English

SHBA, Gordon: Ndarja dhe këmbimi i territoreve të papranueshme

Uashington, 16 nëntor 2011, NOA - Ndihmësseketari amerikan i Shtetit Philip Gordon ka porositur Serbinë, që kudo në territorin e Kosovës duhet patjetër të ekzistojë liria e lëvizjes pa kusht.

Gordon bëri me dije se Uashingtoni pret nga qeveria e Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht me KF0R-in dhe EULEX-in në heqjen urgjente të bllokadave në rrugët e veriut të Kosovës dhe të sigurojë kontrollin përkatës të kufijve.

Gjithashtu ai ka bërë të qartë se ndarja dhe shkëmbimi i territoreve është zgjidhje e papranueshme.

Gordon i bëri këto deklarata në Nënkomitetin e Dhomës Përfaqësuese për Evropë dhe Euroazi kushtuar situatës në Ballkan, ku më së shumti u diskutua për Serbinë dhe Kosovën dhe problemet e Bosnjës e Hercegovinës, njofton “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe.

“Vështirë është të imagjinohet që Bashkimit Evropian t'i bashkohet vendi, i cili financon aktivisht institucionet e ndara në shtetin fqinjë dhe, i cili me të ndan kufijtë, që nuk janë rregulluar, kontrolluar dhe njohur”, deklaroi Gordon duke preçizuar se ky është mesazhi që bashkë me Bashkimin Evropian po përpiqen t’ia transmetojnë Serbisë.

“Nëse nis cilido qoftë nga këto procese, kjo kurrsesi nuk mund të jetë e kufizuar vetëm në një linjë kufitare, as që mund të përfundojë me rrugë paqësore. Retorika, me të cilën bëhet thirrje për ndarjen e Kosovës dhe vihet në dyshim aftësia e njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike të jetojnë bashkë, është e dëmshme për pajtimin rajonal dhe në kundërshtim me përpjekjet e gjata me dekada të komunitetit ndërkombëtar, që të nxjerrë rajonin nga periudha e konflikteve brutale të 1990-ve”, nënvizoi Gordon.

Kriza në Kosovë ka qenë temë debati e kongresistëve amerikanë në Këshillin për Politikë të Jashtme, njoftojnë mediat serbe.

Në Këshill janë paraqitur ide të ndryshme, që fajësojnë Serbinë si përgjegjësja e vetme për ngjarjet në Kosovë duke dhënë deri idenë për ndarje.

Sipas tyre dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve.

Kongresisti nga Ohajo Jen Schmidt dhe kongresisti nga Neë Yorku Eliot Engel kanë fajësuar Serbinë për situatën në veri, duke theksuar se nuk duhet lejuar të vijojë procesin e integrimit përpara se të zgjidhet çështja e Kosovës.

“Problemi është te Serbia. Kosovën e kanë njohur 86 shtete e Serbia po shkakton incidente. Nuk duhet harruar se kosovarët janë miqtë më të mirë të Amerikës në rajon”, ka thënë Schmidt”, ndërsa kongresisti Eliot Engel ka apeluar që Serbia nuk duhet të anëtarësohet në BE para Kosovës, pasi ajo mund të bllokojë hyrjen e Kosovës në BE, siç po e bllokon më OKB.

VOA/NOA

KOMENTE