English

Mbyllet mbledhja urgjente e qeverisë, Berluskoni konfirmoi dorëheqjen

Romë, 12 nëntor 2011, NOA – Vetëm pak minuta më parë ka përfunduar mbledhja e qeverisë italiane, ku duket se kryeministri Silvio Berluskoni ka konfirmuar dhënien e dorëheqjes, citon agjencia e lajmeve NOA.al.

Burime nga qeveria bënë me dije për agjencinë e Mediaset, Tgcom se kavalieri ashtu siç kishte deklaruar ditë më parë, u ka konfirmuar dorëheqjen ministrave të kabinetit të tij.

Mbledhja e Këshillit të Ministrave nisi në orën 18.10 dhe përfundoi pas mëse treçerek ore.

Kjo mbledhje u mbajt pak pasi Dhoma e Deputetëve miratoi me shumicë dërrmuese votash Ligjin për Stabilitetin Financiar.

Mbështetja ndaj Berluskonit kishte rënë tejet pasi atij i ikën edhe mbështetës të fortë si deputetja Carlucci.

Disa ditë më parë një nënqeshje e dy krerëve të vendeve të BE-së, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Nicholas Sarkozy bëri të kuptohej edhe fati i kryeministrit italian në krye të qeverisë, së minuar edhe nga besnikët.

mit/NOA

Në foto: Silvio Berluskoni

KOMENTE