English

Berisha takon Thaçin e Ahmetin: Arritje, përdorimi i gjuhës e flamurit

Shkup, 9 nëntor 2011, NOA- Kryeministri Berisha i cili ndodhet në Maqedoni për një vizitë zyrtare, me ftesë të kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, u takua paraditen e sotme me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Gjatë Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat, si dhe për realizimin e një sërë projekteve të përbashkëta. Në konferencën e mbajtur pas takimit Berisha u shpreh, “Unë konsideroj shumë të rëndësishme arritjet në fushën e përdorimit të gjuhës, të flamurit si dhe zgjidhjet e merituara për disa procese që kanë qenë në thelb më së shumti politike, pasi duhet ta pranojmë se marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë mike, por procesi është një proces që ka bërë këtë vend më të lirë, më të drejtë dhe ka hedhur bazat për një bashkëjetesë në liri, midis etnive që jetojnë në Republikën e Maqedonisë”.

Ai e cilësoi 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si festën e shekullit për të gjithë shqiptarët dhe u ra dakord për të bashkërenduar bashkëpunimin, në mënyrë që viti i ardhshëm, si viti i pavarësisë së Shqipërisë të jetë një vit i të gjithë shqiptarëve dhe miqve të tyre kudo në botë.

Nga ana e tij, kreu i BDI Ali Ahmeti veçoi interesimin që shprehu kryeministri për infrastrukturën e përbashkët, për komunikimin e përbashkët në mënyrë që të bëhen edhe më të fortë si vende brenda rajonit.

Ahmeti kërkoi nga Kryeministri Berisha që të ketë më shumë hapësirë, më shumë kontakte, për sa i takon fushave të arsimit, prej nevojës si shqiptarë të Maqedonisë për një bashkëpunim pak më të thellë, qoftë për arsimin e lartë, qoftë për edukimin e përdorimit të gjuhës administrative.

Në fjalën e tij kreu i BDI theksoi se aktualisht Universiteti Shtetëror ka mbi 20 mijë studentë dhe se sot, gjuha shqipe flitet dhe shkruhet në Parlamentin e Maqedonisë, ministrat shqiptarë flasin në gjuhën e vet.

Në vijim të qëndrimit të tij në Maqedoni kreu i Qeverisë shqiptare takoi edhe kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.

Gjatë fjalës së mbajtur për mediat pas takimit Berisha tha se, “Kam vlerësuar shumë marrëveshjen e firmosur para zgjedhjeve, si një dëshmi e një maturiteti të thellë demokratik, qëndrimin konstruktiv të zotit Thaçi e të partisë që ai udhëheq në mbështetje të të gjitha proceseve integruese, avokatinë që kjo parti, si parti opozitare, u bën në Parlamentin e Maqedonisë dhe më gjerë në institucione të tjera lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë”.

Nga ana e tij Thaçi u shpreh se qasja e Shqipërisë është miqësore ndaj Maqedonisë, por, në të njëjtën kohë, është edhe një qasje e përkujdesjes ndaj të drejtave të shqiptarëve këtu. “Unë e sigurova Kryeministrin se partia jonë do të japë kontribut maksimal konstruktiv në rrugën e integrimeve drejt NATO-s dhe Unionit Europian, por, në të njëjtën kohë, nuk do të lëshojmë pe e pandërprerë do të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve. Ligjërisht ne këtë punë e kemi se jemi opozitë e shqiptarëve këtu. Sigurisht, në të ardhmen bashkëpunimi do të jetë më i madh dhe duhet të kuptohet se Shqipëria mund të jetë vetëm aleati i Maqedonisë dhe asnjëherë kundërshtar”, përmbylli fjalën e tij Thaçi.

a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Berisha gjatë takimit me Menduh Thaçin

KOMENTE