English

Haxhinasto-Waldner: Reformat e nisura, të thellohen

Tiranë, 10 nëntor 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto priti në takim, Sekretarin e Shtetit Austriak për Çështjet Europiane, Wolfgang Waldner.

Gjatë takimit, Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe nivelin e lartë të dialogut politik.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik dypalësh, ku Austria renditet si partneri i tretë i Shqipërisë, ministri vuri në dukje tendencën në rritje të këtij bashkëpunimi dhe shprehu bindjen se ka potenciale të pashfrytëzuara për zgjerimin e tij në të ardhmen.

Nga ana e tij, Sekretari Austriak i Shtetit vlerësoi arritjet në Shqipëri dhe siguroi edhe një herë për mbështetjen e palëkundur të Austrisë për integrimin evropian të Shqipërisë, duke shprehur dëshirën për ta parë sa më shpejt atë si vend anëtar i BE-së. Gjithashtu, ai nënvizoi qëndrimin mbështetës austriak për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën vlerësimin e tyre për bashkëpunimin shumë të mirë në kuadrin shumëpalësh dhe mbështetjen reciproke të kandidaturave të të dyja vendeve në organizatat ndërkombëtare.

Ministri Haxhinasto, duke iu referuar progres raportit për Kosovën vlerësoi nisjen e procesit të liberalizimit të vizave, si një shenjë pozitive për gjithë proceset integruese evropiane të Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e mëtejshme të Austrisë në këtë drejtim.

Në konferencën e përbashkët për shtyp Haxhinasto u shpreh se, Austria jep dhe ka dhënë për liberalizimin e vizave në zonën Shengen dhe mbështetjen e saj të plotë për të avancuar më tej axhendën e integrimit të Shqipërisë, si vend kandidat dhe më tej si vend anëtar.

Nga ana e tij Sekretari Waldner u shpreh i impresionuar nga zhvillimet që ka pasur Shqipëria në 20 vitet e fundit -nga një regjim totalitar në një ekonomi të zhvilluar tregu.

Ai theksoi se reformat e nisura e ndërmarra tashmë duhet që të vazhdojnë dhe të thellohen më tej në mënyrë që të arrihet qëllimi final i Shqipërisë për integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Waldner u shpreh i sigurt që Shqipëria do të ketë mundësinë t’i arrijë rekomandimet e Komisionit të Europës në kuadër të raport-progresit.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Haxhinasto tha se, “Ligjet me 3/5 në vetvete nuk janë rekomandime të Komisionit Evropian. Reformat që realizohen nëpërmjet këtyre ligjeve janë rekomandimet e Bashkimit Evropian, 12 rekomandimet nga raportit i vjetshëm”.

a.y/NOA

KOMENTE