English

Kuper propozon vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në 18 nëntor

Bruksel, 15 nëntor 2011, NOA - Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper, u ka propozuar dy delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, që dialogu të mbahet të premten e 18 nëntorit në Bruksel.

Lajmin e ka konfirmuar zyra e shtypit e udhëheqëses së delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka konfirmuar gjithashtu, gatishmërinë e palës shqiptare për t’u mbledhur të premten në Bruksel.

Këshilltari politik i Zëvendëskryeministres, Visar Xani tha për gazetën kosovare Express se “Mund të them se z. Cooper po angazhohet me palën serbe, që takimi i radhës të ndodhë të premten”.

Disa javë pas ndërprerjes së bisedimeve, duket se diplomati britanik ia ka arritur të bindë palët, që të menaxhojnë kufijtë së bashku.

Por, ende nuk dihet nëse kjo çështje do të bëhet pjesë e tryezës në raundin e ardhshëm të bisedimeve, apo nëse do të vazhdohet me temat e mbetura siç është bashkëpunimi rajonal, telekomi dhe energjia.

“Ne si palë kosovare jemi gati kurdoherë, që caktohet një datë për raundin e ardhshëm”, u shpreh Këshilltari i Zëvendëskryeministres Tahiri.

Edhe vetë shefja e diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton, pret, që shumë shpejt, të vazhdojë dialogu Prishtinë-Beograd.

mit/NOA

KOMENTE