English

Edi Rama: Vdekja e Tanit të Topit

Tiranë, 10 Nëntor 2011 NOA – Në librin që nxori dje në treg, kryesocialisti Edi Rama ndalet tek vdekja e të ndjerit Dritan Hoxha, themelues i Top Media ku përfshihen disa media elektronike dhe të shkruara.

Rama thotë se “misteri s’do të fashitet asnjë herë mbi të vërtetën e ikjes së tij aq të parakohshme nga kjo botë, edhe pse i parakohshëm siç ishte në mjedisin ku mbi fara e gjenialitetit të vet e ku imponoi me një vepër historike shpejtësinë e skëterrshme të imagjinatës së tij, logjika dorëzohet përpara ndjesisë se ishte i destinuar që ta parakalonte vdekjen e ngadaltë natyrale për të shkuar para kohe në stacionin e saj”.

Kurse thekson se “nëse dora që zbatoi çka shkruhej në atë fat të paracaktuar ishte atë natë në timonin e Ferrari-t të kuq apo gjetkë, këtë s’kemi për ta mësuar kurrë”.

Më poshtë ndiqni fragmentin e plotë nga libri "Kurban" në kapitullin ku flet për të ndjerin Dritan Hoxha:

S’më shqitet dot më nga kujtesa fakti se me Tanin e Topit na ndau në fund, për disa muaj, një sherr për një të drejtë hyrjeje me makinë në Parkun e Liqenit, ku i ndjeri mik i asnjëherëharruar shkonte për t’u ushtruar në palestër, po ku bashkia kishte kufizuar lëvizjen e makinave duke e kthyer parkun në zonë këmbësore, kësisoj s’mund të bëhej asnjë përjashtim, as për Ferrari-n apo Bentely-n që për Tanin ishin skulptura vrapuese, që vetëm mund ta zbukuronin parkun duke u ndalur në zemër të tij dhe jo katër rrotakë të rëndomtë, si ata që ndaloheshin nga trau ku rrinte polici bashkiak, të kapërcenin kufirin e zonës këmbësore. Ishte si një fëmijë Tani në pasionet e veta, pasione të papërmbajtshme që e bënin pa kufi mos durimin përballë çdo lloj pengese, nga pengesat më të mëdha që realiteti shqiptar mund t’i vinte një imagjinate gjeniale si e tija, e ushqyer me flakën e pasionit për shpejtësinë e transformimeve në botën e teknologjisë së lartë dhe vënien e asaj shpejtësie në jetë për të kapur Shqipërinë tjetër përmes ekranit ultramodern që krijoi apo ritmin e erës përmes makinave fantastike që ngiste, deri te pengesa e vogël e “traut të shëmtut” që i prishte nganjëherë gjumin, duke u bërë shkak për sms-të e tij habitore që ndriçuan disa herë ekranin e celularit tim në orët e vogla të mëngjesit, gjatë atyre muajve që ai sherr na kishte ndarë me traun e heshtjes.

Mes nesh kishte miqësi, admirim reciprok për pasionin me të cilin i jetonim gjërat që bënim, gjatësi të njëjta vale në kuptimin e nevojës për transformim rrënjësor të realitetit të prapambetur shqiptar, por kishte, po ashtu, edhe një kufi të qartë, kufiri i mos cenimit të pavarësisë së secilit, Tani në mbrojtje të ekranit të tij, që e ruante nga ndërhyrjet e jashtme me shumë xhelozinë e një të dashuruari verbërisht, unë në kryerjen e detyrës sime publike, që gjithnjë përpiqesha ta ruaja në integritetin e vet, mes vështirësish të natyrave nga më të ndryshmet, ndër të cilat mbetej konstante vështirësia në përballimin e shantazheve mediatike për të përfituar vëmendje dhe akses për interesa private, gjë që, për hir të së vërtetës, me Tanin e Topit nuk ndodhi kurrë. Sepse ai asnjë herë nuk e përdori pushtetin absolut të ekranit të vet për të shantazhuar këdoqoftë dhe pakënaqësitë ose hatërmbetjet e veta, me mua ndonjë herë a me të tjerë njerëz në pushtet deri në 2005-ën, kur pushteti ende si kishte dalë përballë me dhëmbët e jargët kërcënuese të Saliut, s’e cenuan në asnjë rast besnikërinë fanatike të Tanit ndaj audiencës sunduese të Top Channelit, ku vija e pavarur editoriale u u mbrojt deri në fund me krenari e kosto të jashtëzakonshme financiare, në kushtet e një konkurrence kryekëput të pandershme, sidomos kur ndaj monumentit të inovacionit pamor e teknologjik që ngriti e ndaj atij vet, u hap një gjueti djallëzore shtrigash nën udhëheqjen e kryeministrit të vendit. Misteri s’do të fashitet asnjë herë mbi të vërtetën e ikjes së tij aq të parakohshme nga kjo botë, edhe pse i parakohshëm siç ishte në mjedisin ku mbi fara e gjenialitetit të vet e ku imponoi me një vepër historike shpejtësinë e skëterrshme të imagjinatës së tij, logjika dorëzohet përpara ndjesisë se ishte i destinuar që ta parakalonte vdekjen e ngadaltë natyrale për të shkuar para kohe në stacionin e saj. Po nëse dora që zbatoi çka shkruhej në atë fat të paracaktuar ishte atë natë në timonin e Ferrari-t të kuq apo gjetkë, këtë s’kemi për ta mësuar kurrë.

KOMENTE
  • iso09:34 - 11 Nëntor 2011
    Kampas dyshime kur Sali Berisha thot se Edi Rama eshte i traumatizuar dhe i maree, mirpo pas kesaj qe shkruan per fatkeqsine e Dritanit. keto qe shkruan Rama jane akuza te pa bazuara dhe Berisha duhet ta denoncin ne gjygj dhe mosheziton aspak (jo se jam simpatizues i saliut) po e shoh nga aspekti profesional i drejtesise.