21 kg drogë

Vlorë, 8 nëntor 2011, NOA – Pas kontrolleve në dy banesa në fshatin Armen të Vlorës, policia e qytetit bregdetar arriti të sekuestrojë 21 kg drogë të llojit Cannabis Sattiva, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.al.

Në krye të operacionit “Armeni”, efektivët e antidrogës pas një javë hetimesh, finalizuan aksionin duke vënë në pranga edhe dy trafikantët e drogës, të afërm me njëri-tjetrin.

Operacioni u finalizua rreth orës 06:30 të mëngjesit të së martës, me kontrollet në dy banesa në fshatin Armen dhe prangosjen e Vullnet Nexhat Nuredinaj, në banesën e të cilit u kapën 17.1 kg Canabis Sattiva e vendosur në tri çanta të ndryshme, si dhe një peshore elektronike, e cila shërbente për peshimin e lëndës narkotike.

29-vjeçari Vullnet Nuredinaj ishte dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.

Po kështu gjatë operacionit në banesën e tjetër, asaj të Vezir Muhamet Nuredinaj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 4 kg lëndësh narkotike Canabis Sattiva, e vendosur në dy qese plastmasi.

I arrestuari Vezir Nuredinaj, 47-vjeç, kishte qenë më parë i dënuar, për trafikim të lëndëve narkotike.

mit/NOA

KOMENTE