Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Politikulti dhe letërsia
English

Politikulti dhe letërsia

"Por risia më e freskët e njëkohësisht më çoroditëse që vihet re këto kohët e fundit, është se politikanë të krahëve të ndryshëm të politikës shqiptare (mbase më shumë majtas) po orvaten të shpalosin – kush më modestisht, kush më hapur –, pretendime letrare"

Nga Edmond Tupja

Kulti i politikës, ose, siç thuhej e shkruhej dikur, politika në plan të parë, këto vitet e fundit është duke pësuar një ndryshim, ose, siç thuhet e shkruhet në fjalorin e gjenetikës, një mutacion. (Me siguri që lexuesit syçelët e të paanshëm të kësaj rubrike nuk ka si të mos ia tërheqin vëmendjen tri shkronjat e para të këtij termi shkencor). Tani, në plan të parë po del kulti i politikanit ose politikulti, pavarësisht politikës që ai ndjek brenda apo jashtë radhëve të partisë së vet. Por risia më e freskët e njëkohësisht më çoroditëse që vihet re këto kohët e fundit, është se politikanë të krahëve të ndryshëm të politikës shqiptare (mbase më shumë majtas) po orvaten të shpalosin – kush më modestisht, kush më hapur –, pretendime letrare përmes veprash që, pikërisht nga pikëpamja e artit të të shkruarit, vështirë se mund të cilësohen, të konsiderohen apo të renditen si krijime artistike. Interesant më duket fakti se disa syresh, dikur poetë, prozatorë apo artistë deri diku të mirëfilltë, ngaqë prej gati njëzet vitesh rresht po merren dashurimthi me politikë, janë zhvelftësuar shkallë-shkallë dhe, kur tani botojnë libra me pretendime letrare apo artistike, duken sikur rreken të gënjejnë të tjerët ose, edhe më keq, vetveten. Kështu, thjesht si shembull, njoh një zotëri të cilit dikur i pata përkthyer në frëngjishte poezi vërtet të bukura që u botuan jashtë shtetit e u pëlqyen shumë. Por, kur ky zotëri nisi të merrej me politikë dhe botoi vargje të tjera pasi ishte kthyer pashërimisht në politikan profesionist, vura re, me një keqardhje të thellë, gati-gati me një ndjenjë mëshire, se ishte zhvelftësuar si poet dhe se vargjet e tij, edhe kur i lexoi vetë në një emision ku qeshë i pranishëm, ishin për të vënë kujën, d.m.th. vetëm poezi nuk ishin! Pra, politika në mos e vret artistin, e zhvleftëson, e skualifikon atë. Në këtë përfundim (të nxituar, por ndoshta jo edhe aq të gabuar) arrita përmbipardje në Panairin e Librit tek pashë sesi gëlonin e kuisnin në radhë njerëzit për të marrë njëfarë libri të njëfarë personaliteti politik tejet të mediatizuar. E shfletova atë libër duke zbatuar parimin e njohur, sipas të cilit, “për të vlerësuar cilësinë e verës së një fuçie, nuk është e nevojshme të pish gjysmën e sasisë së saj”: libri në fjalë, nga pikëpamja artistike – stil, figuracion, strukturë –, më la përshtypjen e një vepre dystaban e çalamane. Rrjedhimisht, më duket e çuditshme se si mund të derdhen, shtyhen, ngjeshen e shtrydhen njëri pas tjetrit, njëra pas tjetrës, njëri pas tjetrës ose njëra pas tjetrit, zonja e zotërinj të racës homo lexusus për të blerë librin e lartpërmendur dhe kjo shumë më dukshëm sesa për të blerë libra autorësh shqiptarë që bëjnë letërsi të vërtetë. Sigurisht, që jo vetëm në Panairin e Librit në fjalë, por edhe në më të thjeshtën librari, klienti ka të drejtë të blerë librin që i pëlqen, pavarësisht fushës së cilës i përket – filozofi, histori, letërsi, politikë, psikologji etj., etj., por kur bëhet fjalë për një libër të shkruar nga një ish-artist, pra, me pretendime ende artistike ose kriptoartistike (edhe pse pa pikë kripe), ky libër nuk mund e nuk duhet të blihet qorrazi. Nuk mund e nuk duhet të blihet qorrazi, sepse përfytyroni një çast sikur autorit në fjalë, sportist në rininë e vet, t’i shkrepte të praktikonte tani sportin e tij të dikurshëm: a do të dyndeshin vallë fansat e tij të sotëm në Pallatin e lojërave me dorë “Asllan Rusi” për të rënë në ekstazë e dalldi duke shijuar lojën e “mrekullueshme” të një “niveli të paarritshëm” të idhullit të tyre që nuk merret me kurrfarë sporti (madje as si amator) prej më se dy dekadash? Sidoqoftë, për të mos e indinjuar së tepërmi lexuesin e këtyre radhëve që mund të mos jetë i të njëjtit mendim, dua të nënvizoj faktin se, fatmirësisht, ka edhe përjashtime: i tillë është rasti i zotit Ben Blushi, i cili, vërtet është deputet, pra, politikan, por që, sidomos me libri e tij të dytë, “Otello, arapi i Vlorës”, tregoi bindshëm se është një autor i denjë për t’u radhitur midis shkrimtarëve më tërheqës të këtij vendi. Së fundi, por jo më së paku, duhet pranuar se, përballë fryrjes së rrezikshme të politikultit në dëm të letërsisë e të arteve, jo vetëm kritika letrare, por edhe Akademia e Shkencave, institucionet kulturore dhe mediat serioze duhet ta ngrenë zërin e të thonë fjalën e tyre; në këtë drejtim jam i detyruar të përmend e të përgëzoj Akademinë “Kult” që, duke lartësuar me dinjitet kultin e kulturës, e letërsisë dhe të arteve të tjera, i kundërvihet haptas politikultit dhe nënprodukteve të tij mjerane.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE