English

Zëdhënësja e Berishës i përgjigjet kushëririt të saj Edi Rama

Tiranë, 11 Nëntor 2011 NOA – Replika në distancë për Edi Ramën, nga zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli, pasi në librin e kryesocialistit, “Kurban”, ajo përmendet duke u atakuar për atë që ajo e quan gënjeshtër të pacipë dhe banale të kushëririt të saj.

Pjesa në libër ku flitet për Erla Mëhillin:

“… Kjo është historia e dhimbshme politike e kujtdo që ka mundur të bëjë karrierë në atë parti duke siguruar një vend për fytyrën në posterat elektoralë të PD-së dhe në fotografitë e qeverive të Saliut, ky është edhe mësimi që kjo komedi njerëzore e luajtur seriozisht, mbushur me akte kamikazësh që në publik s’e kanë për gjë të recitojnë çdo poshtërsi ndërsa në privat të thonë “kështu e ka politika!” i jep çdo të riu e të reje që kapërcen pragun e oborrit të bajraktarit, si një vajzë e re, fjala vjen, familja e së cilës ka lidhje jo edhe fare të largëta gjaku nga ana e baballarëve dhe sidomos miqësie nga ana e nënave me familjen time, e cila recitonte pa pushim nga selia e Partisë Demokratike të gjitha perversitetet e diktuara nga Saliu me celular për të përgojuar pikërisht familjen time, babanë, djalin, nënën e tij, nënën time, mua pa diskutim. Dhe kur Endri Fuga, drejtori im i komunikimit, që e kishte pasur në klasë në gjimnaz, i pataksur ngaqë mori vesh një ditë prej meje pikërisht këto lidhje, e pyeti “Si ka mundësi që ti pranon të shash publikisht me atë zhargon vulgar rruge një familje që ka lidhje me familjen tënde?” ajo iu përgjigj: “Unë dua të bëj karrierë Endri dhe ky është një mut për t’u ngrënë aty te ne, nëse do që Doktori të të japë dorën, ja si Gerti, Bogdani, që e hëngri të gjithin dhe pastaj u bë deputet!”

Reagimi nga Erla Mëhilli: “Në fillim u çudita, kur me treguan për këtë gënjeshtër të pacipë dhe shumë banale të kushëririt tim (edhe pse të largët) Edi Rama. Por pastaj kam qeshur gjithë ditën, siç bëj shpeshherë kur dëgjoj thashetheme për veten. Humorin ma shtoi me shumë motra, kur me tha në telefon "T'u bëftë kurban ai"! Megjithatë, është fat i madh që nuk i ka rënë ndër mend t'i shoqëroj personazhet e librit të tij me vizatime, se me ç’kam parë dhe dëgjuar nga piktoret e vërtetë, do të më kishte nxjerre edhe të shëmtuar”.

e.t/NOA

KOMENTE