Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kthim me sukses në mesjetë
English

Kthim me sukses në mesjetë

Pas epokës së urave të gurta me qemer, erdhi epoka e urave prej betoni, prej të cilave në periudhën 1925-1945 u ndërtuan një shumicë e madhe, që nga ato më të thjeshtat e deri tek kryeveprat e elegancës e të bukurisë.

Nga Artan Lame

Udhët janë një nga elementet thelbësorë që ndikojnë jo thjesht në zhvillimin e një kombi, por ndoshta edhe në vetë krijimin dhe konsolidimin e tij. Përmes udhëve njerëzit bëjnë tregti, marrin e japin, shkëmbejnë ide e mënyra jetese, lidhen e njihen. Vetë udhët kanë një pikë delikate, ku fuqia e tyre ndalet dhe kjo është pika ku ato duhet që, përmes urave duhet të kalojnë lumenjtë. Pikërisht për këtë ngarkesë vlere, urat, më shumë se vetë rrugët, janë shndërruar në simbol lidhjeje dhe bashkimi.

Gati të gjitha urat e mëdha të dikurshme të Shqipërisë, kush më parë e kush më pas, janë shembur dhe prej tyre nuk ka mbijetuar asnjëra. Të tilla kanë qenë, llafi që bie, ura e Bahçallëkut, ura e Shkumbinit pranë Elbasanit, ura e Tepelenës apo ajo e Vezirit në Kukës. Flas këtu për urat e mëdha dhe jo për urat e vogla, me një a dy harqe. Kanë mbijetuar vetëm dy prej tyre, Ura e Mesit në Shkodër dhe Ura e Goricës në Berat. Pasi thellohesh pak në dokumenta, kupton të dyja arsyet, edhe pse-në e atyre që kanë rënë, edhe pse-në e këtyre që kanë mbijetuar. Ura e Mesit ishte në grahmat e fundit kur u rikonstruktua nga ushtria austriake në vitin 1916, ndërhyrje që e shpëtoi. Gjithaq, edhe ura e Goricës, po ashtu u rikonstruktua e u shëndosh po nga austriakët në vitin 1917, për t’u rindërtuar komplet në vitet e Monarkisë së Zogut.

Mbijetesa e këtyre të dyjave, të jep të kuptosh edhe arsyen e rrënimit të të tjerave. Urat e mëdha, ashtu si veprat e mëdha industriale, janë struktura komplekse, që kanë nevojë për mirëmbajtje dhe investim të vazhdueshëm. Sa kohë që bëhej i gjallë ai që i kishte ndërtuar (Bushatllinjtë, Tepelenasi, Kurt pasha i Beratit apo shteti osman), urat mbaheshin në këmbë. Posaqë ky faktor zhdukej, megjithëse urat ishin një nevojë e jashtëzakonshme për krahina të tëra, askush nuk kujdesej më nga të interesuarit dhe urat binin. Me to ndodhte pak a shumë ajo që ndodhi me ndërmarrjet e mëdha të epokës socialiste, struktura të mëdha dhe komplekse, që vetëm një shtet i organizuar mirë mund t’i mbante në efiçencë dhe pas vitit ’90, kur shteti (i mirë a i keq, është punë tjetër) u rrënuan e i qamë, ndërsa mijëra punëtorë mbetën pa punë e për bukën e gojës.

Pas epokës së urave të gurta me qemer, erdhi epoka e urave prej betoni, prej të cilave në periudhën 1925-1945 u ndërtuan një shumicë e madhe, që nga ato më të thjeshtat e deri tek kryeveprat e elegancës e të bukurisë. Por edhe këto struktura kaq të nevojshme, që mbijetuan përmbytje e luftëra, sot po përballen me një rrezik që në dukje nuk bie në sy: ethet e hekurit. Ura e Zogut mbi lumin Mat, është një nga ndërtimet më elegante të inxhinierisë shqiptare, vetëm 15 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar. E shpallur “Monument Kulture”, ajo vazhdon të përjetojë ditët e saj më të zeza, pasi të gjithë parmakët e saj po thyhen për t’ju marrë shufrat e hekurit që gjenden brenda tyre. Këtë marrëzi ekskluzivisht shqiptare, po e vuajnë shumica e urave që teknologjia i ka bërë të jenë ndërtuar me mallkimin tyre, me hekur.

Kjo marria e etheve të hekurit që po ja nxjerr edhe kokallën e fundit Shqipërisë, është një çmenduri më vete. Thyhet çdo gjë, shkatërrohet çdo gjë, mjaft të ketë qoftë edhe një shufër të vetme hekuri brenda saj. Këto ditë po u dalin themelet e fundit dy prej dinozaurëve socialistë, Uzinës së Azotikut në Fier dhe Kombinatit të Sheqerit në Maliq. Diku tjetër shkulen shina duke rrezikuar trenat, e sharrohen vagonë mjaft të jenë lënë diku pa kujdes. Çmontohen torno e makineri, topa tanke e mitralozë, u hodh në erë një Grëdec i tërë për atë të shkretë hekur. S’ka ca ditë që në Han të Hotit, si në filmat me kauboj e para 150 vjetëve, u plaçkit në ecje treni me hekurishte.

Edvini, miku im që bredh maleve në kërkim të vendeve që shqiptarët nuk i kanë gërryer ende, më thosh se kish takuar diku në grykat e Tomorrit një fshatar që, me një mushkë pas po ngjiste malin. -Njatjeta, -Njatjeta. -Nga po shkon xhaxha, për dru. -Jo mor bir çne për dru, për bunkerë.

Bunkerët janë kufiri i radhës në këtë ethe hekuri. I thyejnë me durim çik e nga një çik për t’u marrë hekurin që kanë brenda. Të tjerë përdorin tritolin. Një sasi e vënë brenda, një shpërthim dhe pastaj thërrmimi me varé. Të tjerë, që nuk kanë tritol, kanë përpunuar një teknologji më vete. I mbushin bunkerët me goma të vjetra dhe me copa druri dhe pastaj ju vënë flakën. Tymin e ndotjen s’po i vëmë në hesap, por pas disa orësh bunkeri zë e thërrmohet për shkak të deformimit të shkaktuar nga nxehtësia. Pjesën tjetër të punës e bëjnë prapë krahët dhe vareja.

Pyjet e lëndinat e maleve, po mbushen me këto pirgje betoni të shkërmoqur, që do të mbeten aty si një tjetër dëshmi ndotjeje dhe marrie. Mbaj mënd se vite të shkuara bëheshin lloj-lloj planesh se ç’mund të bëhej me bunkerët. Njëri thosh t’i përdornin për të mbushur detin a të përdoreshin për të bërë porte turistikë, një tjetër propozonte të bëhej një piramidë me ta, si një monument të paranojës së Diktaturës, e kështu me radhë plot plane. Mirëpo fukarallëku bëri punën e vet dhe e zgjidhi problemin vetë, duke i përdorur bunkerët thjesht për t’u marrë hekurin. Monumentet janë një shpikje e shteteve dhe e shoqërive të thurura fort me ligje e rregulla dhe nuk mund të mbijetojnë në një shoqëri të thërrmuar dhe që thërrmon çdo gjë për mbijetesë.

Kundër rrymë. Në fshatin Marian të Korcës, deri para pak ditësh ekzistonte një urë prej dërrasash, që lidhte dy lagje të fshatit. Mbi të kalonin me frikë në zemër fëmijë e fshatarë, kuaj e gomarë, të sëmurë e të shëndoshë. Dërrasat kalbeshin njëra pas tjetrës, ndërsa shtoheshin ankesat e fshatarëve në Komunë, pastaj letrat e Komunës në Qark, e kërkesat e Qarkut në Qeveri për të bërë një urë të re. Vetëm llafe, letra, shkresa e premtime. Derisa pak muaj më parë, një fshatar i vetëm, hoqi dorë nga integrimi, nga teknologjitë moderne, nga kërkesat e nga ankesat dhe i hyri punës për ta ngritur urën vetë. Ai fshat është shumë i thellë dhe as që mund të bëhej fjalë për të çuar atje makineri e trarë betoni, ndërsa vetë fshatarit as që ja mbante xhepi të derdhte kollona betoni e të blinte shufra hekuri.

Në këto kushte cila mendoni se ishte zgjidhja e vetme? As më pak e as më shumë sesa një urë G U R I !!!! Po, po një urë guri me qemer e me kurriz në mes, si ato të qëmoçmet e kohës së Turqisë. Fshatarët e Marianit s’besoj se ja kanë ngenë trashëgimisë kulturore apo ruajtjes së traditës, thjesht halli i bëri t’i kthehen teknikave të kohëve të shkuara të mesjetës. Kjo ura e gurtë Marianit e ka edhe një të mirë të madhe, nuk ka hekur brenda dhe kjo jo vetëm që ja ul koston, por e mbron atë nga vjedhësit e hekurit për skrap. Ndoshta ky kthim me sukses në mesjetë, do t’i ndihmojë marianasit të lidhen më lehtë me botën përreth dhe shtetin e tyre, që ka madje edhe një Ministri të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE